Fu Sheng-u dhe ngritja e tij mbi "supet e gjigantëve" të internetit

2017-12-12 18:29:52 CRI Komenti juaj Printoni

Emrat më të njohur të internetit në Kinë po i ndërtojnë perandoritë e tyre të biznesit duke blerë kompani fillestare të vogla, por premtuese. Për ta bërë këtë, ata kërkojnë të bëjnë pjesë të qarqeve të tyre sipërmarrës të rinj ambiciozë. Fu Sheng, kryezyrtari ekzekutiv i kompanisë së programeve të sigurisë në internet dhe smartfona "Cheetah Mobile", është një prej tyre. Ai quhet si një nga manjatët e rinj të internetit që po rritet, siç është thënë, "duke qëndruar në supet e gjigantëve." Në këtë mënyrë, ai është bërë një ndër biznesmenët e rinj më të fuqishëm e më të pasur të botës së internetit e të teknologjisë së informacionit.

Fu Sheng-u ka lindur në provincën Jiangxi të Kinës Juglindore. Në vitin 1995 ai filloi studimet e larta për ekonomi në Institutin e Biznesit dhe të Teknologjisë të Shandong-ut. Megjithatë, jo ekonomia, por teknologjia e informacionit ishte pasioni i tij, dhe kështu Fu vendosi të specializohej në sistemet dhe menaxhimin e informacionit. Në atë kohë në Institut kishte vetëm një kompjuter, e megjithatë ai nisi të studionte në mënyrë autodidakte programim, duke themeluar edhe Shoqatën e Teknologjisë Kompjuterike, e cila më pas, nga shoqatë e Institutit, kaloi në nivelin e mbarë provincës Shandong.

Pas diplomimit në vitin 1999, Fu Sheng-u filloi punë në një kompani në Xiamen të provincës Fujian po në Kinën Juglindore, e cila ishte ndër të parat që futi konceptin e tregtisë elektronike.

Në vitin 2001 Fu shkoi në Pekin, ku vijoi studimet, ndërkohë që po kërkonte të gjente një punë. Fillimisht ai nisi punë në Kompaninë Teknologjike "Guoxin Hengyu" të Pekinit, kur një vit më pas, në firmën e programeve kompjuterike "3721". Aty Fu Sheng-u u njoh me Zhou Hongyi, i cili në vitin 2005 krijoi kompaninë "Qihoo 360", që ka në fokus sigurinë e internetit.

Në vitin 2005 Fu u largua nga "3721" dhe, duke mos pranuar një numër të madh ofertash, duke përfshirë edhe gjigantin kinez të kërkimit në internet "Baidu", iu bashkua "Qihoo 360", në postin e menaxherit të produkteve.

Fu Sheng-u është ndër personazhet kryesore që e kthyen "Safeguard" të "Qihoo 360" në njërin prej programeve antivirus më të përdorura në Kinë. Por më pas, në vitin 2008, ai u largua nga "Qihoo 360" për të ndjekur një rrugë disi të ndryshme karriere, më pranë degës për të cilën ishte diplomuar, ekonomisë, duke punuar për firmën e kapitaleve me rrezik "Matrix Partners China". Megjithatë, pas një viti, Fu Sheng-u iu rikthye pasionit të vet, këtë herë duke vendosur të krijojë sipërmarrjen e vet. Ai themeloi firmën e programeve kompjuterike, së cilën e quajti me emrin "Conew Image". Kompania e re kishte fillimisht vetëm gjashtë veta. Asokohe 31-vjeçari e dinte se mundësitë për të mbijetuar në një biznes të tillë shumë konkurrues do të ishin më të mëdha nëse bashkëpunonte me emra të njohur të kësaj industrie. Fu u takua me themeluesin dhe kryezyrtarin ekzekutiv të gjigantit të pajisjeve elektronike "Xiaomi", Lei Jun, i cili gjithashtu kishte krijuar firmën e vet të sigurisë së internetit, "Kingsoft Security". Bashkinvestitor në "Kingsoft" ishte një tjetër "peshë e rëndë" e industrisë kineze të internetit, Ma Huateng i "Tencent"-it. Në vitin 2010 "Conew Image" dhe "Kingsoft Security" u bashkuan, duke krijuar "Cheetah Mobile", kryezyrtar ekzekutiv i së cilës u bë Fu Sheng-u.

"Cheetah Mobile" pati një rritje eksponenciale, duke zënë tashmë vendin e dytë ndër kompanitë prodhuese të programeve kompjuterike të sigurisë në internet në Kinë. Në vitin 2014 "Cheetah" u kthye në një sipërmarrje publike të regjistruar në Bursën e Nju-Jorkut. Pas një viti kompania nisi një partneritet strategjik global me "Yahoo"-në. "Cheetah Mobile" përfshiu platformat e kërkimit dhe të reklamave të "Yahoo"-së në aplikacionet e veta, duke pasur një rritje mesatare ditore të të ardhurave 30 % që në dy javët e para. Ndërkohë vitin e kaluar "Cheetah Mobile" bleu kompaninë fillestare franceze "News Republic", ndërsa më parë, bashkë me kompaninë kineze të prodhimit të smartfonave "Cubot", kishte prodhuar smartfonin e markës "CheetahPhone".

Kompania "Cheetah Mobile" tani ka një kapitalizim të tregut prej 2.7 miliardë dollarësh amerikanë, duke e bërë Fu Sheng-un, që zotëron 8 % të aksioneve të saj, një ndër sipërmarrësit e internetit nën 40 vjeç më të pasur në Kinë dhe në botë. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore