Luo Min, miliarderi i ri i sektorit të ri të teknologjisë financiare

2017-11-21 14:38:36 CRI Komenti juaj Printoni

Kina është quajtur si vendi që krijon një miliarder të ri në javë, por sipas një raporti të kompanisë së shërbimeve financiare globale UBS dhe rrjetit shumëkombësh të shërbimeve profesionale PwC, vitin e kaluar numri i miliarderëve kinezë u shtua me 67, që do të thotë se në Kinë u krijua një miliarder i ri në pesë ditë. Kështu që është e vështirë të thuash se kryeekzekutivi i firmës së mikrokreditimi në internet Luo Min është miliarderi më i fundit kinez. E vetmja gjë që mund të pohohet me siguri është se ai u bë miliarder muajin e kaluar, pas regjistrimit në bursë të kompanisë së themeluar prej tij vetëm pak më shumë se tre vjet më parë.

34-vjeçari Luo Min ka lindur në provincën Jiangxi të Kinës Juglindore. Në vitin 2004 ai është diplomuar për fizikë telekomunikacioni dhe elektronikë në Universitetin Normal të Jiangxi-së.

Në vitin 2005, kur "Facebook"-u sapo kishte nisur popullarizimin, Luo Min, i cili ende vazhdonte të banonte në kampusin e universitetit, vendosi të krijonte diçka të ngjashme me atë që kishte krijuar një vit më parë Mark Zuckerberg-u, por ky projekt i parë i tij përfundoi në dështim.

Në vitin 2007 Luo Min, bashkë me dy ortakë, filloi projektin e vet të dytë, në atë që quhet tregti elektronike shoqërore, dhe që eshte një formë e tregtisë elektronike që përdor rrjetet sociale për shitblerjen e produkteve. Luo Min-i ishte kështu bashkëthemeluesi dhe kryezyrtari ekzekutiv i "Jiyiri.com", që merrej kryesisht me ofrimin e produkteve e shërbimeve për raste ditëlindjesh.

Por pas afro dy vjetësh edhe kësaj sipërmarrjeje i erdhi fund dhe kështu në vitin 2010 Luo Min-i iu bashkua "OkBuy", një kompani e shitjes me pakicë të veshjeve dhe të këpucëve në internet, e njohur edhe si "'Zappos' i Kinës", duke qenë aty zëvendëspresident për marketingun.

Megjithatë, në vitin 2014, Luo Min-i vendosi të nisë përsëri biznesin e vet, këtë herë në atë që quhet teknologji financiare, një sektor i ri i shërbimeve financiare, duke u përqendruar në mënyrë të veçantë në mikrokreditimin në internet. Kompania që krijoi ai, "Qudian", kishte në fokus, "konsumatorët e rinj dhe përdoruesit aktivë të celularëve, të cilët kanë nevojë për kredi të vogla për shpenzimet e tyre, por që nuk kanë shërbimin e mjaftueshëm nga institucionet financiare tradicionale, për shkak të mungesës së të dhënave tradicionale të kreditit dhe të mosefikasitetit operacional të institucioneve financiare tradicionale."

Biznesi i kompanisë kryhet nëpërmjet një aplikacioni në celular dhe "Qudian" vendosi partneritet me "Alipay"-in e "Alibaba"-s për kryerjen e transaksioneve, kurse filiali i "Alibaba"-s "Ant Financial"zotëron tashmë 12.5 % të "Qudian"-it.

Kina tërhoqi pjesën më të madhe të kapitalit me rrezik në biznesin e teknologjisë financiare në botë gjatë vitit të kaluar, duke ua kaluar kompanive amerikane, që kryesonin gjatë vitit 2015. Rreth 40 për qind e klientëve në Kinë kryejnë pagesa në internet, dhe 14 për qind e tyre marrin kredi në internet. Duke përfituar nga kjo, kompani si "Qudian"-i kanë njohur një rritje të shpejtë. Kështu, në gjysmën e parë të këtij viti "Qudian" u dha mikrokredi 7 milionë huamarrësve. Fitimet e saj patën një rritje vjetore tetë herë gjatë kësaj periudhe, duke arritur në 144 milionë dollarë, kurse të ardhurat u pesëfishuan, duke kapur 270 milionë dollarët.

Muajin e kaluar "Qudian" u regjistrua në Bursën e Nju-Jorkut me një ofertë publike fillestare 900 milionë dollarë, e katërta më e madhe në bursat amerikane deri tani këtë vit dhe më e madhja e një kompanie kineze. Kjo bëri që Luo Min-i të ketë tani një pasuri që vlerësohet në 1.2 miliardë dollarë amerikanë. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore