Chen Ailian-i, nga traktori te "Rolls Royce"

2018-01-09 16:19:25 CRI Komenti juaj Printoni

Në vitet '70 të shekullit të kaluar traktorët ishin diçka relativisht e rrallë në fushat e Kinës dhe të ngisje një prej tyre shihej si një punë prestigjioze. Chen Ailian-i ishte një nga femrat e pakta që patën mundësi ta bënin një gjë të tillë, duke qenë një ndër traktoristet e rralla në Kinë. Kurse tani ajo drejton kompaninë më të madhe prodhuese të rrotave të automjeteve prej aliazhi alumini në Azi, e cila gjithashtu është zgjeruar edhe në industrinë e robotikës e të aviacionit. Sot në vend të traktorit Chen Ailian-i nget një "Rolls Royce". E megjithatë, ajo nuk lë pas dore detyrimet shoqërore e ndihmën ndaj njerëzve të varfër, ashtu siç ka qenë dikur edhe vetë, duke qenë tashmë një sipërmarrëse e njohur edhe për bamirësinë e saj.

Kryetarja e bordit e Grupit të Automjeteve "Wanfeng", Chen Ailian-i, ka lindur në vitin 1958 në komunën Xinchang të provincës kineze Zhejiang. Ajo ishte një nga pesë vajzat e familjes. Që në moshë të re Chen-i filloi të punonte në bujqësi, dhe natyra e saj tepër konkurruese bëri që pas disa kohësh të bënte një punë që vlerësohej si punë burrash, pikërisht si traktoriste. Në moshën 20-vjeçare Chen Ailian-i filloi punë në administratën e komunës, kurse më pas në një fabrikë shtetërore. Në vitin 1983 Chen Ailian-i takoi bashkëshortin e vet të ardhshëm, Wu Liangding-un, që në atë kohë ishte drejtori i një kompanie shtetërore të prodhimit të tekstileve. Në vitin 1994 ata huajtën 500 mijë juanë (77 mijë dollarë amerikanë me kursin e sotëm) dhe morën me qira një fabrikë të vjetër e të braktisur, që do të ishte pararendësja e atij që është sot Grupi i Automjeteve "Wanfeng".

Chen Ailian-i dhe Wu Liangding-u vendosën që të merren me prodhimin e rrotave prej aliazhi alumini. Në atë kohë Kina po fillonte kalimin nga "mbretëria e biçikletave" në një vend ku filluan të përdoren gjerësisht motoçikletat. "Wanfeng" ishte një nga afro 100 kompanitë fillestare që filluan të merreshin me prodhimin e rrotave ose të pjesëve të tjera për motoçikletat. Chen Ailian-i vendosi që ta përqendrojë kompaninë e vet në marrjen e porosive në vlera e sasi të mëdha. Një strategji si kjo kërkonte përkushtimin ndaj cilësisë dhe Chen Ailian-i ishte gjithnjë në kërkim të përmirësimit të pandërprerë. Thuhet se pikërisht për këtë qëllim Chen Ailian-i zbërtheu një motoçikletë që motoçiklisti i njohur nga Hong-Kongu Charles Ng i dha asaj si një dhuratë për ditëlindje.

Dhe përpjekjet e Chen-it dhanë fryte. "Wanfeng"-u filloi të siguronte kontrata nga ndërmarrje të mëdha shtetërore kineze, ndërsa duke filluar që nga viti 2007, biznesi i kompanisë u zgjerua edhe në Europë, ShBA e Japoni. "Wanfeng"-u ka krijuar tashmë partneritet me kompani të tilla të njohura si "Toyota", "Yamaha", BMW, "Ford", GM etj. Ajo ka baza prodhimi dhe qendra kërkim-zhvillimi në 12 vende të botës, duke përfshirë ShBA-në, Kanadanë, Britaninë e Madhe, Indinë, Meksikën etj., dhe duke arritur që e quan si "pesë ndërkombëtarizimet": ndërkombëtarizimin e kapitalit, menaxhimit, shkencës e teknologjisë, markës e talenteve.

Në vitet e fundit, "Wanfeng"-u është përfshirë në industrinë e robotikës dhe të aviacionit, si edhe në investimet financiare. Vlera e tregut e kompanisë arrin tashmë në 5.6 miliardë dollarë. Ndërkohë, pasuria e Chen Ailian-it dhe e familjes së saj vlerësohet në rreth 2 miliardë dollarë.

Chen Ailian-i i kushton një rëndësi të madhe mbajtjes së përgjegjësisë shoqërore nga kompania e saj dhe është po ashtu edhe vetë një prej bamirëseve më të njohura në Kinë. Ndërsa kontribuon për zhvillimin e industrisë së automjeteve në Kinë, "Wanfeng"-u jep një mbështetje të madhe edhe në luftën ndaj varfërisë, për arsimin, kulturën, sportin etj. Kompania ka dhënë fonde për ndërtimin e të ashtuquajturave shkolla "Shpresë" për arsimimin e nxënësve nga familje në nevojë, ka krijuar fonde bamirësie, si edhe ka vendosur partneritet me fshatrat në zona të varfra për të nxitur zhvillimin e tyre.

Ndërkohë, vetë znj. Chen Ailian, përveç dhurimeve në raste fatkeqësish, ka krijuar individualisht Fondin për Zhvillimin e Fshatit në provincën e saj të lindjes Zhejiang. Çdo vit ky fond bën dhurime për fëmijët parashkollorë, nxënësit e studentët, çiftet e sapomartuara, të moshuarit etj. në zonat rurale të Zhejiang-ut. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore