Tong Jinquan-i, magnati i pasurive të patundshme që ka shkollën nga varfëria

2018-01-16 16:21:12 CRI Komenti juaj Printoni

Kryetari i Grupit kinez të pasurive të patundshme "Summit", Tong Jinquan-i, është pjesë e atyre sipërmarrësve të suksesshëm që quhen "shkollëlënës", sepse e kanë ndërprerë arsimimin e tyre. E ndonëse Tong e ka bërë një gjë të tillë shumë herët, për shkak të varfërisë së familjes, sipërmarrja e krijuar prej tij në vitin 1992 është bërë tashmë një biznes me vlerë disa miliarda dollarë, falë edhe viteve të zhvillimit të sektorit të pasurive të patundshme në Kinë. Megjithëse miliarder, Tong Jinquan-i nuk e ka harruar të shkuarën e tij, duke mbajtur përgjegjësinë e vet shoqërore, sigurisht në fusha në tilla si lufta ndaj varfësisë dhe mbështetja për arsimin.

Tong Jinquan-i ka lindur në Shaoxing të provincës Zhejiang të Kinës Lindore në vitin 1954. Ai ishte i shtati ndër nëntë fëmijët e familjes. Prindërit e tij kishin një dyqan ushqimor, por që ishte i pamjaftueshëm për të mbajtur familjen e madhe të tyre, kështu që, pas klasës së pestë Tong Jinquan-i e la shkollën dhe filloi të punonte. Në fillim ai nisi të merrej me thurjen e shportave, ndërsa më pas gjeti punë në një bletari. Në vitin 1975, kur ishte 21-vjeçar, ai filloi të punonte në një fabrikë të prodhimit të pajisjeve të pingpongut në Qidong. Pa kaluar shumë, falë punës së vet i riu arriti të bëhej përgjegjës ndërrese, ndërsa në vitin 1983 u bë menaxher i përgjithshëm në një tjetër kompani të prodhimit të artikujve sportivë. Pas afro një dhjetëvjeçari, pikërisht në vitin 1992, Tong Jinquan-i vendosi se kishte ardhur koha të niste biznesin e tij privat, duke krijuar në Shangai kompaninë e ndërtimit "Summit", që sot është kthyer në Grupin "Summit".

Ishte koha e duhur. Pas pak kohe tregu i pasurive të patundshme i Shangait, por edhe i mbarë Kinës, do të njihte zhvillim të vrullshëm. E po kështu edhe zhvillimi i kompanisë "Summit" të Tong Jinquan-it do të ishte mjaft i shpejtë. "Summit"-i ka ndërtuar disa prej qendrave tregtare, godinave të zyrave, hoteleve dhe komplekseve të banimit më të njohura në Shangai. Më tej Tong Jinquan-i e zgjeroi biznesin e vet edhe në qytete të tjera të Kinës, si Shenyang-u, kryeqendra e provincës Liaoning në verilindje të vendit, si edhe Anshan-i, po në këtë provincë. Por edhe më i spikatur ka qenë investimi nga "Summit" i më shumë se 1 miliard dollarëve për ndërtimin e një qendre gjigante tregtare në kryeqendrën e provincës Sichuan të Kinës Jugperëndimore, Chengdu.

Me gjithë suksesin e sipërmarrjes së tij dhe pasurinë e vet të madhe që tani vlerësohet në 2.3 miliardë dollarë, teksa disa vjet më parë kapte edhe dyfishin e kësaj shifre, Tong Jinquan-i e ka mbajtur "Summit"-in një kompani krejtësisht private, duke mos e regjistruar kështu në bursë. Megjithatë, vetë "Summit"-i ka blerë aksione të konsiderueshme në tre prej të ashtuquajturave "truste investimesh të pasurive të patundshme" në Singapor. Përfshirja e 64-vjeçarit në kompani të regjistruara në bursë është cilësuar si hapje e një faqeje të re në karrierën e tij profesionale.

Nëse e pyet Tong Jinquan-in për arsyen e suksesit të tij, ai të përgjigjet se në njëfarë mënyre është e shkuara e tij. Për t'i bërë homazh kësaj të shkuare, në shumë prej objekteve që ndërton kompania e tij ka salla pingpongu, për të kujtuar kohën kur ai vetë punonte në fabrikën e prodhimit të pajisjeve të pingpongut. Por më shumë se kaq, ndikimi i së shkuarës te Tong Jinquan-i është në formën e këshillave të të atit. "Kur isha i vogël babai më mësonte të punoja shumë, por gjithmonë të kisha një ndjenjë përunjësie", është shprehur Tong Jinquan-i në një prej intervistave të pakta për shtypin, shenjë edhe kjo e thjeshtësisë dhe e faktit që ai do t'i qëndrojë larg bujës.

"Duke qenë se kam vetëm pesë vjet shkollë, unë jam një njeri shumë i thjeshtë dhe me nevoja modeste. Në të vërtetë, mendoj se rritja dhe edukimi im me thjeshtësi dhe disiplinë më ka ndihmuar në biznes, sepse kur gjërat bëhen të ndërlikuara ose të vështira, gjithmonë kërkoj zgjidhjen më të thjeshtë dhe rrugën më të shkurtër. Kështu, gjërat e gjejnë vetë mënyrën për t'u rregulluar dhe për të funksionuar," ka thënë Tong-u.

E shkuara e tij në varfëri, prej së cilës u detyrua të lërë shkollën, kanë bërë që Tong Jinquan të jetë një sipërmarrës i përfshirë në bamirësi. Sigurisht çështja që Tong Jinquan-i ka më për zemër është ndihma ndaj të varfërve, veçanërisht ndaj nxënësve nga familje në nevojë. Ai ka marrë "Çmimin e Bamirësisë" në vitin 2005 për ndihmesën e dhënë në Projektin "Baiyulan Wenbao", i cili siguroi mbështetje për zhvillimin dhe arsimin në fshatrat e varfra në provincën Yunnan të Kinës. Ndonëse ndërprerja e arsimimit nuk e pengoi Tong Jinquan-in të bëhet ai emër i madh i sektorit kinez të pasurive të patundshme që është sot, ëndrra e tij është që asnjë nxënës në Kinë të mos detyrohet ta lërë shkollën për shkak të varfërisë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore