Zhang Lei, menaxheri i pasurive që "nuk përsërit gabimet"

2018-02-14 16:05:23 CRI Komenti juaj Printoni

Ron Wayne quhet nga shumë si njeriu më i pafat në botë. Bashkëthemeluesi i harruar i "Apple" i shiti aksionet e tij në këtë kompani për 800 dollarë në vitin 1976. Sot këto 10 % të aksioneve të tij do të vlenin plot 75 miliardë dollarë.

Të njëjtin gabim mund të thuhet se bëri edhe Richard Li, i biri i miliarderit hongkongas Li Kashing. Në vitin 1999 ai bleu 20 % të aksioneve të "Tencent"-it për 1.1 milion dollarë, që i shiti dy vjet më vonë me një fitim prej 10 milionë dollarësh. Sot vlera e këtyre aksioneve do të ishte mbi 35 miliardë dollarë.

Themeluesi dhe kryezyrtari ekzekutiv i Grupit "Hillhouse Capital" Zhang Lei nuk e përsëriti këtë gabim. Ai filloi të investonte në "Tencent" që në vitin 2005, por nuk i ka shitur aksionet e tij në këtë kompani tashmë gjigante, një vendim që e ka kthyer atë në pa dyshim në menaxherin më të pasur të fondeve në Kinë.

Zhang Lei ka lindur në vitin 1972 në Zhumadian të provincës Henan të Kinës Qendrore. Ai thotë se tregoi që i vogël se kishte aftësi në biznes. Shtëpia e tij ishte pranë stacionit të trenit dhe që kur ishte shtatë vjeç, gjatë pushimeve të verës, ai nxirrte karrige jashtë dhe u jepte për të parë me qira librat e tij me vizatime atyre që prisnin trenin. Kur ishte në shkollë të mesme, në Kinë sapo kishte filluar reforma dhe nisën të dilnin revista me tema të tilla, si për shembull si të bëhesh i pasur shpejt. Zhang i blinte me shumicë këto revista dhe i shiste pastaj, duke kaluar më pas edhe te shitja e ujit dhe e makaronave të çastit. Të gjitha këto i bënte vetëm në verë dhe jo në kurriz të shkollës, duke qenë një nxënës shumë i mirë. Zhang Lei doli i parë në provincë në provimet e pranimit në universitet, kështu që arriti të fitojë një bursë për të studiuar financë në njërin prej universiteteve më të mira të Pekinit, Universitetin Renmin. Kur shkoi në universitet, mund të thuhet se ishte ndër studentët më të pasur. Ai kishte me vete 800 juanë (rreth 170 dollarë në atë kohë). Por në universitet ai iu përkushtua kryesisht studimit.

Pas përfundimit të universitetit Zhang Lei donte të vazhdonte studimet pasuniversitare jashtë vendit, por i mungonin paratë. Kështu që aplikoi për bursë në ndonjë nga universitetet amerikane, duke arritur ta sigurojë një të tillë prej një universiteti me famë si ai i Yale-t. Por peripercitë ekonomike për të riun e varfër do të vazhdonin. "Për fat të keq, kur erdha për herë të parë në Yale, nuk e dija se bursa që kisha marrë ishte vetëm për një vit, ndërsa kursi pasuniversitar ishte trevjeçar. Duhej të filloja të kërkoja punë. Dhe kështu gjeta punë në një zyrë investimesh".

Zyra e investimeve i përkiste universitetit kishte kryezyrtar ekzekutiv një emër të njohur në qarqet e investimeve, David Swensen, që i pa potencialet e të riut kinez dhe i mësoi artin e investimit. Ndërsa Zhang Lei përktheu një libër të Swensen-it në gjuhën kineze.

Përveç masterit në administrim biznesi, në vitin 2002 Zhang mori një master edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke punuar më pas për një fond investimesh në Uashington. Por në vitin 2005 ai vendosi të kthehej në vendin e tij.

Zhang Lei vendosi të krijojë firmën e vet të menaxhimit të kapitaleve, të cilën e quajti "Hillhouse Capital". "Hillhouse" ishte emri i një rruge në kampusin e Yale-s. David Swensen investoi 20 milionë dollarë në kompaninë e re, e më pas 10 milionë të tjera.

Në atë kohë shumë prej të rinjve kinezë që kryenin studimet në universitetet më të mira amerikane qëndronin për të punuar në Amerikën e Veriut, megjithatë Zhang i ndjeu potencialet që kishte Kina. "Në atë kohë, e dija se në Kinë diçka po 'ziente'. Kishte aq shumë energji. Mund të bëje shumë para. Kishte shumë sipërmarrës vitalë dhe kompani fillestare të teknologjisë."

Por në të vërtetë, në atë kohë investitorët nuk shihnin atë që shihte Zhang Lei. "Në atë kohë e gjithë bota mësonte nga ShBA-ja," thotë Zhang. Fillimisht, shumë njerëz i shihin kompanitë kineze të internetit si kopje të kompanive të krijuara në ShBA dhe vende të tjera, pa modele biznesi ose teknologji origjinale. "Por Kina i ka kaluar Shtetet e Bashkuara në shumë gjëra, veçanërisht në internetin e lëvizshëm", thotë Zhang. Përmasat dhe ritmet e rritjes së kompanive të internetit në Kinë janë më të mëdha se kudo tjetër.

Zhang Lei investoi në një kompani që kishte shtatë vjet që ishte krijuar dhe që kishte një vit e regjistruar në Bursën e Hong-Kongut. Ishte "Tencent", një nga kompanitë më të mëdha dhe më inovative në botë. Zhang kishte bërë një investim shumë fitimprurës. "Hillhouse" ende i zotëron aksionet e veta në "Tencent", vlera e të cilave njoftohet se është më shumë se 100-fishuar.

Mjaft me fitim do të ishte edhe blerja e aksioneve në "Jindong", ku Zhang Lei ishte ndër investitorët e parë. Sot "Jindong" është një ndër gjigantët e tregtisë elektronike.

Vlerësohet se "Hillhouse Capital" ka pasur një fitim vjetor mesatar prej 39 % që prej krijimit të vet. Në vlerësimin më të fundit të Institutit "Hurun", pasuria e Zhang Lei-t arrinte në 17 miliardë juanë (afro 2.7 miliardë dollarë).

Zhang e sheh veten si produkt të Lindjes dhe Perëndimit. Filozofia e tij e investimit mund të përmblidhet si një ndërthurje e mësimeve të Swensen-it me ato të taoizmit dhe të budizmit. Ai thotë se është shumë e rëndësishme të mos ndjekësh nga pas shumë raste. "Ka ujë të rrjedhshëm kudo përreth. Megjithatë, mjafton një grusht për të shuar etjen".

Zhang Lei bëri lajm nëpër gazeta kur në vitin 2010 dhuroi 8 888 888 dollarë për Universitetin e Yale-s. Edhe kjo shifër kishte lidhje me kulturën kineze, ku numri 8 shihet si numër me fat. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore