Pekin, zhvillohet Forumi Ndërkombëtar i Bashkëpunimit për Kapacitetet Industriale 2017

2017-11-28 16:07:31 CRI Komenti juaj Printoni

Pak ditë më parë u zhvilluan në Pekin Forumi Ndërkombëtar i Bashkëpunimit për Kapacitetet Industriale 2017 dhe Panairi i 9-të Ndërkombëtar i Bashkëpunimit për Investimet i Kinës. Pjesëmarrësit në këto veprimtari dhanë sugjerime dhe këshilla për thellimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e kapaciteteve industriale dhe zhvillimin e nismës "Një brez, një rrugë".

Forumi Ndërkombëtar i Bashkëpunimit për Kapacitetet Industriale 2017 ishte veprimtaria e parë ndërkombëtare mbi nismën "Një brez, një rrugë" dhe bashkëpunimin ndërkombëtar për kapacitetet industriale pas Kongresit të 19-të të PKK-së. Në këtë forum morën pjesë mbi 3 000 përfaqësues të qarqeve të biznesit nga 116 vende dhe rajone të të gjithë botës.

Në ceremoninë e hapjes, zv.sekretari i përgjithshëm i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës, Zhou Xiaofei, theksoi se vitet e fundit Kina është fokusuar te ndërtimi i "Një brez, një rrugë" për të promovuar bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e kapaciteteve dhe për të mbështetur hyrjen e kompanive të kualifikuara kineze në tregun global. Aktualisht, Kina ka nënshkruar dokumente përkatëse për bashkëpunimin në fushën e kapaciteteve industriale dhe të investimeve me 36 vende dhe ka krijuar mekanizma bashkëpunimi në tregjet e palëve të treta me Francën, Gjermaninë dhe Kanadanë. Gjithashtu, ekonomia e dytë e botës ka zhvilluar bashkëpunim shumëpalësh me organizatat rajonale, si ASEAN, Bashkimi Afrikan dhe Bashkimi Evropian.

Zhou Xiaofei komentoi se këto bashkëpunime kanë sjellë përfitime të ndërsjella dhe rezultate të favorshme.

"Deri në fund të vitit 2016, kishte 37 000 kompani të krijuara me investimet e drejtpërdrejta të huaja jashtë vendit të Kinës, dhe vëllimi i investimeve të drejtpërdrejta të huaja arriti vlerën rreth 1.4 trilionë dollarë amerikanë. Në vitin 2016, kompanitë kineze jashtë vendit kanë paguar afro 30 miliardë dollarë amerikanë taksa në destinacionin e investimeve. Në fund të vitit 2016, numri i punonjësve të huaj në këto kompani ishte 1 milion e 330 mijë, një rritje me 118 mijë krahasuar me vitin 2015".

Duke mbështetur programin e "daljes jashtë vendit" të kompanive kineze, Kina gjithashtu ka përmirësuar vazhdimisht mjedisin për investimet e huaja dhe ka tërhequr aktivisht investime nga jashtë. Zhou Xiaofei shprehet se, sipas një raporti të publikuar nga Konferenca për Tregtinë dhe Zhvillimin e Kombeve të Bashkuara (UNCTAD), Kina ka qenë gjithmonë një nga destinacionet më tërheqëse të investimeve të huaja në botë. Deri në fund të vitit 2016, Kina kishte tërhequr më shumë se 1.8 trilion dollarë amerikanë investime të huaja. Për 9 vjet me radhë, ajo është renditur në vendin e 3-të të botës për tërheqjen e investimeve të huaja, ndërsa për 25 vjet rradhas, e para ndër vendet në zhvillim në këtë drejtim.

Duke folur për të ardhmen, Zhou Xiaofei theksoi se raporti i Kongresit të 19-të të PKK-së theksoi se dyert e Kinës nuk do të mbyllen, por do të hapen gjithnjë e më shumë. Në të ardhmen, Kina do të ketë një nivel të lartë të liberalizimit të investimeve dhe politikave lehtësuese, për të tërhequr investimet e huaja.

"Do të zbatohet thellësisht raundi i ri i hapjes në një nivel më të lartë, duke përfshirë rishikimin e 'listës negative' për investimet e huaja, rritjen e dukshme të investimeve të huaja në financa dhe fushat përkatëse, si dhe sigurimin e një mjedisi më të hapur investimesh për investitorët e huaj. Ndërkohë, do të thellohet reforma e sistemit të menaxhimit të investimeve të huaja dhe do të përmirësohet ky sistem, për të thjeshtuar më tej procedurat e menaxhimit të investimeve të huaja dhe për të lehtësuar më tej të gjithë procesin," thekson Zhou Xiaofei.

Këshilltari i presidentit rus, Sergey Glaziev, që mori pjesë në këtë forum, shprehu besimin e tij se ndërthurja e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik me nismën "Një brez, një rrugë" do të ndihmojë për nxitjen e rritjes së tregtisë. Ai gjithashtu u shpreh se puna në këtë drejtim ka nisur me sukses:

"Pak javë më parë Bashkimi Ekonomik Euroaziatik dhe Kina përfunduan punët përgatitore për nënshkrimin e një marrëveshjeje kornizë. Brenda kësaj marrëveshjeje, ne duhet të jemi në gjendje të krijojmë një mjedis të mirë investimesh. Në të janë përmendur lehtësimi dhe heqja e pengesave teknike, si edhe mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale. Në të ardhmen e afërt, ne do të shohim se kjo marrëveshje do të nënshkruhet me sukses dhe do të bëhet një hap i rëndësishëm i integrimit të nismës 'Një brez, një rrugë' dhe Bashkimit Ekonomik Euroaziatik," thotë Sergey Glaziev.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore