Shan Xiangshuang-u, "Schwarzman-i i Kinës"

2017-11-28 16:07:24 CRI Komenti juaj Printoni

Steve Schwarzman u largua nga "Lehman Brothers" për të krijuar grupin "Blackstone" në vitin 1985 me 400 000 dollarë. U deshën 22 vjet që "Blackstone" të bëhej një kompani publike, duke u regjistruar në bursë, dhe tani ka një vlerë mbi 32 miliardë dollarë amerikanë. Ndërkohë, Shan Xiangshuang shpesh quhet "Schwarzman-i i Kinës", edhe pse ka ndërtuar një firmë private investimesh në një kohë më të shkurtër.

Themeluesi dhe drejtuesi i Grupit të Menaxhimit të Investimeve CSC Shan Xiangshuang ka lindur në vitin 1967 në provincën Shandong të Kinës Lindore. Ai studioi kontabilitet në Universitetin e Xiamen-it, një universitet i njohur në Kinë për degën e tij të ekonomisë, dhe pas diplomimit filloi punë si shpërndarës tekstesh shkollore. Më pas Shan Xiangshuang-u punoi në një kompani import-eksporti nën varësinë e Ministrisë së Transportit. Por puna në shtet atij i dukej shumë e lehtë dhe që nuk paraqiste shumë sfida. Kolegët e tij të asaj kohe thonë se Shan-i e harxhonte atë që e quante "energji të tepërt" duke vrapuar, madje edhe në dimrin e ftohtë me dëborë, ndërkohë që pa ashtu shkruante edhe romane (përsëri shokët dhe kolegët e tij thonë se një herë ai shkroi tre romane në një muaj, më i frytshmi në krijimtarinë e tij.)

Por megjithatë, nuk ishte kjo puna - e në njëfarë mënyre edhe jeta - që Shan Xiangshuang-u donte të bënte. Dhe kështu në vitin 1998 ai shkoi në Shenzhen, qytet që vlerësohet si pionier i sipërmarrjes së lirë në Kinë. Fillimisht aty Shan Xiangshuang-u punoi në një firmë letrash me vlerë në varësi të Bankës Tregtare të Kinës. Ai paraqiti një propozim ambicioz për të ngritur një njësi investimi që ndërthurte burimet e pesë departamenteve qeveritare të lidhura me transportin, por këtë propozim eprorët e tij nuk e pranuan. Shan Xiangshuang-u nuk hoqi dorë dhe e paraqiti idenë e vet në Pekin, tek Ministria e Transportit. Dhe kështu disa muaj më vonë, u krijua Komisioni i Investimeve dhe i Financave i Shoqatës së Transportit dhe të Komunikacionit të Kinës, sekretar i të cilit u zgjodh Shan Xiangshuang-u.

Po me propozimin e tij u krijua edhe Qendra Studimore e Investimit të Kapitaleve me Rrezik në Universitetin e Pekinit.

Në vitin 2000, Shan Xiangshuang-u vlerësoi se më në fund kishte ardhur koha të fillonte sipërmarrjen e vet private. Dhe kështu ai krijoi Grupin e Menaxhimit të Investimeve me një kapital prej 600 000 juanësh (afro 91 mijë dollarë amerikane). Shan Xiangshuang-u dhe ekipi i tij arritën që brenda katër muajsh të siguronin 300 milionë juanë (mbi 45 milionë dollarë) nga pesë kompani të mëdha, si Grupi "Hualu" i Kinës dhe Grupi "Erdos".

Grupi i Menaxhimit të Investimeve CSC ka tani 88 fonde dhe menaxhon më shumë se 10 miliardë dollarë asete, ndërkohë që tashmë është regjistruar edhe në bursë. Ai është i shtrirë në më shumë se 100 qytete të Kinës dhe ka mbi 1000 partnerë. Ky rrjet i gjerë i krijon një platformë CSC-së të njohë në thellësi tregun dhe të sigurojë aftësitë e nevojshme, duke i dhënë edhe mundësinë të identifikojë rastet e mira, si edhe të ofrojë mbështetje operacionale për investitorët e vet.

Në vitin 2009 dhe 2010 Grupi i Menaxhimit të Investimeve CSC është përfshirë ndër "Dhjetë kompanitë kryesore të investimit të kapitaleve me rrezik të Kinës", ndërkohë që në 2011 dhe 1012 është vlerësuar si kompania më e mirë e menaxhimit të kapitaleve në Kinë nga revista prestigjioze "Forbes".

Ndërkohë, themeluesi dhe kryetari i bordit i Grupit të Menaxhimit të Investimeve CSC, Shan Xiangshuang-u, tashmë bën pjesë në "Klubin e miliarderëve" të Kinës. Sipas revistës "New Fortune", pasuria e tij arrin tashmë në 20 miliardë juanë (mbi 3 miliardë dollarë amerikanë).

Po si mendon Shan Xiangshuang-u, çfarë bën vërtet një firmë e investimit të kapitaleve private, ose më saktë vetë CSC-ja? Përgjigjja që Shan Xiangshuang-u i ka dhënë kësaj pyetjeje është quajtur mjaft interesante. "Mund të shesësh një mollë vetëm për një dollar në tregun e frutave. Por një mollë vlen 10 herë më shumë nëse shërbehet në një pjatë frutash në një hotel me pesë yje. CSC është pikërisht ky hotel me pesë yje," thotë Shan Xiangshuang-u për kompaninë e tij.

Mrekulli
Lajmet Kryesore