Dogana e Zhengzhou-t ofron "projektin kinez" për biznesin elektronik ndërkombëtar

2018-01-09 16:21:52 CRI Komenti juaj Printoni

Zhengzhou është një qytet me histori të gjatë tregtare. Tani, në këtë qytet të Kinës Qendrore, është shfaqur slogani: "Blerje nga mbarë bota, shitje për mbarë botën". Mallrat e ndryshme, si makinat, produktet kozmetike, qumështi pluhur, pajisjet elektronike, veshjet, lodrat dhe bizhuteritë transportohen çdo ditë me rrjetet hekurudhore, rrugore dhe ajrore të këtij qyteti. Këtu, i ashtuquajturi "doganim i çastit" është bërë një dukuri e zakonshme, falë doganës së Zhengzhou-t, e cila me efikasitet shumë të lartë mund të trajtojë 5 milionë dërgesa në ditë, duke ofruar edhe "projektin kinez" për biznesin elektronik ndërkombëtar. Zhengzhou është një nyjë transporti në Kinë dhe çdo ndryshim dhe inovacion i vogël aty sjell dobi dhe lehtësi konkrete për kompanitë e klientët ndërkombëtarë.

Një kompani në Tianjin ka blerë disa mallra nga Europa dhe treni i rregullt Kinë-Europë i nisur nga Hamburgu, sapo ka mbërritur në Zhengzhou. Peshat e këtyre mallrave janë të ndryshme nga ato të shënuara në listën e doganimit. Këtë problem e zgjidhi shpejt punonjësi i kësaj kompanie Pi Changming, në pikën e kontrollit doganor të stacionit hekurudhor të Zhengzhou-t. Kompania e tij prej dy vjetësh ka përdorur linjën e rregullt hekurudhore Kinë-Europë. Transporti i shpejtë dhe shërbimi efikas doganor i kanë lënë Pi Changming-ut përshtypje të thellë.

"Është shumë e volitshme dhe shumë serioze. Kemi mësuar shumë nga procesi i deklarimit doganor. I ndiejmë ndryshimet nga e kaluara, sepse tani dogana i sheh gjërat nga këndvështrimi i kompanive," thekson Pi.

Në fakt, ndryshimet janë më të mëdha se kaq. Tani, me kthimin e Zhengzhou-t në nyjë të transportit ajror dhe zhvillimin e biznesit elektronik ndërkufitar, nëpërmjet Zhengzhou-t bëjnë transportimin dhe doganimin jo vetëm kompanitë nga provincat bregdetare të Kinës, por edhe ato nga zonat e tjera. Kështu, punët e doganës së Zhengzhou-t janë rritur dhe kanë pasur ndryshim të pandërprerë. Drejtori i kësaj dogane Sun Yuning thotë:  

"Dogana është një institucion që zbaton politikat e vendit. Ne do të përmirësojmë pandërprerë procesin tonë të punës dhe do të rinovojmë modelin e metodat që ndjekim, për t'iu përshtatur zhvillimit ekonomik. Kjo është një detyrë e rëndësishme e doganës."

Treni i rregullt Kinë-Europë nga Zhengzhou për në Hamburg bën 14 udhëtime në javë. Dogana e Zhengzhou-t ka garantuar që koha e transportit të shpejtohet nëpërmjet thjeshtimit të procedurave dhe modelit të "punës pa letër". Shefja e zyrës së doganës në Stacionin Hekurudhor Lindor të Zhengzhou-t, Wu Yanyan, thotë:

"Treni i rregullt Kinë-Europë udhëton drejtpërdrejt dhe nuk bën ndalesa. Ka vetëm procedura zhdoganimi. Kështu, mund të kursehen së paku 3-5 ditë. Koha e transportit është shkurtuar në 11-12 ditë, nga 18-19 ditë që ishte më parë. Shpejtësia e zhdoganimit përcaktohet nga shumë faktorë dhe ne të gjithë po kërkojmë një model më efikas."

Globalizimi dhe informatizimi kanë nxitur zhvillimin e biznesit elektronik ndërkombëtar. Në vitin 2016, vëllimi i këtij biznesi arriti në 6.7 trilionë juanë dhe pritet të shënojë vlerën 7.5 trilionë juanë sivjet. Kështu, modeli tradicional nuk mund të përshtatet me modelin e ri të tregtisë dhe doganat e vendeve të ndryshme përballojnë një sërë problemesh, si cilësia e pasigurt e mallrave, fragmentarizimi i tregtisë ndërkombëtare dhe evazioni fiskal.

Po këto probleme, si deklarimi doganor, pagimi i taksave e garantimi i cilësisë, janë zgjidhur nga dogana e Zhengzhou-t. Drejtori i saj Sun Yuning shprehet:

"Modeli i vënies për ruajtje të mallit në doganë i ka zgjidhur mirë problemet, sepse transporti bëhet me listën e mallrave dhe mbikëqyret sipas listës. Kështu që mund të gjendet kompania nëse mallrat kanë probleme në cilësi. Taksimi bëhet kur mallrat dalin nga dogana. Më përpara, ky proces bëhej pa mbikëqyrje, kurse tani është i integruar dhe kryhet i tëri në zonën e posaçme të kontrollit të doganës. Me këtë model, nuk ka evazion fiskal. Tatimi doganor është një problem i vështirë në mbarë botën, ndërsa në Zhengzhou është gjetur një zgjidhje. Mund ta quajmë 'projektin e Kinës'", thotë Sun Yuning, drejtori i doganës së Zhengzhou-t.

Krahas transportit tokësor, Zhengzhou lidhet me pjesë e tjera të botës edhe nëpërmjet transportit ajror. Tani linja ajrore të tilla quhen dhe si "Rruga ajrore e Mëndafshit". Kryeministri i Luksemburgut, Xavier Bettel, është shumë krenar për hapjen e linjës ajrore të transportit të mallrave mes Zhengzhou-t dhe vendit të tij.

"Është nder për mua që puna ime e parë si kryeministër është realizimi i bashkëpunimit mes kompanisë së transportit ajror të Henanit dhe asaj të Luksemburgut. Në fillim kishte 2-4 fluturime në javë dhe tani në një javë kemi 15 fluturime mes Zhengzhou-t dhe Luksemburgut," thotë kryeministri luksemburgas Xavier Bettel.

Krahas faktorëve të tjerë, edhe reforma në doganën e Zhengzhou-t ka mbështetur shumë zhvillimin ekonomik e tregtar të këtij qyteti. Drejtori i doganës së Zhengzhou-t Sun Yuning shprehet:

"Në sektorët e rinj nuk mund të përdorim konceptet tradicionale, metodat e vjetra dhe modelet e mëparshme. Tani detyra kryesore e doganës është mbikëqyrja. Me mbikëqyrje efikase, do të mundësohet optimizimi i rinovimit të sistemit, modeleve dhe metodave, për t'i shërbyer zhvillimit ekonomik të qytetit".

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore