Mimoza Shuli, nga prodhimi i ... bakllavasë te hoteleri-turizmi

2018-01-02 16:36:08 CRI Komenti juaj Printoni

Sipërmarrësja e hotelit "Perla" në Pogradec Mimoza Shuli, filloi në vitin 1994 një biznes të vogël të prodhimit të ëmbëlsirave, kryesisht të bakllavasë, për ta kthyer brenda pak viteve në një biznes të madh hoteleri-turizmi. Si anëtare e Shoqatës së Grave Biznesmene të Shqipërisë dhe nënkryetare e degës së Shoqatës Shqiptare të Turizmit për qarkun e Korçës, znj. Shuli jep kontributin e saj për përfshirjen e grave në biznes dhe për zhvillimin e turizmit në qytetin e saj, që shtrihet buzë njërit prej liqeneve më të bukur të Europës.

"Puna ime nis në vitet '90, ku veç ëndrrave dhe aspiratave, nuk mund ta mendonim se ç'do të ndodhte më pas," thotë sipërmarrësja pogradecare Mimoza Shuli. Vështirësitë shtoheshin edhe nga mungesa e njohurive për funksionimin e ekonomisë së tregut, që sapo ishte krijuar asokohe në Shqipëri.

Pas përfundimit të shkollës së mesme ekonomike, Mimoza nuk ndoqi dot studimet e larta, pasi, si fëmija më e madhe, duhej t'i vinte në ndihmë familjes. Dhe kështu ajo filloi punë si llogaritare në Ndërmarrjen Tregtare në Pogradec. Në vitin 1992, kur në Shqipëri ndodhi i ashtuquajturi "ndërrim i sistemeve", znj. Mimoza përfitoi nga privatizimi një dyqan 22 metra katrorë në qendër të Pogradecit, por fillimisht, për shkak edhe të mungesës së përvojës, nuk dinte se ç'të bënte me të. "Nuk dinim nga ta fillonim dhe çfarë ta bënim atë dyqan," rrëfen ajo. "Nuk na dilnin as paratë për ta rinovuar, sepse jetonim edhe me qira."

Por më në fund Mimoza e pati një ide se çfarë biznesi mund të niste:

"Gjëja që bëja më mirë, ishte gatimi dhe tëhollja e petëve, ndaj vendosa të hapja një ëmbëltore të vogël dhe ta filloja me byrekët dhe ëmbëlsirat, sidomos me bakllavanë".

Dhe kështu, Mimoza Shuli me një kredi të vogël nga banka, e nisi këtë biznes. Por përsëri paratë ishin problem. "Edhe banakun që porosita, nuk shkova ta merrja, sepse nuk kisha para me se ta paguaja. Pas rreth dy javësh, ustai që e kishte prodhuar, erdhi e solli vetë, duke më ndihmuar në njëfarë mënyre," kujton Mimoza.

Por kishte edhe një problem tjetër. Ajo nuk ishte kuzhiniere a pastiçere profesioniste. Sidoqoftë, siç rrëfen vetë znj. Mimoza: "Ditë pas dite u bëra specialiste e bakllavasë dhe arrita sukses, sepse, nëse në fillim e shisja bakllavanë vetëm në ëmbëltoren time, më pas ajo mori emër në qytet dhe porositë vinin pa reshtur për festa, dasma, dhurata."

Vit pas viti, fitimet nga biznesi i vogël i ëmbëlsirave, sidomos shitja e bakllavasë, u rritën aq sa për të realizuar ëndrrën e Mimozës: të kishte një shtëpi buzë liqenit. Dhe kështu ajo dhe i shoqi blenë një copë truall pranë liqenit, por, kur deshi të ngrinte aty shtëpinë e ëndrrave të saj, shumë miq e këshilluan Mimozën ta kthente në hotel. Kjo ide i pëlqeu dhe kështu lindi hotel "Perla", me 22 dhoma komode, të cilin ajo ka si qëllimin ta bëjë hotel me 5 yje.

 

Hotel "Perla" ka ardhur duke i shtuar klientët e vet dhe prej vitesh bashkëpunon me agjenci turistike, që sjellin grupe turistësh të huaj nga vende të ndryshme europiane. "Mundohem t'i kënaq edhe me paketën time turistike, ku përfshihen vizita në vendet e njohura të zonës", shprehet Mimoza. Ajo ofron paketën me ushqime tradicionale, sipas festave të shumta që bëhen në Pogradec. "Gatimin tradicional e quaj sukses për turizmin," tregon Mimoza Shuli, që u ofron klientëve të hotelit të saj vetëm gatime me produkte organike të zonës.

Shtimin e numrit të klientëve në hotelin "Perla" biznesmenia e lidh edhe me shërbimin, teksa shprehet se turizmi në Pogradec, përveçse si mënyrë jetese, po zgjerohet si kërkesë që mbështetet te tradita e hershme që sjell liqeni, klima, gatimet dhe festat e ndryshme popullore, që po masivizohen nga viti në vit.

"Turistët janë shumë të interesuar të blejnë produkte tradicionale të Pogradecit, ku tradita është shumë e pasur", thekson Mimoza. Ajo është nismëtare e krijimit të Shoqatës së Grave Artizane në Pogradec. Aty Mimoza ka përfshirë gra të papuna nga qyteti dhe zonat rurale, dikur në kushte të vështira ekonomike, që sot bëjnë punime artizanale të traditës së zonës. "E çela shoqatën, pasi këtu 70 % e grave dhe vajzave janë të papuna dhe punimet e tyre të dorës janë mundësi për të rritur të ardhurat. Punova me shumë prej tyre që të mësonin si të ngrinin bizneset", vëren Mimoza.

Ajo beson se gruaja është shpesh më e suksesshme se burri në biznes. "Me këtë besim, sot i nxis unë gratë të nisin një biznes familjar, nesër do të jenë ato vetë që do të rrisin bizneset e tyre", thotë me bindje Mimoza.

Në tetor 2010 Mimoza Shuli u certifikua nga Komisioni Europian në Bruksel si "Ambasadore biznesi" për Shqipërinë.

Po që nga viti 2010, ajo punon edhe si specialiste në shoqërinë e kursim-kreditit "Voloreka", ku përparësi për mikrokredi u jep grave që duan të hapin biznese të reja.

Çdo ditë është shumë e ngarkuar për Mimoza Shulin, që arriti me shumë sakrifica të realizojë edhe ëndrrën e rinisë për të përfunduar studimet e larta. Megjithatë, ajo shprehet: "Nuk them se nuk lodhem, por kur shikoj se kam bërë diçka të mirë për vete, familjen, njerëzit në nevojë, kënaqësinë e kam të madhe, sa nuk e ndiej lodhjen".

Mimoza Shuli është një sipërmarrëse e përkushtuar edhe ndaj çështjes së bamirësisë. Ajo ndihmon njerëzit në nevojë të qytetit me një pjesë të të ardhurave të saj nga biznesi, ndërsa shpërndan shpesh edhe pako me ndihma për ta. "Ndjek parimin: bëj për të tjerët atë që do të doje të bënin ata për ty", shprehet Mimoza. Ajo thotë se, nëse shtohen ata që mendojnë për njerëzit që kanë nevojë për ndihmë, shoqëria do të bëhet më e mirë.

Në dhjetor 2012, Mimoza Shuli u vlerësua nga "Partners Albania" me "Çmimin e filantropisë", për kontributin e dhënë në promovimin e biznesit artizanal vendor të zhvilluar nga gra në nevojë në qytetin e Pogradecit, punësimin dhe përmirësimin e situatës ekonomike të familjeve të tyre dhe për mbështetjen e vazhdueshme financiare të grupeve të tjera në nevojë.

Megjithëse tashmë prej vitesh biznesmenë e suksesshme me fokus te hoteleri-turizmi, Mimoza Shuli asnjëherë nuk ka hequr dorë nga ajo me të cilën e filloi gjithçka: gatimi i bakllavasë. "Nuk del njeri nga bar-restorant 'Perla' pa provuar bakllavanë time. Prej vitesh vazhdoj të bëj vetë çdo ditë bakllava me petë të holla dhe me formulën time sekrete, që dallon te shija", thotë duke qeshur biznesmenia pogradecare.

Mrekulli
Lajmet Kryesore