Kinë, investimet për trenat e shpejtë do të vazhdojnë edhe në 2018-n

2018-01-16 16:26:27 CRI Komenti juaj Printoni

Në fillim të vitit 2018, Korporata Hekurudhore e Kinës zhvilloi një mbledhje pune, ku kryemenaxheri i saj Lu Dongfu vuri në dukje se vitin e kaluar, investimet e Kinës në pasuritë fikse hekurudhore kanë arritur në 801 miliardë juanë dhe janë vënë në përdorim 3038 km linja të reja. Ai bëri të ditur që sivjet, Kina do të investojë për ndërtimin e 3500 kilometrave linja të reja të trenit të shpejtë.

Në fund të vitit 2017, u vu në përdorim linja e shpejtë hekurudhore nga Shijiazhuang-u i Kinës Veriore për në Jinan të Kinës Lindore, çka shënon që rrjeti i hekurudhave të shpejtësisë së madhe në Kinë i quajtur "katër vertikale dhe katër horizontale" ka hyrë në fazën e re dhe të "katër linjat horizontale" janë vënë në përdorim. Një nga pasagjerët që udhëtuan me trenin e parë të shpejtë Shijianzhuang-Jinan u shpreh që me këtë linjë të shpejtë hekurudhore, udhëtimi mes dy qyteteve është shkurtuar në mënyrë të dukshme:

"Është më e shpejtë dhe më e rehatshme se më parë dhe koha e udhëtimit është përgjysmuar".

Vjet Korporata Hekurudhore e Kinës ka bërë 801 miliardë juanë investime në pasuritë fikse dhe janë vënë në shfrytëzim linjat Baoji-Lanzhou, Xian-Chengdu dhe Shijazhuang-Jinan me një gjatësi të përgjithshme 3038 kilometra. Ndërkohë, inovacioni në sektorin e teknologjisë hekurudhore në Kinë është futur në një fazë të re. Kryemenaxheri i Korporatës Hekurudhore të Kinës Lu Dongfu bën të ditur:

"Është përmirësuar më tej sistemi i përgjithshëm në tre fusha, si ndërtimi i hekurudhave të shpejtësisë të madhe, prodhimi i pajisjeve përkatëse dhe menaxhimi, duke arritur në nivelin më të përparuar botëror. Treni i standardizuar kinez 'Fuxing' ka arritur shpejtësinë 350 kilometra në orë, duke vendosur një shembull të ri për ndërtimin dhe menaxhimin e trenave të shpejtë nga vendet e ndryshme të botës. Janë zgjidhur vështirësitë e ndërtimit në terren të ndërlikuar, duke u vënë në përdorim linjat Lanzhou-Chongqing dhe Xian-Chengdu, duke arritur një përparim historik në 'rrugën e vështirë të Sichuan-it'."

Krahas kësaj, vitin e kaluar, në linjat hekurudhore të Kinës janë bërë 3.39 miliardë udhëtime individuale dhe janë transportuar 2.918 miliardë tonë mallra, me një rritje përkatësisht 9.6 % e 10.1 % në krahasim me vitin 2016. I gjithë transporti është kryer në mënyrë të sigurt dhe të qëndrueshme dhe në mbarë vitin nuk ka pasur asnjë aksident me vdekje udhëtarësh.

Lu Dongfu u shpreh gjithashtu se këtë vit Kina do të ngrejë më tej cilësinë e efektivitetin e ndërtimit të hekurudhave dhe do t'i kushtojë më shumë rëndësi sigurisë:

"Për pasuritë fikse hekurudhore të vendit janë planifikuar 732 miliardë juanë, nga të cilat 702 miliardë për ndërtimin e linjave hekurudhore. Do të vihen në përdorim 4000 kilometra linja të reja hekurudhore, 3500 kilometra ndër të cilat për trenat e shpejtë," thotë Lu Dongfu.

Në vitin 2018 do të ketë një shfrytëzim më të mirë të rrjetit hekurudhor me shpejtësi të madhe në Kinë, do të përmirësohet planet e udhëtimit të udhëtarëve dhe të zgjerohen shërbimet e trenit të tipit "Fuxing" në më shumë krahina. Ndërkohë, do të përmirësohet niveli i shërbimit në transportin hekurudhor, do të zgjerohet sistemi i shitjes së biletave në internet, do të eksperimentohet paraporositja e biletave dhe do të nxitet përdorimi i biletave elektronike.

Në mbledhjen e punës të Korporatës Hekurudhore të Kinës u diskutua edhe mbi modernizimin e hekurudhave në Kinë. Lu Dongfu thotë që deri në vitin 2020, Kina do të zërë vendet e para në botë për sa u përket përmasave dhe cilësisë së rrjetit hekurudhor.

"Deri në vitin 2020, do të formohet në përgjithësi rrjeti hekurudhor dhe rrjeti i trenit të shpejtë me shpërndarje të arsyeshme, mbulim të gjerë, efektivitet të lartë dhe funksione të plota moderne. Krahas kësaj, ai do të lidhet në mënyrë të arsyeshme ose do të integrohet thellësisht me mënyrat e tjera të transportit. Gjatësia e përgjithshme e hekurudhave të vendit do të arrijë në rreth 150 mijë kilometra dhe ato do të mbulojnë në përgjithësi qytetet me popullsi prej mbi 200 mijë banorësh. Gjatësia e linjave të shpejta do të jetë afro 30 mijë kilometra dhe gjatësia e hekurudhave në krahinat qendrore dhe perëndimore do të jetë 112 mijë kilometra," thotë Lu Dongfu, kryemenaxheri i Korporatës Hekurudhore të Kinës.

Sipas planit, në vitin 2020, Kina do të ketë sistem më të pjekur dhe më të përparuar të teknologjive hekurudhore. Deri në vitin 2025, gjatësia e rrjetit hekurudhor e Kinës do të arrijë 175 mijë km, 38 mijë nga të cilat me shpejtësi të madhe.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore