Che Jianxin-i dhe "perandoria" e tij e mobilerive

2017-10-31 16:00:20 CRI Komenti juaj Printoni

Kryetari i bordit dhe kryezyrtari ekzekutiv i kompanisë "Red Star Macalline", Che Jianxin, nga një marangoz që nisi biznesin e vet të vogël me para të marra borxh, është sot një multimiliarder që ka krijuar një perandori të vërtetë mobilerish, që konkurron firmat e njohura ndërkombëtare "IKEA" dhe "B&Q".

Che Jianxin-i ka lindur në Changzhou të provincës Jiangsu të Kinës Lindore në vitin 1966. Kur ishte 16 vjeç ai e la shkollën dhe fillimisht donte të bëhej rrobaqepës, por familja nuk kishte para për t'i blerë makinë qepëse, kështu që Che nisi të mësonte zanatin e marangozit. Pas tre vjetësh, me 600 juanë, që sot është barasvlerësi i më pak se një 100 dollarëve, por një shumë relativisht e madhe për kohën, Che Jianxin-i nisi biznesin e prodhimit të mobilieve me porosi. Ato para xhaxhai i tij i kishte kursyer për të blerë një shtëpi, por sidoqoftë, biznesi i Che Jianxin-it shkoi aq mirë, sa pas një viti ai jo vetëm ia ktheu borxhin xhaxhait të vet, por i dha edhe 3000 dollarë më shumë. Në vitin 1988, me 80 mijë dollarë dhe me disa ortakë, 22-vjeçari i atëhershëm hapi një mobileri, e cila vazhdoi të ishte e suksesshme. Dhe kështu pas tre vjetësh të tjera rritjeje, me 170 mijë dollarë, këtë herë jo të marra borxh apo me ortakë, Che Jianxin-i krijoi Qendrën Tregtare të Mobilerive "Red Star". Përsëri zgjerimi i biznesit të Che Jianxin-i ishte shumë i shpejtë dhe brenda pesë vjetësh në provincën Jiangsu kishte 24 qendra tregtare "Red Star".

Por pikërisht atëherë, Che Jianxin-i nisi të haste probleme. Modeli i tij i biznesit i qendrave tregtare të mobilerive u kopjua nga konkurrentët e tij dhe fitimet ranë. Në fund të vitit 1996, gjysma e qendrave "Red Star" po humbisnin para dhe Che filloi të mendonte për ndryshimin e modelit të biznesit, veçanërisht për sa u përket qirasë që duhej të paguante. "'Red Star' do të vdiste nëse një gjendje e tillë do të vazhdonte," rrëfen Che Jianxin-i.

Prandaj ai vendosi t'i mbyllte të gjitha qendrat "Red Star", me përjashtim të pesë më fitimprurësve prej tyre.

Në vitin 1997, Che Jianxin-i e ndryshoi emrin e zinxhirit të qendrave të tij tregtare të mobilerive në "Red Star Macalline", që tingëllonte më ndërkombëtar dhe më ambicioz. Che bleu truall në kryeqendrën e provinces Jiangsu, Nankin, dhe në vend që të paguante qira, ndërtoi aty një qendër tregtare, dhe tërhoqi aty të tjerë tregtarë të shitjes me pakicë.

Një veprim i tillë doli i suksesshëm, duke sjellë një rritje të numrit të blerësve.

Numri i përgjithshëm i qendrave tregtare "Red Star Macalline" arriti 100 në mbarë vendin. "Trualli që blemë, tani vlen 20 herë më shumë sesa kemi paguar 10 vjet më parë," u shpreh Che Jianxin-i. "Pa numëruar pasuritë e tjera, toka që zotërojmë është me një vlerë më shumë se 10 miliardë juanë."

Në vitin 2015 "Red Star Macalline" u regjistrua në bursën e Hong-Kongut. Vitin e kaluar vlera e tregut e kompanisë ishte 26 dollarë miliardë hongkongas.

"Red Star Macalline" është vlerësuar si versioni kinez i "IKEA"-s dhe "B&Q"-së, por biznesmeni 51-vjeçar thotë se kompania e tij është diçka e ndryshme dhe i është përshtatur klientit kinez. "Ne i ndihmojmë klientët në bërjen e gjithçkaje, gjë që kinezëve u pëlqen, ndërsa kompanitë e mëdha ndërkombëtare të mobilimit të shtëpive zbatojnë konceptin 'Bëje vetë'. Gjithashtu, qendrat tona janë të mëdha, kështu që klientët kanë më shumë zgjedhje. Të vizitosh një 'Macalline' është si të vizitosh 10 'B & Q'."

Megjithëse "Red Star Macalline" ka triumfuar ndaj mjaft prej "homologëve" të vet, sërish konkurrenca në qytetet e mëdha kineze është ashpërsuar dhe ajo po i hedh sytë nga qytetet e mesme e të vogla. "Red Star Macalline" ka njoftuar planet për t'u zgjeruar edhe në biznesin e agjencive të pasurive të patundshme.

Sot pasuria e Che Jianxin-it dhe e familjes së tij arrin në 4.5 miliardë dollarë, një pjesë të së cilës ai e përdor për qëllime bamirësie, kryesisht në çështje humanitare dhe të mbështetjes së arsimit. Kështu, gjatë tërmetit të madh të rënë në provincën Sichuan në vitin 2008, Che Jianxin-i dhuroi personalisht 300 mijë dollarë amerikanë, kurse kompania e tij dha ndihmë financiare për ndërtimin e shkollave të shkatërruara nga tërmeti. Ndërkohë, "Red Star Macalline" ka krijuar një fondacion bamirësie, që veç ndihmës humanitare në raste fatkeqësish, ofron bursa studimi dhe financon ndërtimin e shkollave të reja.

Për Che Jianxin-in dy janë arsyet e suksesit të tij, puna dhe të mësuarit. "Njëzet vjet më parë, kur nisa biznesin, shpesh punoja deri në mesnatë dhe zgjohesha të nesërmen në mëngjes në orën gjashtë. Kurrë nuk guxoja të punoja pak."

Ai po ashtu vlerëson se dija dhe arsimi janë kyçi tjetër i suksesit, megjithëse ai vetë u detyrua ta ndërpresë arsimimin zyrtar. "Në thelb, rruga drejt rritjes dhe suksesit për sipërmarrësit kinezë është përmes të mësuarit". "Mësoni më shumë," është refreni që Che Jianxin-i u përsërit shpesh punonjësve të tij. Che jo vetëm thotë se ka lexuar më shumë se dy mijë libra dhe merr me vete të paktën pesë libra kur bën udhëtime biznesi, por u kërkon menaxherëve të kompanisë së tij që të kenë gjithnjë me vete të paktën një libër me vete kur udhëtojnë për qëllime pune, e madje jo vetëm i ka blerë secilit prej tyre nga një raft librash, por edhe paguan punonjëset për pastrimin e tyre.

"Vetëm duke i çliruar ata nga vogëlsirat, mund të arrihet që ata të fokusohen në mësimin e gjërave të reja, si për shembull, të atyre dijeve që mund të merren nga librat. Në fund të fundit, kjo është një gjë e mirë edhe për punën e tyre," shprehet miliarderi 51-vjeçar që e vlerëson shumë librin dhe dijen. (Artan Goga)

Mrekulli