Kinë, smartfonat i "japin krahë" financës në internet

2017-10-17 11:15:27 CRI Komenti juaj Printoni

Tani në Kinë njerëzit nuk kanë nevojë të shkojnë në bankë për transferim parash, pagesa, kredimarrje dhe shërbime të tjera financiare, pasi të gjitha këto realizohen me aplikacionet në smartfon. Me zhvillimin e shpejtë të financës në internet, njerëzit në Kinë gjenden përpara ndryshimeve shumë të mëdha dhe disa probleme të vjetra janë zgjidhur lehtë.

2013-a është viti i parë i financës në internet në Kinë. Në muajin qershor të atij viti, filloi zyrtarisht nga funksionimi një fond monetar i quajtur "Yu'ebao". Me një aplikacion të instaluar në smartfon, njerëzit mund të bënin blerje e riblerje fondesh, duke fituar më shumë sesa nga interesat bankare. Kjo mënyrë e re me përfitime të dukshme parapëlqehet shumë nga klientët. Hong Peilin-i punon në Shenzhen të Kinës Jugore. Ai më parë e linte një pjesë të kursimeve në kartën bankare. Pasi mësoi për këtë aplikacion, ai i kaloi brenda një minute paratë e tij në "Yu'ebao".

"Rreth një muaj pas fillimit nga funksionimi të 'Yu'ebao'-s, u regjistrova, sepse zbulova që nga kjo do të kisha më shumë fitime sesa nga interesat e ulëta të bankës," thotë Hong Peilin.

Deri në muajin qershor të këtij viti, vlera e fondit "Yu'ebao" arrinte në 1.43 trilionë juanë, duke u bërë fondi më i madh monetar në botë. Pas "Yu'ebao"-s, janë krijuar edhe shumë produkte të tjera të financës në internet, të cilat u kanë ofruar mundësi të shumta klientëve të ndryshëm. Drejtori ekzekutiv i kompanisë financiare "Qianjing", Zhao Rongchun, u shpreh:

"Në të kaluarën, njerëzit shkonin në bankë për të përfituar nga shërbimet e ofruara aty, teksa në të ardhmen do të ndodhë një proces i rëndësishëm i heqjes së pikave të shërbimit. Më parë, klientëve u ofroheshin shërbime nëpërmjet kompjuterave, kurse të ardhmen patjetër do të përdoren celularët. Kështu, unë mendoj që kalimi nga pikat e shërbimit në kompjutera e pastaj në celularë është një proces i rëndësishëm" .

Sipas të dhënave nga Qendra e Informacionit të Internetit e Kinës, deri në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, numri i përdoruesve të internetit të lëvizshëm në Kinë arriti në 720 milionë, numri i klientëve të shërbimeve elektronike të ofruara nga bankat komerciale arriti në 380 milionë dhe mbi 142 milionë veta përdorën internetin për blerjen e produkteve financiare.

Në dhjetor të vitit 2014, u hap zyrtarisht banka e parë private në internet në Kinë, "Webank". Në krahasim me bankat tradicionale, "Webank" ka karakteristikat e saj të veçanta dhe njerëzit nuk kanë nevojë të shkojnë në sportele a në pikat e shërbimit dhe të gjitha shërbimet, si kredidhënia etj., bëhen nëpërmjet internetit me mbështetjen e teknologjive të identifikimit të fytyrës dhe të dhënave të mëdha. Presidenti i bankës "Webank" Cao Tong shprehet:

"Emërtimi barasvlerës i 'Webank'-ut në gjuhën kineze do të thotë ndërmarrje të vogla, e madje edhe makrondërmarrje, për të gjithë publikun. Me këtë emër, kemi një strategji shumë të qartë për klientët tanë, që janë ndërmarrjet e vogla dhe qytetarët e thjeshtë."

Në krahasim me sistemin financiar tradicional, i cili ofron shërbime kryesisht për 20 % të klientëve, financat në internet i shërbejnë 80-përqindëshit tjetër të klientëve. Me mbështetjen teknologjike, pagesa nëpërmjet celularit është bërë më e thjeshtë dhe është zgjidhur me sukses problemi i vjetër i "kilometrit të fundit", domethënë i hallkës së fundit të ofrimit të shërbimit, që është edhe më problematiku e më pak efikasi. Analisti i lartë i financës në internet, Wang Weidong, shprehet:

"P. sh., sektori bankar ka në fakt përmasa shumë të mëdha dhe fokusohet te 20 % e klientëve të nivelit të lartë, ku përfshihen individë dhe biznese. Ndërsa grupet e tjera, si qytetarët e thjeshtë dhe mikrondërmarrjet, kanë nevoja të mëdha për kapitale dhe për të pasur shërbime të tilla financiare."

Me këtë mundësi të re, në vitin 2013, Shen Lei, që është i dhënë pas biznesit elektronik, hyri në sektorin e financës në internet.

"(E bëj këtë,) sepse e kam parë hapësirën e madhe të financës në internet. Klientët që bëjnë investime në internet, mund ta përdorin këtë metodë të re në internet dhe ndërmarrje të vogla kanë nevojë të mëdha për kapitale. Në këto kushte, financa në internet u ka ofruar atyre një platformë krejtësisht të re financimi," thotë Shen Lei.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore