Kina, treg gjigant për shërbimet ndaj të moshuarve

2017-12-05 16:45:50 CRI Komenti juaj Printoni

Zv.sekretari i Përgjithshëm i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës Shi Zihai është shprehur ditët ne fundit se në vitin 2016, Kina kishte mbi 230 milionë njerëz mbi moshën 60 vjeçe. Parashikohet që në mes të këtij shekulli, Kina do të hyjë në të ashtuquajturën fazë e "plakjes së thellë" dhe numri i të moshuarve mund të arrijë në rreth 480 milionë. Në të ardhmen, Kina do të nxitë zhvillimin e shërbimeve për pensionistët dhe do të hapë këtë treg për tërë botën.

Më 27 nëntor u organizua në Pekin Seminari Ndërkombëtar mbi Zhvillimin e Shërbimeve ndaj të Moshuarve, ku Zv.sekretari i Përgjithshëm i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe të Reformës të Kinës Shi Zihai vuri në dukje që vitet e fundit, niveli i plakjes së popullsisë në Kinë është shtuar pandërprerë dhe sektori i shërbimeve për të moshuarit ndodhet në një gjendje zhvillimi jo të plotë dhe jo të balancuar. Ky është një problem i dukshëm për Kinën e sotme.

"Vjet numri i njerëzve mbi moshën 60-vjeçare arriti mbi 230 milionë, duke zënë 16.7 për qind të të gjithë popullsisë së Kinës. Parashikohet që deri në mes të këtij shekulli Kina do të hyjë në fazën e plakjes së thellë dhe numri i të moshuarve mund të arrijë në 490 milionë. Kina ndeshet shpesh me probleme të zhvillimit të paekuilibruar dhe jo të plotë të shërbimeve ndaj pensionistëve. Për këtë arsye, kushtet e jetesës së pensionistëve në komunitet dhe në familje duhet të përmirësohen më tej. Gjithashtu duhet të përmirësohet sistemi i politikave për të moshuarit, sistemi i pensioneve, si dhe mjedisi shoqëror".

Sipas Shi Zihai-t, Kina ka hartuar politikat përkatëse për zhvillimin më të shpejtë të sektorit të shërbimeve të pensioneve dhe hapjen e plotë të tregut ndaj këtyre shërbimeve, për të formuar sistemin e shërbimeve të pensioneve në bazë të familjes dhe komunitetit me mbështetjen e organizatave përkatëse.

Gjatë seminarit, disa studiues sugjeruan që të përhapen në mënyrë të gjithanshme sigurimet e përkujdesit afatgjatë dhe të shfrytëzohet epërsia e përkujdesit në shtëpi, që është një traditë kineze. Zv.drejtorja e Zyrës Kombëtare për të Moshuarit Wu Yushao vë në dukje që përkujdesi në shtëpi është një nga mënyrat më aktive e më ekonomike dhe me ndikimin më të gjerë në Kinë. Në të ardhmen, sipas saj, është e nevojshme të plotësohen mungesat në këtë sektor.

Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe i Reformës, që prej vitit 2011, ka bërë një investim të përgjithshëm prej mbi 20 miliardë juanësh, për formimin e sistemit të shërbimeve të pensioneve, bëri të ditur numri dy i këtij Komisioni Shi Zihai. Ai theksoi se tregu kinez i shërbimeve të pensioneve është i hapur gjithashtu ndaj botës.

"Kina këmbëngul në politikën e hapjes dhe dyert e tregut të shërbimeve për të moshuarit janë të hapura për mbarë botën. Ky treg ka një potencial gjigant dhe mirëpresim kompanitë e huaja të vijnë të Kinë për bashkëpunim në shërbimin ndaj të moshuarve," thotë Shi Zihai.

Presidenti i Bordit të Investimeve të Planit të Pensioneve të Kanadasë (CPPIB), Mark Machin, shprehu besimin e plotë në të ardhmen e zhvillimit ekonomik e të tregut të kapitaleve të Kinës pas Kongresit të 19-të Kombëtar të PKK-së. Ai është i bindur që investimet në tregun kinez do të sjellin fitime të mëdha. Në Seminarin Ndërkombëtar mbi Zhvillimin e Shërbimeve ndaj të Moshuarve, Mark Machin-i bëri të ditur që investimet e tyre do të përqendrohen kryesisht te shërbimet për të moshuarit, interneti, tregtia elektronike, logjistika, arsimi dhe shërbimet financiare.

"Bordi i Investimeve i Planit të Pensioneve të Kanadasë aktualisht përbën 4 % të fondit të përgjithshëm të investimeve në Kinë, ndërsa në ShBA përbën 40 %. Duke marrë parasysh se ShBA-ja është ekonomia më e madhe në botë dhe Kina është ekonomia e dytë më e madhe, ka ende shumë vend për rritjen e investimeve në Kinë. Besojmë se në vitin 2030, investimet tona në Kinë do të rriten nga 17.1 miliardë dollarë kanadezë (afro 88.7 miliardë juanë ) në 150 miliardë dollarë kanadez (afro 780 miliardë juanë)," thotë Mark Machin-i, presidenti i Bordit të Investimeve të Planit të Pensioneve të Kanadasë (CPPIB).

(Jiang Lei/Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore