Kinë, "Voice valley" zhvillon teknologjinë moderne

2017-12-26 15:41:32 CRI Komenti juaj Printoni

Inteligjenca artificiale është një degë e shkencave kompjuterike. Që prej viteve '70 të shekullit XX ajo është konsideruar si një nga tre teknologjitë më të larta të botës. Pas vitesh zhvillimi dhe mbledhjes së përvojës, ky sektor ka realizuar një kapërcim të madh nga identifikimi i sendeve konkrete te personalizimi sipas rrethanave. Në qytetin Hefei të Kinës Lindore është krijuar një zonë e teknologjisë së lartë që njihet si "Voice Valley" ("Lugina e zërit"), që ka tërhequr kompanitë e inteligjencës artificiale. Këto kompani i kanë shfrytëzuar teknologjitë e krijuara prej vetë atyre në sektorët e ndryshëm, duke përmirësuar cilësinë e jetës dhe produktivitetin e ndërmarrjeve.

Një ndër kompanitë në "Voice Valley" është edhe IFLYTEK, e cila ka prodhuar një softuer të identifikimit inteligjent të zërit që intalohet në smartfona. Për këtë produkt modern që përdoret gjerësisht në Kinë, zv.presidenti i kompanisë Zhang Youguo shprehet:

"Këtu kemi thënë një paragraf, i cili shndërrohet menjëherë në fjalë. Ky është identifikimi. Ndërkohë, ai është përkthyer nga kinezishtja në anglishte dhe lexohet me anglishte. Ky është përpunimi. I gjithë procesi ynë i identifikimit, përkthimit dhe përpunimit është më i miri në mbarë botën."

IFLYTEK-u është një kompani e regjistruar në bursë, e cila merret me zërin inteligjent, studimin e teknologjisë së gjuhëve, kërkimet për softuerët dhe mikroprocesorët, shërbimin e informacionit të zërit dhe sistemin elektronik për çështjet qeveritare. Kjo kompani zë mbi 70% të tregut kinez në teknologjinë e zërit, duke zotëruar nivelin më të lartë të teknologjive të zërit në botë.

"Makina duhet të ketë funksionin e të kuptuarit. P. sh., kur thua 'A do të jetë ftohtë nesër në Hefei?', makina duhet ta kuptojë si parashikimin e motit. Nëse bëhen pyetje të ligjërimit bisedimor, makina duhet të kapë kuptimin e tyre të vërtetë. Ky quhet të kuptuar i gjuhëve natyrore. Inteligjenca artificiale ka tre elemente thelbësore: të dhënat e mëdha, ekspertiza në këtë sektor dhe logaritmi bazë. Kemi efekte kaq të mira në identifikimin e zërit, sepse kemi mbledhur shumë përdorues dhe e kemi shfrytëzuar këtë bazë përdoruesish në mënyrë të vazhdueshme. Kështu, makina mund të mësojë e të përmirësohet pandërprerë dhe përdorimi i kësaj teknologjie mund të jetë më i mirë."

Krahas kësaj, kompania IFLYTEK ka përdorur teknologjinë e saj edhe në arsim e mjekësi. Zakonisht kur pacientët bëjnë skaner në spital, mjekët harxhojnë shumë kohë për të bërë diagnostimin e saktë ndër qindra fotografi. Ndërsa me sistemin e diagnostimit ndihmës të krijuar nga IFLYTEK, dignostimi fillestar bëhet automatikisht dhe kjo ka shtuar shumë efektivitetin e punës së mjekëve, duke i pakësuar gabimet e tyre.

Në "Voice Valley" ka edhe shumë kompani si IFLYTEK. Deri në nëntor të këtij viti, kjo zonë ka tërhequr më shumë se 170 kompani dhe mbi 200 projekte të teknologjisë së inteligjencës artificiale (AI) janë në konsultim, duke formuar një zinxhir të prodhimit dhe aplikimit të inteligjencës së zërit dhe asaj artificiale. Në muajin maj të këtij viti në Kinë u krijua Laboratori Kombëtar i Inxhinierisë për Teknologjinë dhe Zbatimin e Inteligjencës Artificiale të Ngjashme me Trurin. Më teknologjinë e bazuar në stimulimin e trurit të njeriut, ky laborator ka bërë shumë kërkime në mikroprocesorët dhe robotët me inteligjencë artificiale të ngjashme me trurin. Doktori Liu Haifeng nga ky laborator shpjegon:

"Kur flasim për inteligjencë, gjëja më inteligjente në botë është truri i njeriut, sepse ai ka aftësi jashtëzakonisht të madhe, nivel jashtëzakonisht të qëndrueshëm dhe harxhim jashtëzakonisht të ulët energjie. Tani teknologjia AI ia kalon njeriut vetëm në disa drejtime të caktuara, si identifikimi i zërit e i fytyrës dhe arsyetimi inteligjent, veçanërisht programi 'Alphago' i prodhuar nga ekipi 'Deepmind' i kompanisë 'Google'. Por të gjitha këto janë të kufizuara në një degë dhe nuk është formuar një sistem inteligjent i gjithanshëm me bashkërendim të përkryer. Tani, niveli i inteligjencës artificiale ende ka hendek të madh me inteligjencën e trurit të njeriut."

Një nga misionet kryesore të laboratorit është formimi i një sektori të prodhimit me inteligjencë si të trurit. Synimi është që të krijohet një industri e re me vlerë qindra miliardë juanë. Deri tani, ky laborator ka prodhuar robotë rehabilitimi, që mund të ndiejë automatikisht lëvizjen e muskujve, për të ndihmuar të moshuarit dhe njerëzit me aftësi të kufizuara. (Jiang Lei)

Mrekulli