Shen Guojun-i dhe rruga e tij drejt "perandorisë së biznesit"

2017-10-17 11:15:06 CRI Komenti juaj Printoni

Sipërmarrësi kinez Shen Guojun-i la një punë të mirë shteti në bankë për nisur biznesin e vet privat, që tashmë është shndërruar në një grup që e ushtron veprimtarinë e vet në një numër të madh sektorësh, falë edhe bashkëpunimit me kompani të njohura si gjiganti i tregtisë elektronike "Alibaba". Shen Guojun-i po shkon tashmë drejt krijimit të perandorisë së vet të biznesit.

55-vjeçari Shen Guojun-i ka lindur në Ningbo të provincës Zhejiang të Kinës Lindore. Pas përfundimit të studimeve universitare dhe më tej të marrjes së gradës "master" në Universitetin e Ekonomisë dhe të Drejtësisë "Zhongnan" të Wuhan-it në vitin 1986, Shen nisi punë në Bankën e Ndërtimit të Kinës, në një degë të saj të specializuar në pasuri të patundshme. Më pas ai u dërgua për të punuar në një degë të pronave dhe investimeve industriale të bankës në provincën më jugore të Kinës, ishullin Hainan, por pas disa vjet pune aty, vendosi të krijojë biznesin e vet. Dhe kështu në vitin 1997 Shen Guojun-i krijoi kompaninë "Yintai Holdings" të Kinës, sot Grupi "Yintai". Ai fillimisht planifikonte të merrej me shitblerje pasurish të patundshme, por nuk pati sukses dhe ndërtesën e parë komerciale që bleu, nuk arriti ta shiste dot. Në nëntor 1998 Shen-i e ktheu atë ndërtesë në një qendër tregtare, të cilën e quajti "Intime", baza e asaj që sot është kompania "Intime", një nga kompanitë përbërësë të Grupit "Yintai".

Qendra tregtare "Intime" u fokusua te konsumatorët e rinj dhe doli se kjo ishte një zgjedhje e drejtë. Biznesi lulëzoi dhe deri në vitin 2005 Shen Guojun-i kishte hapur katër qendra të tilla tregtare, me një vëllim shitjesh që i kalonin 3 miliardë juanë (450 milionë dollarë). Në vitin 2007 Shen Guojun-i e regjistroi kompaninë "Intime" në Bursën e Hong-Kongut.

Ndërkohë Shen Guojun-i siguroi një investim nga firma e njohur "Warburg Pincus" dhe filloi të bëjë edhe vetë investime të suksesshme, në firma të tjera pasurish të paluajtshme dhe energjetike.

Në fund të vitit 2008 Shen Guojun-i përuroi Qendrën "Yintai" të Pekinit, në atë kohë ndërtesa më e lartë e kryeqytetit të Kinës.

Shen Guojun-i zotëron tani mbi 30 qendra tregtare në të gjithë Kinën dhe po planifikon hapjen e të tjerave. Kështu vetëm në Pekin priten të hapen pesë deri në tetë qendra tregtare brenda vitit 2018.

Për të financuar zgjerimin e shpejtë të biznesit të vet, në vitin 2009 "Yintai" shiti një pjesë të aksioneve të degëve të veta për 578 milionë juanë (87 milionë dollarë amerikanë), si dhe 50 % të aksioneve të saj në sipërmarrjet me investime të përbashkëta, kompaninë e qendrave tregtare "Intime Lotte" e Pekinit dhe kompaninë e pasurive të patundshme komerciale "Hubin" e Hangzhou-t.

Një vit më pas, "Intime" bleu nga grupi hongkongas "Henderson Land" 50 % të një kompanie qendrash tregtare me qendër në Pekin për një vlerë rreth 210 milionë dollarë në atë kohë. Në përfundim të transaksionit Shen Guojun-i krijoi një marrëdhënie të ngushtë biznesi me një prej biznesmenëve më të pasur nga Hong-Kongu, Lee Shau-kee.

Në vitin 2013, "Yintai", së bashku me gjigantin "Alibaba" dhe disa kompani të mëdha të postës së shpejtë krijuan Kompaninë e Teknologjisë së Rrjetit "Cainiao", një sipërmarrje ambicioze logjistike që planifikon të investojë 300 miliardë juanë (mbi 45 miliardë dollarë amerikanë) në dhjetë vjetët e ardhshëm. Shen është kryezyrtari ekzekutiv i "Cainiao"-s.

Një vit më vonë, Jack Ma i "Alibaba"-s dhe Shen Guojun-i e zgjeruan marrëdhënien e tyre të biznesit me blerjen nga "Alibaba" për 692 milionë dollarë të 9% të aksioneve të "Intime"-t. "Alibaba" mori po ashtu të ashtuquajtura "bono të konvertueshme", pra bono që mund të kthehen në aksione të kompanisë që i lëshon ato, të cilat do ta rrisnin pjesën e aksioneve të "Alibaba"-s në "Intime" në rreth 27%. Ndërkohë, në janar të këtij viti, "Alibaba " u bashkua përsëri me Shen Guojun-in për të privatizuar plotësisht "Intime" duke e çregjistruar nga Bursa e Hong-Kongut, në një transaksion me vlerë 2.6 miliardë dollarë. Ndonëse te disa ka krijuar befasi ky bashkëpunim i një gjiganti të tregtisë elektronike me një kompani të tregtisë me pakicë tradicionale, analistët e shohin atë thjesht si një përpjekje të "Alibaba"-s për të zotëruar një platformë që mund të quhet fizike, për të zgjeruar praninë e vet në shitjen me pakicë, duke e transformuar atë. Kryeekzekutivi i "Alibaba"-s Daniel Zhang Yong tha: "Bashkëpunimi ynë me 'Intime' do të na mundësojë të shfrytëzojmë potencialin afatgjatë të rritjes së një forme të re të shitjes me pakicë në Kinë, të mundësuar nga teknologjia e internetit".

Ndërkohë, shitja me pakicë është vetëm një nga gjashtë fushat e biznesit Grupi "Yantai", që ka në përbërje të vet edhe kompani që e ushtrojnë veprimtarinë e vet në sektorët e pasurive të patundshme, burimeve minerare, turizmit, investimeve dhe zonave industriale. Grupi ka tani më shumë se 60 mijë të punësuar.

Zgjerimi i sipërmarrjes së Shen Guojun-it sigurisht ka sjellë edhe rritjen e pasurisë së tij, që tashmë arrin në 2.1 miliardë dollarë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore