Kinë, fillon gjendja e re e hapjes

2018-03-06 15:34:46 CRI Komenti juaj Printoni

Vitet e fundit, nëpërmjet nismës "Një brez, një rrugë" dhe formimit të zonave të tregtisë së lirë, Kina po nxit zhvillimin ekonomik me një nivel më të lartë hapjeje. Ekspertët janë të mendimit që Kina po ndërton një sistem modern ekonomik dhe se, me thellimin dhe nxitjen e projekteve përkatëse, po formohet një gjendje e re me hapje të gjithanshme.

Nisma "Një brez, një rrugë" është një projekt i madh strategjik dhe një masë e rëndësishme e Kinës për të shtuar hapjen ndaj botës. Vitet e fundit, nisma "Një brez, një rrugë" është mbështetur gjerësisht nga bashkësia ndërkombëtare dhe vendet e ndryshme kanë treguar një vullnet më të madh për bashkëpunim në kuadër të kësaj nisme. Sipas të dhënave statistikore, për të nxitur nismën "Një brez, një rrugë", Kina ka nënshkruar 100 dokumente bashkëpunimi me 86 vende dhe organizata ndërkombëtare, duke ndarë frytet e përfitimeve nga ndërlidhjea dhe hapja e tregtisë.

Zv.kryeekonomisti i Qendrës së Shkëmbimeve Ndërkombëtare të Kinës, Xu Hongcai, shprehet se nisma "Një brez, një rrugë" i ka çuar përfitimet e globalizimit ekonomik te njerëzit, duke ofruar një mundësi të rrallë për shtimin e hapjes së Kinës.

"Koncepti i paraqitur nga ne i 'Pesë ndërlidhjeve' është pranuar gjerësisht nga njerëzit. Baza e këtij koncepti është rritja e tregtisë nëpërmjet investimeve dhe nxitja e rritjes globale nëpërmjet ndërlidhjes infrastrukturore, duke shtuar nivelin e punësimit dhe duke krijuar energji dhe gjallëri të re. Ndërkohë, një gjë e tillë është gjithashtu në të mirë të shfrytëzimit të tregjeve dhe të burimeve brenda e jashtë Kinës. Gjatë këtij procesi, ndërkombëtarizimi i juanit dhe bashkëpunimi në krijimin e kapaciteteve mund të fitojnë energji dhe gjallëri të re," thotë Xu Hongcai.

Në procesin e hapjes së mëtejshme, zonat eksperimentale të tregtisë së lirë mund të cilësohen si një eksperiment i guximshëm. Tani, Kina ka ndërtuar 11 zona të tregtisë së lirë në Shangai, Guangdong dhe Tianjin.

Titus Von dem Bongart, partner në firmën "Ernst & Young", shprehet që, si një nga kompanitë ndërkombëtare të shërbimeve që kanë hyrë herët në tregun kinez, "Ernst & Young" e ka ndier konkretisht përfitimin e krijuar nga hapja e Kinës.

"Në vitet e kaluara, Kina ka ndërtuar zonat e tregtisë së lirë dhe ka pakësuar vazhdimisht dispozitat e 'listës negative'. Tani, klientët tanë mund të futen në mënyrë më të lirshme në tregun kinez dhe, për këtë arsye, ne mund të ofrojmë shërbime më të mira. Ndërkohë, mund të shohim që më shumë kompani të huaja po futen në Kinë."

Sipas planit për hapjen e mëtejshme të Kinës, Shangai dhe Guangdong-u po shqyrtojnë ndërtimin e porteve të tregtisë së lirë me më shumë hapje. Zv.kryetari i Komitetit të Studimeve pranë Ministrisë së Tregtisë të Kinës Zhang Jianping është i mendimit që porti i tregtisë së lirë mund të ketë një nivel të ri të hapjes dhe të lehtësive proceduriale.

"Zonat e tregtisë së lirë që kemi tani nuk kanë një sistem shumë të hollësishëm tatim-taksash. Në të ardhmen, në portet e tregtisë së lirë, nëse menaxhohen sipas modelit të Dubait dhe Singaporit, mund të ketë përparime të reja për sa u përket taksave, lëvizjes së njerëzve dhe shtimit të hapësirës. Tani, bashkia e Shangait ia ka paraqitur projektin e saj qeverisë qendrore. Ndërkohë, Guangdong-u dhe Zhejiang-u po bëjnë projektet e veta. Kështu që në të ardhmen, ndërtimi i porteve të tregtisë së lirë do të jetë fronti i parë i hapjes së Kinës," thotë Zhang Jianping.

Përveç tregtisë, edhe sektori i financave është përfshirë në procesin e hapjes të Kinës, çka ka tërhequr vëmendje të madhe ndërkombëtare. Në vitin 2017, Kina deklaroi që do të hapë për investitorët të huaj tregun bankar, të letrave me vlerë e të sigurimeve etj. Analistët janë të mendimit që hapja në këtë drejtim jo vetëm mund të nxitë procesin e ndërkombëtarizimit të juanit kinez, por edhe mund të ruajë statusin e Kinës si destinacion i madh investimesh.

Zv.drejtori i Institutit të Studimit të Tregut Ndërkombëtar pranë Ministrisë së Tregtisë të Kinës, Bai Ming është i mendimit që hapja e re e Kinës është e ndërsjellë dhe e gjithanshme. Në procesin e hapjes së gjithanshme, sipas tij, Kina duhet të këmbëngulë si në "tërheqjen brenda vendit", ashtu dhe "daljen jashtë vendit".

"Në të ardhmen, duhet të zgjerojmë hapësirën jashtë vendit dhe të hedhim një bazë të fortë brenda vendit. P. sh., nënshkrimi i marrëveshjeve të tregtisë së lirë dhe nisma e Kinës 'Një brez, një rrugë' janë mirëpritur nga shumë vende. Lidhur me brenda vendit, kemi projektet si 'Made in China 2025', që synojnë rritjen e aftësisë konkurruese. Me anë të rritjes së aftësisë konkurruese, hapja e Kinës mund të ketë bazë të fortë. Vetëm kështu mund të formohet një gjendje aktive e ndërlidhje së 'brenda vendit' me 'jashtë vendit'," thotë Bai Ming, zv.drejtori i Institutit të Studimit të Tregut Ndërkombëtar të Ministrisë së Tregtisë.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore