Kina synon prodhimin e automjeteve me energji të reja me cilësi më të lartë

2018-01-30 15:56:56 CRI Komenti juaj Printoni

Kohët e fundit u zhvillua në Pekin forumi për automjetet elektrike "China EV100 2018", ku ministri i Teknologjisë i Kinës Wan Gang bëri të ditur që në të ardhmen, Kina do të fokusohet tek motorët elektrikë dhe teknologjia smart, për të krijuar makina me energji të reja me cilësi më të lartë.

Në këtë forum morën pjesë mbi 1000 përfaqësues të qarqeve politike, akademike dhe të biznesit. Tema e këtij forumi ishte "Ndjekja e prirjes globale, realizimi i zhvillimit me cilësi të lartë". Ministri Wan Gang bëri të ditur që tani në Kinë është formuar një zinxhir i plotë i prodhimit të makinave me energji të reja dhe janë bërë përparime në studimin dhe prodhimin e pjesëve të këmbimit me teknologji kyçe. Krahas kësaj, është formuar edhe një sistem mbështetës politikash afatmesëm dhe afat gjatë, duke siguruar që ky sektor të ketë zhvillim të vrullshëm.

"Në vitin 2017, numri i automjeteve me energji të reja të shitura në mbarë botën ishte 1.42 milionë, ndërsa në Kinë shkoi në 777 mijë. Të gjithë janë optimistë që, në vitin 2018, kjo shifër do të arrijë në 1 milion," tha Wan Gang-u.

Tani në Kinë, makinat me energji të reja përballen me disa vështirësi, si kohëzgjatja e baterive, ndërtimi jo i balancuar i pikave të ngarkimit të baterive, sistemi jo i plotë i shërbimit, si edhe standardet e rregullat jo të përshtatshme.

Lidhur me këtë, Wan Gang-u u shpreh që në të ardhmen, Kina do të synojë drejt energjisë elektrike dhe teknologjisë smart dhe do t'u kushtojë më shumë rëndësi risive në teknologji, politikat përkatëse dhe mënyrën e zhvillimit, për të nxitur prodhimin e makinave me energji të reja me cilësi më të lartë. Ai mori si shembull risitë në fushën e politikave:

"Në fushën e taksave, është vendosur që në vitin 2020 të përfundojnë subvencionet për blerjen e makinave elektrike dhe të zgjatet taksa preferenciale e blerjes së këtyre makinave. Krahas kësaj, po formohen sistemi i pikëve dhe sistemi i shpërblimeve për automjetet që kursejnë energjinë, ndërsa në rinovimin e sistemit të tregtimit të karbonit dhe të modelit të biznesit, si dhe në shtimin e përdorimit të makinave me energji të reja, ende kërkohet mbështetje me politika. Me një fjalë, kemi bërë risi në politika dhe do të vazhdojmë ta ruajmë këtë ritëm."

Presidenti i kompanisë BYD, Wang Chuanfu, në fjalën e tij në forum parashikoi që në periudhën e passubvencionimit dhe me zbatimin e politikës së pikëve, makinat PEV, që janë makina elektrike që mund të ngarkohen nga një burim i jashtëm elektricteti, do të jenë opsioni kryesor për njerëzit në mbarë botën. Deri në vitin 2020, prodhimi i makinave elektrike dhe atyre PEV do të arrijë në 2 milionë në vit dhe vëllimi i përgjithshëm mund t'i kalojë 5 milionët.

"Transporti urban me energji elektrike tani është bërë unanim në sektorin tonë. 32 qytete në mbarë vendin kanë shpallur planet e transportit urban me energji elektrike. Shenzhen-i është bërë qyteti i parë në botë krejtësisht me autobusa elektrikë. Për sa u përket taksive, në vitin 2016, Taiyuan-i u bë qyteti i parë në botë ku të gjitha taksitë janë elektrike. Parashikojmë që në vitin 2020, të gjitha taksitë do të përdorin energjinë elektrike. Makinat e posaçme elektrike do të futen në përdorim së pari në sektorin e logjistikës. Pastaj do të përdoren për pastrimin e rrugëve dhe mbartjen e plehrave. Parashikohet që në 2025, makinat e posaçme elektrike do të mbizotërojnë në rrugët qytetëse," thotë Wang Chuanfu, presidenti i kompanisë BYD.

Sekretari i përgjithshëm i forumit "China EV100", Chen Qingtai, parashikon që në të ardhmen, makina do të jetë njësia bazë e transportit inteligjent dhe e qytetit inteligjent, dhe do të bëhet nyjë e energjisë së gjelbër, rrjetit të gjelbër elektrik, udhëtimit dhe telekomunikacionit, duke nxitur lindjen e shumë sektorëve dhe modeleve të reja. Ai propozon që qeveria duhet të hartojë afate për të orientuar shoqërinë dhe tregun.

"Parashikohet që në vitin 2030, vëllimi i prodhimit dhe i shitjes së makinave elektrike në Kinë do të arrijë mbi 15 milionë njësi dhe do të përhapen automjetet me vetëdrejtim të niveleve të ndryshme. Numri i makinave elektrike në qarkullim do të jetë 80 milionë. Për realizimin e këtij objektivi, duhet rregullimi i strukturës së energjisë, ndërtimi i rrjetit energjetik, përmirësimi i infrastrukturës, mbështetja e teknologjisë së telekomunikacionit, rregullimi i zinxhirit të prodhimit, transferimi i vendeve të punës dhe përmirësimi i rregullave ligjore. Ky mund të themi që është një revolucion i madh. Çdo sektor i vogël është një projekt gjigand afatgjatë dhe që ndikon në mbarë shoqërinë tonë. Për këtë arsye, qeveria duhet të marrë masa paraprake, të hartojë një plan të përshtatshëm dhe të nxitë zhvillimin e rregullt," thotë Chen Qingtai.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore