Zhang Bangxin-i, multimiliarderi i ri i arsimit privat në Kinë

2018-03-06 14:40:33 CRI Komenti juaj Printoni

Kryetari dhe kryezyrtari ekzekutiv i Grupit Arsimor TAL Zhang Bangxin, nga një student i varfër pasuniversitar që jepte mësime private për të përballuar jetën dhe studimet, është kthyer sot në njërin prej sipërmarrësve të rinj më të suksesshëm e më të pasur jo vetëm në Kinë, por edhe në botë. Grupi që ka themeluar dhe drejton ai është ndër kompanitë kryesore të arsimit privat në Kinë, ndërsa pasuria e Zhang Bangxin-it, që ende nuk ka mbushur 38 vjeç, i kalon tashmë 6 miliardë dollarët.

Zhang Bangxin-i ka lindur më 1 tetor 1980 në provincën Jiangsu të Kinës Lindore. Në vitin 2001 ai u diplomua në Universitetin e Sichuan-it dhe nisi studimet "master" në shkencat e jetës në Universitetin e Pekinit, një prej universiteteve më të mira jo vetëm në Kinë, por edhe në botë. Duke qenë nga një familje e varfër, Zhang duhej të punonte për të siguruar jetesën dhe pagesën e shkollimit. Ai arriti deri aty sa për një kohë të bënte shtatë punë me kohë të pjesshme, duke përfshirë edhe si mësues privat i tre fëmijëve. Të tre ata arritën rezultate maksimale në provimet e matematikës dhe prindërit e tyre hapën fjalën se Zhang Bangxin-i ishte një mësues shumë i mirë. Pa kaluar shumë ai kishte 20 nxënës, të cilët i ndau në dy klasa. "Fitoja njësoj, kurse puna u dyfishua, por mund të garantoja se mund t'i mësoja mirë nxënësit. Ky ishte qëllimi im," shprehet Zhang.

Në gusht 2003, ende pa mbushur 23 vjeç, Zhang Bangxin-i vendosi të krijojë kompaninë e vet, me një kapital fillestar prej 100 juanësh (mbi 15 mijë dollarë), të cilat ai i siguroi kryesisht duke marrë hua nga të afërmit. Fillimisht selia e kompanisë ishte një zyrë më pak se 20 metra katrorë, por Zhang Bangxin-i kishte besim te rritja e biznesit të vet, besim që vinte edhe nga potenciali i madh i tregut të arsimit privat në Kinë. Arsimi tradicionalisht ka zënë një vend shumë të rëndësishëm në kulturën kineze dhe në një shoqëri gjithnjë e më konkurruese, edhe kërkesa për mësime private po shtohej. Shpenzimet për arsimin në Kinë kanë ardhur duke u rritur, duke zënë një të tretën, e madje gjysmën e të ardhurave të familjeve në qytetet më të mëdha. Tregu i arsimit privat në Kinë vlerësohet se arrin tashmë në 100 miliardë dollarë.

Suksesi dhe rritja e kompanisë së Zhang Bangxin-it ishte e tillë saqë në vitin 2007 ai vendosi të lërë studimet e doktoraturës që po ndiqte po në Universitetin e Pekinit, për t'i përkushtuar krejtësisht biznesit. Nuk ishte një vendim i lehtë, por ai e kishte bërë tashmë zgjedhjen e vet. Në vit më pas kompania e Zhang Bangxin-it u kthye në Grupin Arsimor TAL, që është sot një ndër pesë sipërmarrjet më të mëdha të arsimit privat në Kinë, me më shumë se 300 shkolla në mbi 25 qytete në mbarë Kinën.

Ndërsa Zhang Bangxin-i është ende i fokusuar në atë që mund të quhet zgjerim fizik i grupit, duke pasur si objektiv hyrjen në të paktën dy qytete të reja çdo vit, përfshirja e grupit TAL edhe në asimimin në internet i ka mundësuar që të mbajë pozicionin udhëheqës në tregun kinez e të rritet.

TAL-i filloi ofrimin e kurseve në internet në janar 2010, dhe në vitin 2012 nisi të zhvillojë kurse të drejtpërdrejta në internet. Kompania po ashtu ka krijuar kohët e fundit një aplikacion në celular, që u krijon nxënësve mundësinë të komunikojnë me mësuesit në çdo kohë të ditës. "Ne po punojmë vazhdimisht për të zgjeruar ofertat tona në internet," shprehet Zhang. Vlerësohet se TAL-i zë pothuajse një të tretën e tregut të mësimeve private në internet në Kinë. Ndërsa kurset në internet zënë vetëm një pjesë të vogël të të ardhurave të përgjithshme të TAL-it, në disa vitet e fundit të ardhurat prej tyre janë rritur më shumë se 1 000 %.

Përveç përmirësimit të teknologjisë, TAL-i është fokusuar në blerjet dhe investimet strategjike në drejtim të digjitalizimit. Kështu ndër të tjera grupi ka investuar 30 milionë dollarë në "Phoenix E-Learning", që zotëron platformën më të madhe të arsimimit në internet në Kinë, si edhe ka bërë një investim strategjik në kompaninë arsimore "Knewton", për të integruar teknologjinë e mësimit të përshtatur të kësaj kompanie në platformën e vet të arsimimit në internet. "Ne duam të jemi në kufirin ku arsimi takohet me teknologjinë," vë në dukje Zhang.

Në vitin 2010, Grupi Arsimor TAL u regjistrua në Bursën e Nju-Jorkut. Që atëherë vlera e aksioneve të tij është më shumë se 200-fishuar, duke e bërë Zhang Bangxin-in njërin prej të rinjve më të pasur të botës. Në vitin 2016 ai u përfshi në listën e 10 miliarderëve kryesorë të Kinës të lindur në vitet '80, teksa po atë vit ishte pjesë e listës së 20 miliarderëve të vetëbërë më të rinj të botës, së bashku me, ndër të tjera, themeluesin e "Snapchat"-it Evan Spiegel dhe bashkëthemeluesit e "Facebook"-ut Mark Zuckerberg dhe Dustin Moskovitz. Në vitin 2013 Zhang Bangxin-i mori çmimin "Sipërmarrës i ri i vitit i Kinës" nga "Ernst&Young".

Sot pasuria e Zhang Bangxin-it arrin në plot 6.4 miliardë dollarë. Një pjesë të kësaj pasurie ai e përdor për bamirësi, sigurisht kryesisht për të mbështetur arsimimin e fëmijëve e të rinjve nga familje në nevojë. Grupi Arsimor TAL ka krijuar ndër të tjera "Fondin e posaçëm për zhvillimin e arsimit për fëmijët dhe adoleshentët", ndërkohë që ka ndihmuar në ngritjen e një numri shkollash të reja në zonat më të varfra të vendit. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore