Kinë, fillon zbatimi i taksës për mbrojtjen e mjedisit

2018-02-06 15:18:57 CRI Komenti juaj Printoni

Për dhjetëra vjet Kina ka pasur një zhvillim të vrullshëm ekonomik. Por zhvillimi i vazhdueshëm e afatgjatë mund të sigurohet vetëm duke mbrojtur mjedisin, që ndryshe njihet edhe si "zhvillim i gjelbër". Presidenti i Kinës Xi Jinping ka deklaruar që "edhe malet e gjelbra dhe ujërat e pastra janë thesare të çmuara". Për këtë, qeveria dhe ligjvënësit kinezë kanë vendosur taksën për mbrojtjen e mjedisit.

Që nga fillimi i vitit 2018, në Kinë ka nisur në mënyrë zyrtare vjelja e taksës për mbrojtjen e mjedisit. Ndërkohë, sistemi i pagesës për lëshimin e lëndëve ndotëse, i zbatuar për afro 40 vjet, ka përfunduar zyrtarisht. Si një hap i rëndësishëm për përsosjen e sistemit të "taksave të gjelbra", taksa për mbrojtjen e mjedisit është jo vetëm një masë me rëndësi në reformën e taksave të vendit, por edhe luan një rol të rëndësishëm që detyron ndërmarrjet të pakësojnë ndotjen dhe të ngrenë nivelin e tyre teknologjik gjatë procesit të prodhimit.

Në fund të vitit 2016, Asambleja Kombëtare Popullore e Kinës miratoi ligjin e taksës për mbrojtjen e mjedisit, duke e shndërruar pagesën e lëshimit të ndotjeve në taksë për mjedisin. Ky është ligji i parë për taksat, pasi Komiteti Qendror i PKK-së përcaktoi parimin e taksimit sipas ligjit. Kjo ka rëndësi shumë të madhe për ngritjen e nivelit dhe përsosjen e sistemit ligjor të taksave, si edhe për krijimin e një sistemi modern taksash.

Funksioni i taksës së mbrojtjes së mjedisit është mbrojtja dhe përmirësimi i mjedisit, pakësimi i lëshimit të ndotjeve dhe nxitja e punëve ekologjike. Kjo është një taksë simbol për sistemin e "taksave të gjelbra" të Kinës dhe shënon përfundimin e pagesës për lëshimin e ndotjeve.

Sipas parimit të ligjit të taksave, për të shmangur nivelin tepër të lartë të kompetencave të autoriteteve lokale, në taksën e mbrojtjes së mjedisit është vendosur një cak ligjor. Sipas tij, taksa për çdo njësi të gazeve ndotëse është 1.2 deri në 12 juanë dhe taksa për çdo njësi të lëngjeve ndotëse është 1.4 deri në 14 juanë. Niveli i hollësishëm i taksës do të vendoset nga sektorët lokalë brenda kësaj kornize. Në fund të vitit 2017, qeveria qendrore kineze deklaroi që të gjitha taksat e mbrojtjes së mjedisit do të përfshihen në të ardhurat e pushtetit lokal.

Është parashikuar që shifra e të ardhurave nga taksa e mbrojtjes së mjedisit do të arrijë në 50 miliardë juanë në vit. Ato që do të ndikohen më shumë do të jenë kompanitë që lëshojnë gaze dhe lëngje ndotëse.

Mediat janë të mendimit që synimi thelbësor i kësaj takse është mbrojtja e mjedisit dhe ajo është vetëm një metodë për arritjen e këtij objektivi. Taksa ka si qëllim të vetin jo rritjen e të ardhurave fiskale, por që nëpërmjet saj kompanitë të pakësojnë lëshimin e lëndëve ndotëse. Kush lëshon më shumë, do të paguajë edhe një taksë më të madhe. Meqë është hequr pagesa për lëshimin e ndotjeve, kompanitë nuk do të kenë një ngarkesë të madhe shtesë.

Gazeta "Beijing News" komenton që ky ligj është një fillim pozitiv, por për zbatimin e tij duhen përmirësuar dhe detajuar dispozitat përkatëse në mënyrë profesionale. Kjo taksë shërben për të shfrytëzuar çdo juan të mundshëm për mbrojtjen e mjedisit dhe kyçi është garantimi nga buxheti.

Taksa e mbrojtjes së mjedisit ka zëvendësuar pagesën për lëshimin e ndotjeve, që është zbatuar për dhjetëra vjet. Megjithëse normat e tyre janë të përafërta, rëndësia e kësaj takse është e madhe. Pagesa për lëshimin e ndotjeve ka qenë një metodë administrative dhe procesi i mbledhjes së saj ishte i parregullt. Në disa krahina, kjo pagesë bëhej nga kompanitë sipas një mesatareje të përgjithshme, kurse në disa krahina të tjera, për të tërhequr më shumë investime, pushteti vendor përdorte fondet e veta për të paguar këtë tarifë në vend të kompanive që investonin.

Ndërsa, taksa për mbrojtjen e mjedisit është një lloj takse e përfshirë në sistemin ligjor të vendit. Ajo ka nivel më të lartë dhe zbatimi i saj bazohet në parimet ligjore. I gjithë procesi i zbatimit mbrohet dhe mbikëqyret me standarde të rrepta. Në të ardhmen nuk do të ketë më dukuri të parregullsisë si në kohën e pagesës për lëshimin e ndotjeve. Në të kaluarën, ishte përcaktuar që pagesa duhej të përdorej për mbrojtjen e mjedisit dhe kundër ndotjes, megjithatë fondi i krijuar prej saj në disa krahina të vendit nuk përdorej në mënyrë të qartë dhe të duhur. Prandaj, përcaktimi i taksës për mbrojtjen e mjedisit është një zgjidhje e përshtatshme ndaj këtyre problemeve.

Në fakt, para zbatimit të taksës së mbrojtjes së mjedisit, është sugjeruar që të ardhurat e kësaj takse të përfshihen në buxhetin e qeverisë, gjë që mund të shmangë përdorimin e parregullt të të ardhurave prej saj. Kjo taksë është një gjë e re dhe mosshpërdorimi i çdo juani të mbledhur prej saj është një mision i rëndësishëm. Analisti i gazetës "Beijing News", Yu Ping, mendon që kyçi për këtë është një sistem i rregullt dhe i përsosur.

"Procesi nuk është i ndërlikuar. Taksa e mbrojtjes së mjedisit përfshihet në buxhet. Është një gjë e mirë që të ardhurat dhe shpenzimet përkatëse të përfshihen në buxhet. Kjo në fakt qartëson se sa taksa janë mbledhur nga pushteti vendor dhe sa janë përdorur për mbrojtjen e mjedisit. Kjo duhet të jetë një listë e hollësishme dhe e qartë," u shpreh Yu Ping.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore