Yue-Sai Kan-i, sipërmarrësja e bukurisë

2018-03-01 15:42:48 CRI Komenti juaj Printoni

Yue-Sai Kan është një njeri që ka bërë shumë gjëra në jetë. Përveçse sipërmarrëse e suksesshme, ajo është producente dhe drejtuese televizive, autore librash, si edhe një bamirëse e shquar. Revista "People" e ka cilësuar atë "Gruaja më e famshme në Kinë", ndërsa revista "Money" si "Mbretëresha e Mbretërisë Qendrore". Megjithëse një grua që bie në sy për bukurinë e saj, duke qenë njëkohësisht edhe Drejtore Kombëtare e "Miss Universit" për Kinën, Yue-Sai Kan thotë se e gjen kuptimin e jetës së vet kur bën të bukur jetën e njerëzve të tjerë.

Yvonne Yue-Sai Kan ka lindur në vitin 1949 në qytetin piktoresk të Guilin-it në rajonin Guangxi të Kinës dhe është rritur në Hong-Kong. Babai i saj ka qenë një piktor dhe kaligrafist i njohur. Duke ndjekur edhe ajo rrugën e artit, Yue-Sai Kan shkoi në Havai për të studiuar për piano. Pikërisht gjatë studimeve, Yue-Sai Kan u votua nga universiteti për të marrë pjesë në një konkurs bukurie të organizuar nga Dhoma vendore Kineze e Tregtisë. Kjo do të ishte një përvojë që do t'i ndryshonte asaj jetën, duke përcaktuar në fakt karrierën e saj. "Isha rritur në një familje tradicionale kineze, ku bukuria nuk shihej si diçka e rëndësishme për një vajzë," rrëfen Yue-Sai Kan. "Kështu që kur shkova në konkursin e bukurisë, për herë të parë mësova se si të përdor grim. U mahnita, m'u duk si magji. Mund të ndryshoja mënyrën si dukesha vetëm duke përdorur buzëkuq ose laps vetullash. Besoj se kjo ka të bëjë me faktin pse më vonë kozmetika më tërhoqi kaq shumë."

Por ky konkurs do të ndikonte më parë mbi diçka tjetër, përfshirjen e Yue-Sai Kan-it në televizion. "Sigurisht, kur merr pjesë në një konkurs bukurie të mësojnë si të qëndrosh përballë kameras e si t'u përgjigjesh pyetjeve, madje edhe pyetjeve të vështira. Kjo përvojë më la shumë mbresa dhe besoj se ka shumë lidhje me atë që bëra më pas në televizion," tregon Kan.

Në vitin 1972, pas diplomimit, Yue-Sai Kan-i e la ëndrrën e saj të fëmijërisë, muzikën, dhe shkoi në Nju-Jork për të ndjekur një ëndërr tjetër. Por Nju-Jorku në fillim, siç thotë, iu duk shumë i sofistikuar dhe frikësues, sepse ishte shumë europian, krahasuar me Havain, që ishte më aziatik. Së bashku me të motrën, Vicky-n, ajo nisi një biznes import-eksporti, ndërkohë që punonte edhe si drejtuese e një programi dygjuhësh, anglisht dhe kinezisht, në një televizion të Nju-Jorkut. Më pas, duke provuar vetë drejtpërdrejt hendekun kulturor mes Lindjes dhe Perëndimit, Yue-Sai Kan-i krijoi kompaninë e vet televizive, "Yue-Sai Kan Productions", produkti i parë i së cilës ishte një serial televiziv, i titulluar "Shikim drejt Lindjes", që synonte pikërisht të bënte të njohur kulturën dhe traditat aziatike te publiku amerikan. Seriali u transmetua për 12 vjet rresht. Kompania e Yue-Sai Kanit prodhoi edhe dokumentarë e seriale të tjera televizive për Azinë në përgjithësi dhe Kinën në veçanti, disa prej të cilave fituan çmime, si ai "Kina - Mure dhe ura", i prodhuar nga ABC. Ndërkohë, Yue-Sai Kan u bë një emër i njohur edhe në Kinë me serialin televiziv "Një botë", i transmetuar në Televizionin Qendror, i cili synonte ta njihte publikun kinez me kulturën dhe traditat e popujve të ndryshëm të botës.

Me programe që transmetoheshin si në Kinë, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara, revista "People" e cilësoi Yue-Sai Kanin si "gruaja më e shikuar në botë."

Por në vitin 1992 ajo nisi një sipërmarrje tjetër. E frustruar që nuk gjente dot kozmetikë të përshtatshme për lëkurën dhe tiparet e saj aziatike, Yue-Sai Kan vendosi të krijojë kompaninë e vet, të cilën e quajti "Yue-Sai Cosmetics", me synimin "për të forcuar tiparet e veçanta aziatike, me qëllim që gratë aziatike ta kuptojnë se sa të bukura janë".

Kompania e Yue-Sai Kan-it u bë shpejt një kompani produktesh kozmetike udhëheqëse në tregun kinez, me 800 dyqane në mbarë Kinën. Ajo i nxiste gratë kineze të ishin krenare për pamjen e tyre, duke u bërë pioniere e industrisë kozmetike në Kinë dhe duke e cilësuar "Yue-Sai"--n si "e para markë kozmetike kineze e bërë për fytyrat kineze". Teksa kërkesa u rrit, Yue-Sai Kan kuptoi se kompania e saj kishte nevojë për t'u zgjeruar dhe për ta bërë këtë do t'i duhej një partner global. Ajo krijoi një partneritet strategjik me "Coty"-n, një kompani kozmetike me një vlerë tregu 1.7 miliardë dollarë. Bashkëpunimi i mundësoi firmës së Yue-Sai Kan-it të vazhdonte rritjen e shpejtë, të shtonte linjat e prodhimit dhe forconte kapacitetet e prodhimit, duke hasur një fabrikë në Shangai në vitin 1997 me një investim 20 milionë dollarë.

Në vitin 2004 Yue-Sai Kan-i ia shiti markën e saj kompanisë më të madhe kozmetike në botë, "L'Oreal". Yue-Sai Kan u caktua presidente nderi e "L'Oreal"-it në Kinë.

Ndërkohë, Yue-Sai Kan-i ishte përfshirë prej vitesh në një sipërmarrje tjetër, e nxitur përsëri nga mungesa e produkteve karakteristike aziatike, këtë herë e një kukulle të cilën ajo donte t'ia dhuronte vajzës së një mikeshës së saj. Në vitin 1999, është shprehur Yue-Sai Kan-i, "zbulova se në gjithë Kinën nuk kishte asnjë kukull me flokë të zinj dhe sy të zinj". Me ta zbuluar këtë mungesë dhe me të marrë vendimin për ta mbushur atë, ajo krijoi markën "Yue-Sai Wa Wa". Duhej të merrej kështu me një biznes krejtësisht të ri, ashtu siç kishte bërë më parë me televizionin dhe produktet kozmetike. "Duhej të mësoja si bëhej një kukull që nga fillimi, siç edhe menaxhimin e duhur," shprehet ajo.

"Yue-Sai Wa Wa" i nxori produktet e para në tregun kinez në vitin 2000, duke qenë edhe ato një sukses i menjëhershëm. Yue-Sai Kan-i bashkëpunoi me gjigantët amerikanë të shitjes me pakicë dhe në fund të vitit 2001 i tregtoi kukullat e saj edhe në ShBA, Britani e Singapor.

Në vitin 2008 Yue-Sai Kan-i krijoi markën e stilit të jetesës "The House of Yue-Sai", ku përsëri "Lindja takon Perëndimin", duke u munduar të sjellë elegancën dhe frymëzimin në zbukurimin e shtëpive në Kinë.

Yue-Sai Kan-i ka marrë shumë çmime, si për shembull, "Çmimin e gruas sipërmarrëse udhëheqëse në botë" nga Grupi "Star" në vitin 1999, ndërsa në vitin 2012 "Forbes" e përfshiu në listën e "50 grave të biznesit me ndikim më të madh në Azi".

Por Yue-Sai Kan-i është një personalitet i përkushtuar jo vetëm ndaj biznesit, por edhe ndaj bamirësisë. "E keqja më e madhe është kur dikush është aq i varfër, saqë nuk ka asgjë tjetër përveç parave," ka thënë një herë ajo. Yue-Sai Kan-i ka krijuar një fond për dhënie bursash për nxënësit dhe studentët në nevojë në Kinë, si edhe për studentët e studentet kineze në Kolegjin "Hunter" në City University të Nju-Jorkut. Ajo po ashtu është aktive në Fondacionin "Soong Qing Ling" në Shangai, dhe për nder të saj aty është krijuar "Fondi Bamirës i Bukurisë i Kinës", që merret kryesisht me çështjet e ndihmës ndaj grave dhe fëmijëve. "Do t'ia kushtoj gjithë jetën time bërjes sa më të bukur të jetëve të njerëzve të tjerë, duke i dhënë kështu më shumë kuptim jetës sime nëpërmjet bukurisë së jetëve të tyre", ka thënë Yue-Sai Kan.

Mrekulli
Lajmet Kryesore