Kina synon cilësinë dhe efektivitetin e zhvillimit ekonomik

2017-11-07 16:07:35 CRI Komenti juaj Printoni

Kohët e fundit u zhvillua në Pekin Forumi i Ekonomisë Kineze dhe i Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Mbledhja "Anija Bashan". Gjatë forumit, fokusi i diskutimeve të ekspertëve kinezë e të huaj ishte sistemi ekonomik modern, i shpallur në Kongresin e 19-të të Partisë Komuniste të Kinës. Pjesëmarrësit ishin të mendimit që në të ardhmen, zhvillimi i ekonomisë kineze do të priret drejt cilësisë dhe efektivitetit. Sipas tyre, duhet të zbatohet në mënyrë të thellë strategjia "Inovacioni nxit zhvillimin" dhe të nxitet bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e inovacionit.

Në Forumin e Ekonomisë Kineze dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, zv.drejtori i Qendrës Studimore të Zhvillimit pranë Këshillit të Shtetit të Kinës, Wang Yiming, u shpreh se, pas Kongresit të 19-të të PKK-së, ekonomia kineze do të shfaqë pesë prirje kryesore:

"Së pari, ekonomia kineze në të ardhmen do të vazhdojë kalimin nga rritja e shpejtë në rritjen mesatare dhe shtimi i cilësisë e i efektivitetit mund të jetë fokusi i zhvillimit ekonomik. Së dyti, sektorët tradicionalë gradualisht po arrijnë ose kanë arritur kulmin, kështu që sektorët e rinj do të futen në fazën e re të zhvillimit. Së treti, urbanizimi do të zhvillohet në mënyrë të thellë dhe më shumë provinca do të hyjnë në periudhën e të ardhurave të larta. Së katërti, kërkesa për energji dhe burime minerare kryesore në mënyrë graduale do të arrijë në nivelin maksimal. Në të kaluarën, harxhimi i energjisë dhe lëshimi i gazit ishin të lidhura me rritjen e GDP-së, por në të ardhmen, do të ketë prirje për lidhje më të paktë. E pesta, përqindja e ekonomisë kineze në vëllimin e përgjithshëm të ekonomisë globale do të rritet në mënyrë të dukshme në të ardhmen," thotë Wang Yiming.

Në raportin e Kongresit të 19-të të PKK-së u propozua për herë të parë formimi i sistemit modern ekonomik. Lidhur me mënyrat e formimit të këtij sistemit të ri, Wang Yiming analizon:

"Në raportin e Kongresit është përmendur parimi bazë i cilësisë dhe efektivitetit si përparësi dhe është theksuar këmbëngulja te thellimi i reformës në fushën e ofertës. Gjithashtu u vu në dukje se duhen nxitur tre reforma: reforma e cilësisë, reforma e efektivitetit dhe reforma e dinamizmit. Krahas kësaj, u nënvizua që duhet të formohet një sistem. Çfarë është ky sistem? Ky është një sistem ku bashkërendohen ekonomia reale, inovacioni teknologjik, financimi modern dhe burimet njerëzore. Ndërkohë, u vu theksi edhe te krijimi i një sistemi ekonomik me tre elemente kryesore: efektiviteti i mekanizmit të tregut, gjallërimi i njësive të vogla dhe përmasa e duhur e makrokontrollit. Unë mendoj që kjo ka krijuar një kornizë dhe bazë të plotë për sistemin modern ekonomik," thotë Wang Yiming.

Sipas Wang Yiming-ut, për krijimin e sistemit ekonomik modern, në të ardhmen, çështjet e rëndësishme të reformës në Kinë do të përfshijnë rritjen e cilësisë së ofertës, shndërrimin e shpejtë të Kinës në një vend me inovacion të zhvilluar dhe strategjinë për përparimin e zonave rurale dhe zhvillimin e bashkërenduar rajonal. Krahas kësaj, do të nxitet krijimi i gjendjes së re me hapje të gjithanshme.

Ish-sekretari i Komitetit të PKK-së në Universitetin e Nakinit, profesor Hong Yinxing, vëren që, për të krijuar sistemin ekonomik modern, do të zbatohet në mënyrë të thellë strategjia "Inovacioni nxit zhvillimin" dhe do të ngjiten sektorët e prodhimit në nivelin e mesëm dhe të lartë të zinxhirit global të vlerës:

"Kompanitë kineze kanë dalë jashtë në tregun ndërkombëtar. Ato duhet të fokusohen te zinxhiri i vlerës dhe jo tek ekipet sportive, hotelet ose klubet. Kur të realizohet kjo, mundësitë e zhvillimit do të jenë jo vetëm për sektorët e Kinës, por edhe për vendet e rajonet e nismës 'Një brez, një rrugë'. Zinxhiri global i vlerës i udhëhequr nga kompanitë kineze ka dy pjesë. Pjesa e parë drejtohet nga teknologjia e lartë dhe pjesa e dytë është përpunimi dhe montimi. E para e ka fokusin te shkenca e teknologjia, ndërsa e dyta te epërsia krahasuese."

Ish-presidenti i Sllovenisë Danilo Turk, që mori pjesë në Forumin e Ekonomisë Kineze dhe të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, u shpreh që Kina po e kalon fokusin nga vëllimi i përgjithshëm i ekonomisë te cilësia e ekonomisë. Në këtë proces, bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e inovacionit luan një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Danilo Turk është i mendimit që bashkëpunimi mes Kinës dhe BE-së në këtë fushë ka një hapësirë të madhe.

"Ne kemi nevojë për më shumë rrugë zhvillimi e shkëmbime teknologjike dhe shkëmbimet mes BE-së e Kinës në të ardhmen duhet të shtohen. Kemi kuptuar që në Kongresin e 19-të, PKK ka kërkuar që fokusi i studimit të kalojë nga shkencat e zbatuara në kërkimin shkencor bazë. Çfarë do të thotë kjo për partnerët europianë? Duhet të mendojmë si ta zhvillojmë më mirë kërkimin shkencor bazë dhe ta çojmë në një nivel më të lartë. Tani, inovacioni jo vetëm duhet të përdoret në shkencë dhe teknologji, por duhet të përfshijë edhe politikat shoqërore dhe sundimin e ligjit etj.," tha Danilo Turk, ish-presidenti i Sllovenisë, në forumin ekonomik të zhvilluar në Pekin.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore