Fokusi i Kinës i paraqitur në "Dokumentin nr.1" për vitin 2018

2018-02-20 09:14:05 CRI Komenti juaj Printoni

Qysh nga vitet '80 të shekullit të kaluar, Komiteti Qendror i Partisë Komuniste dhe Këshilli i Shtetit i Kinës kanë nisur publikimin e të ashtuquajturit "Dokumenti nr. 1", duke publikuar gjithsej 20 të tilla. Në fillim të vitit 2018, drejtori i Zyrës Qendrore Drejtuese për Punët Rurale të Komitetit Qendror të PKK-së Han Jun paraqiti para mediave "Dokumentin nr. 1" të këtij viti, të quajtur "Opinionet e Komitetit Qendror të PKK-së dhe Këshillit të Shtetit për zbatimin e strategjisë së përtëritjes së fshatit", duke përmendur që fokusi kryesor i "Dokumentit nr. 1" për vitin 2018 është propozimi për gjallërimin e fshatrave socialiste me karakteristika kineze. Sipas Han Jun-it, kjo është linja kryesore që mbizotëron "Dokumentin nr. 1" për këtë vit.

Han Jun-i theksoi që në "Dokumentin nr.1" është vënë në dukje se zbatimi i strategjisë për përtëritjen e fshatrave është kyçi i punëve rurale në epokën e re, çka përbën një koncept krejtësisht të ri:

"Përtëritje e fshatrave do të thotë jo vetëm përmirësim i gjithanshëm i bujqësisë, por edhe përparim e zhvillim i gjithanshëm i fshatrave. Përtëritja e fshatrave përfshin jo vetëm zhvillimin ekonomik, por edhe përparimin në fusha të ndryshme, si politike, kulturore, ekologjike, si dhe në punët partiake. Përtëritja e fshatrave është në fakt shpejtimi i modernizimit të bujqësisë dhe fshatrave. Thelbi i kësaj strategjie është që të zgjidhen në mënyrë thelbësore problemet e bujqësisë, të fshatrave dhe të banorëve të tyre. Nëse kuptohet që zbatimi i strategjisë së përtëritjes së fshatrave në epokën e re është fokusi i 'Dokumentit nr. 1' për këtë vit, atëherë mund të kuptohet kyçi i punës për bujqësinë, fshatrat dhe banorët e tyre. Kështu, në epokën e re të socializimit me karakteristika kineze, për të bërë siç duhet punët mbi bujqësinë, fshatrat dhe banorët e fshatrave, duhet theksuar strategjia e re për përtëritjen e fshatrave."

Han Jun-i u shpreh që Komiteti Qendror i PKK-së dhe Këshilli i Shtetit i Kinës kanë publikuar gjithsej 20 "dokumente nr. 1", pesë në vitet '80 të shekullit të kaluar dhe 15 në shekullin e ri. 15 ndër këto 20 dokumente janë fokusuar te punët e bujqësisë, fshatrave dhe banorëve të fshatrave, çka tregon që kjo është një çështje kyçe në procesin e modernizimit të Kinës, duke treguar edhe vullnetin e vendosur të autoriteteve kineze për zgjidhjen e problemeve në këtë drejtim.

Han Jun thekson që sivjet është 40-vjetori i fillimit të politikës së reformës dhe hapjes. "Dokumenti nr. 1" për këtë vit ka një rëndësi të madhe, sepse në të jo vetëm është përmbledhur e gjithë puna që është bërë gjatë 40 vjetëve të fundit, por ai përbën po ashtu një dokument programatik që hap epokën e re të socializimit me karakteristika kineze.

"Ky është një dokument shumë i rëndësishëm; është një dokument i gjithanshëm dhe afatgjatë; është një dokument orientues, me objektiva të përcaktuar qartë dhe largpamës; është një dokument me përmbajtje të pasur politike. Unë mund të bëj një induktim logjik mbi këtë dokument. Nga ana e parimit dhe e strategjisë së përgjithshme, pika kyçe e 'Dokumentit nr. 1' të këtij viti është propozimi për ecjen në rrugën e përtëritjes së fshatit socialist me karakteristika kineze. Ky është filli kryesor që përshkon nga fillimi në fund 'Dokumentin nr. 1' të këtij viti," thotë Han Jun-i.

Han Jun-i përmendi gjithashtu që, në mbledhjen e Komitetit Qendror të PKK-së për punët rurale, u propozua që Kina të vijojë rrugët e përtëritjes së fshatrave socialiste me karakteristika kineze, duke i detajuar këto rrugë në shtatë të tilla, që janë përkatësisht: rruga për riformësimin e marrëdhënieve mes qytetit e fshatit dhe për zhvillim të integruar mes tyre; rruga për konsolidimin dhe përmirësimin e sistemit bazë të menaxhimit në fshatra dhe për pasurim të përbashkët; rruga për thellimin e reformës strukturore në fushën e ofertës dhe për zhvillimin me cilësi të lartë; rruga e harmonisë së njeriut me natyrën dhe e zhvillimit të gjelbër; rruga për trashëgimin e zhvillimin e qytetërimit bujqësor dhe për lulëzimin e kulturës në fshat; rruga për rinovimin e sistemit të administrimit të fshatrave dhe për miradministrimin e tyre; rruga për të ashtuquajturën "luftë me saktësi" kundër varfërisë dhe ndjekja e rrugës për zhdukjen e varfërisë me karakteristika kineze. Këto shtatë "rrugë kryesore" janë përfshirë në këtë dokument dhe janë linja kryesore dhe shpirti i tij.

Nga ana e detyrave dhe politikave, një pikë kyçe në dokumentin e sivjetshëm është formimi i kornizës për zbatimin e strategjisë për përtëritjen e fshatrave. Baza e kësaj kornize përfshin tre pika kryesore: e para, hartimi i programit kombëtar për përtëritjen e fshatrave (2018-2022), për të orientuar krahinat e ndryshme në nxitjen e përtëritjes së fshatrave në mënyrë të rregullt; e dyta, hartimi i rregullores së PKK-së për punët e fshatit, për të përsosur sistemin e drejtimit të PKK-së në këtë çështje; e treta, nxitja e hartimit të ligjit të përtëritjes së fshatit, për të ligjësuar politikat në këtë drejtim.

"Në përgjithësi, publikimi i 'Dokumentit nr. 1' të sivjetshëm simbolizon që parimet e Komitetit Qendror të PKK-së për zbatimin e strategjisë për përtëritjen e fshatrave janë shumë të qarta. Planifikimi është 30 % e punës dhe zbatimi 70 %. Tani është hartuar një program i qartë dhe pastaj duhet të zbatohen e të detajohen politikat përkatëse. Ndërkohë duhet të hartohen projektet e hollësishme të mbështetjes e të zbatimit. Kështu, mund të zbatohet konkretisht strategjia e Komitetit Qendror të PKK-së dhe, hap pas hapi, do të shndërrohet projekti i përgjithshëm për përtëritjen e fshatrave në realitet," thekson Han Jun-i, drejtori i Zyrës Qendrore Drejtuese për Punët Rurale të Komitetit Qendror të PKK-së.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore