Kinë, mbi 100 milionë dërgesa postare në ditë

2017-11-21 14:38:43 CRI Komenti juaj Printoni

Drejtoria Shtetërore Postare e Kinës ka bërë të ditur kohët e fundit që tani në Kinë bëhen mbi 100 milionë dërgesa postare në ditë. Sipas kësaj drejtorie, në të ardhmen do të krijohen risi në modelin e shërbimit dhe konceptet e mbikëqyrjes së këtij sektori, me synim që të nxitet zhvillimi i tij drejt shërbimit të integruar, inteligjent dhe të shoqërizuar, për të zgjidhur të ashtuquajturin "problem të kilometrit të fundit".

Vitet e fundit, sektori i postës së shpejtë në Kinës ka pasur një zhvillim të vazhdueshëm sasior dhe cilësor. Nga janari deri në korrik, të gjitha kompanitë kineze të shërbimit postar kanë bërë gjithsej 20.52 dërgesa, 30.3 % më shumë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kështu, vëllimi i dërgesave postare në Kinë renditet në vendin e parë të botës. Në Samitin Postar të "Kilometrit të Fundit" të Kinës, zv.drejtori i Drejtorisë Shtetërore Postare të Kinës Liu Jun u shpreh:

"Mund të themi që të gjithë treguesit janë mbajtur në një nivel të lartë. Veçanërisht në tremujorin e dytë të këtij viti, jemi futur në fazën e re të zhvillimit me një dërgim ditor të 100 milionë pakove."

Me zhvillimin e pandërprerë të sektorit postar, detyrë kryesore e këtij sektori është bërë përmbushja e kërkesave të klientëve në mënyrë efikase e cilësore dhe zgjidhja e "problemit të kilometrit të fundit". "Problemi i kilometrit të fundit" është ai që ka të bëjë me hallkën e fundit të zinxhirit të dërgimit, që zakonisht është më pak efikasi dhe zë një pjesë të madhe të kostos së dërgimit. Zv.drejtori i Zyrës së Mbikëqyrjes së Tregut pranë Drejtorisë Shtetërore Postare Hou Yanbo shprehet që tani sektori postar ka ende disa disavantazhe.

"(E para,) Pikat e shërbimit janë të shpërndara në mënyrë jo të barabartë. Kjo është një dukuri që bie në sy. Në qytetet e kategorisë së tretë dhe të katërt dhe zonat rurale, numri i pikave të shërbimit postar është ende larg nga nevojat e banorëve. E dyta, kompanitë e këtij sektori nuk u kushtojnë rëndësinë e duhur pikave bazë të shërbimit dhe duhet të tregojnë më shumë interes për logjistikën dhe nivelin e shërbimit të këtyre pikave. E treta, pikat bazë të shërbimit përballojnë problemet kryesore, si standardet jo të integruara, mungesa e instalimeve dhe e pajisjeve dhe ndarja e paqartë funksionale," thotë Hou Yanbin.

Lidhur me këto probleme, zv.drejtori i Drejtorisë Shtetërore Postare Liu Jun thekson që zhvillimi i sektorit postar ka nevojë për risi në modelin e shërbimit dhe në konceptet e mbikëqyrjes së tij:

"Për sa i përket modelit të zhvillimit, duhet të synojmë drejt zhvillimit të integruar, inteligjent dhe të shoqërizuar. Për një koncept mbikëqyrjeje inovativ, duhet të shfrytëzojmë mirë politikat e tanishme, duke kërkuar risi, për të krijuar një mjedis të mirë për zhvillimin e shëndetshëm të këtij sektori".

Kreu i Qendrës së Kërkimeve pranë Drejtorisë Shtetërore Postare të Kinës, Zeng Junshan, propozon që të shfrytëzohen teknologjitë moderne, si dronët, automjetet pa drejtues, robotët dhe teknologjia e inteligjencës artificiale për të rritur nivelin e automatizimit dhe për të shkurtuar hallkat e zinxhirit të dërgimit:

"Nga njëra anë, duhet të shfrytëzojmë gjerësisht teknologjitë moderne, për të ngritur nivelin e teknologjisë inteligjente dhe të automatizimit në procesin e dërgimit. Nga ana tjetër, duhet të ndryshojmë procesin tradicional të shpërndarjes në zonat urbane në zinxhirin 'qendër shpërndarjeje - pikë bazë shpërndarjeje - dërgim me triçikël postar' dhe të realizojmë integrimin e shpërndarjes dhe dërgimit me triçikël. Krahas kësaj, do të studiojmë fizilibitetin e pikave të lëvizshme të shërbimit dhe të studiojmë mënyrën e re të dërgimit me printim të çastit të bazuar në teknologjinë 3D".

Disa kompani të shërbimeve postare kanë filluar përpjekjet për të zgjidhur problemin e "kilometrit të fundit". Drejtori ekzekutiv i Grupit të Logjistikës pranë kompanisë së shërbimeve postare JD, Wang Zhenhui, shprehet që JD ka investuar në teknologjinë e mjeteve pa drejtues që në qershor 2017 dhe ka filluar dërgimin me drona në qytetet Xian dhe Suqian, ndërkohë, që në shkollat e larta, ka nisur shërbimin e automjeteve pa drejtues. Në të ardhmen, sipas tij, do të përmirësohet më tej shërbimi postar në bazë të teknologjive moderne.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore