Jingshui, fshati që doli nga varfëria me kivi

2017-10-31 16:03:09 CRI Komenti juaj Printoni

Fshati Jingshui i qytezës Dalong është një nga fshatrat më të thellë në provincën Jiangxi të Kinës Jugore. Në këtë fshat ka 58 familje, 12 ndër të cilat janë të varfra. Më përpara, banorët punonin në mënyrë tradicionale dhe, për shkak të klimës, orizi i kultivuar nuk mund të plotësonte kërkesat e tyre. Kështu, banorët e fshatit varen kryesisht nga transporti i bambusë dhe puna në qytet.

Nga viti 2015, pushteti vendor filloi të nxitë modelin "Një fshat, një produkt", çka ka ndryshuar në mënyrë të dukshme gjendjen ekonomike të fshatit.

Për të pasur zhvillim, së pari duhet të përmirësohet transporti. Jingshui ndodhet në zonë malore, prandaj pushteti vendor i qytezës Dalong nga varet Jingshui, e ka përcaktuar këtë si punë me përparësi. Kryetari i Komitetit të PKK-së të Dalong-ut, Liu Jiguang, thotë:

"Më parë në këtë fshat nuk kishte rrugë, sidomos rrugë që të shkonin tek çdo shtëpi. Kishte vetëm një rrugicë të vogël. Jetesa ishte shumë e vështirë dhe sektori i prodhimit ishte fare i pamundur. Prandaj, për shkak të këyre vështirësive, filluam të rregullojmë rrugët dhe të shfrytëzojmë pastaj malet rreth fshatit."

Pas rregullimit të rrugës, banorët e fshatit filluan të kërkojnë produkte të përshtatshme për të kultivuar. Jingshui është i rrethuar nga malet dhe ka pyje të shumta, me lartësi nga niveli i detit mbi 600 metra. Mjedisi këtu është i përshtatshëm për mbjelljen e kivit. Luo Yangxia ishte e para që e zbuloi këtë rast biznesi. Në vitin 2014, ajo dhe i shoqi filluan të provojnë mbjelljen e kivit në tokën e tyre.

Falë punës plot përkujdes, pas një viti Luo Yangxia siguroi një prodhim në sasi të madhe kivi. Ajo e kuptoi që ky mund të ishte një shans i mirë pasurimi dhe filloi ta promovonte në fshat. Në qershor të vitit 2015, u krijua zyrtarisht kooperativa profesionale e mbjelljes së kivit në fshatin Jingshui. Tani, sipërfaqja e mbjellë me kivi ka arritur në 10 hektarë.

Megjithëse produkti ishte cilësor, fshati Jingshui përsëri nuk mund të dilte nga varfëria, pasi nuk gjente dot platforma të mira shitjeje. Luo Yangxia tregon që, në vitin 2015, shitja e kivit nuk ishte e mirë:

"Banorët e fshatit tonë janë në moshë të madhe dhe nuk e kuptojnë mirë internetin. Prandaj, ne nuk e dinim si të shisnim fruta në internet dhe shkonim tek zonat përreth. Çmimi ishte i ulët dhe frutat kalbeshin. Më pas na erdhi një zyrtare e diplomuar në universitet, e cila na mësoi të shitnim në internet bashkë me shitjen tradicionale. Nëpërmjet internetit, kemi promovuar produktet tona cilësore dhe kemi shitur të gjitha frutat, sigurisht edhe me çmim të mirë," thotë Luo Yangxia.

Zyrtarja që përmend Luo Yangxia është Fan Kailin-u, e diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit Shandong dhe tani zyrtare në fshatin Jingshui. Edhe ajo i ka nuhatur mundësitë e biznesit që sjell kultivimi i kivit.

Me ndihmën e saj, kivit e fshatit Jingshui filluan të shiten mirë. Ajo jo vetëm i kushton rëndësi kontrollit të cilësisë, por edhe dizenjon ambalazhin e kivit. Krahas kësaj, ajo u ka bërë trajnim për shitje banorët e fshatit, duke tërhequr edhe shumë turistë, me aktivitete si turizmi në zonat rurale dhe vjelja e frutave bashkë me fëmijët.

Me përpjekjet e përbashkëta, vëllimi i prodhimit dhe i shitjes së kivit është rritur, ashtu si edhe niveli i të ardhurave të banorëve të fshatit Jingshui. Kryetari i bashkisë së qytezës Dalong, Rao Meihua, mendon që, për t'u larguar nga varfëria, ata duhet patjetër të ecin në rrugën e sektorit të prodhimit.

"Pa mbështetjen nga sektori i prodhimit, dalja nga varfëria është një gjë e pamundur dhe nuk do të zgjaste shumë kohë. Kemi krijuar kooperativën profesionale të kivit, duke tërhequr të gjitha banorët e fshatit të marrin pjesë. Nga njëra anë, të varfrit mund të marrin fitime nëpërmjet blerjes së aksioneve. Nga ana tjetër, disa mund të punojnë në bazën e prodhimit dhe të marrin para. Krahas kësaj, banorët mund të mësojnë teknikat e mbjelljes së kivit nga puna në kooperativë. Kështu, të varfrit mund të kenë shumë përfitime nga kjo kooperativë," thotë Rao.

Me të ashtuquajturën "politikë e mbështetjes së saktë për të varfrit", çdo familje në fshatin Jingshui mori 5000 juanë si fond zhvillimi dhe ata e kanë futur këtë shumë në kooperativën e kivit. Kështu, si shpërblim, çdo familje e varfër mund të marrë 750 juanë në vit. Ndërkohë, ata mund të fitojnë 80-110 juanë në ditë si punëtorë në qendrën e prodhimit. Krahas këtyre, ata marrin sigurime bazë nga qeveria dhe kështu, çdo familje e varfër fiton 5-6 mijë juanë në vit.

Tani, me nxitjen e prodhimit të kivit, fshati Jingshui ka arritur me sukses të dalë nga varfëria. Zhvillimi i biznesit të kultivimit të kivit jo vetëm ka shtuar të ardhurat e banorëve, por edhe i ka sjellë gjallëri të re këtij fshati të largët.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore