Kinë, mjedisi i biznesit favorizon kompanitë e huaja

2017-10-24 14:46:14 CRI Komenti juaj Printoni

Drejtuesit e kompanive të huaja në Kinë, si GE, "Ernst&Young", "MasterCard" dhe "Kollmorgen" janë shprehur që, në pesë vjetët e fundit, i kanë ndier konkretisht ndryshimet pozitive të tregut kinez, duke u favorizuar nga politikat e Kinës. Me shpalljen dhe fillimin e zbatimit të strategjive, si "Një brez, një rrugë" dhe "Made in China 2025", këto kompani janë optimiste për perspektivën e biznesit të tyre në Kinë.

GE është një gjigant global në industrinë dixhitale. Zv.presidentja e GE-së dhe presidentja dhe kryezyrtarja ekzekutive e degës së GE-së në Kinë, Duan Xiaoying, u shpreh që mjedisi i biznesit në Kinë po përmirësohet pandërprerë dhe departamentet e ndryshme qeveritare po nxitin lehtësimin e administrimit, duke krijuar një sërë platformash shërbimi dhe sistemesh koordinimi për kompanitë e huaja, çka ka luajtur një rol aktiv për uljen e kostos dhe shtimin e efektivitetit.

Znj. Duan bëri të ditur që, qysh nga viti 2013, kur u krijua Zona e Tregtisë së Lirë e Shangait, grupi GE ka përfituar nga politikat dhe masat favorizuese në tregti, dogana dhe kontrollin e mallrave:

"Unë mendoj që, ndryshe nga e kaluara, i gjithë procesi i administrimit është thjeshtuar dhe shpejtuar. Gjatë këtij procesi, nëse mund të ndeshemi me probleme, mund të kontaktojmë me persona të posaçëm për zgjidhjen e tyre. Për këtë arsye, në dy-tre vjetët e fundit, kemi pasur përparime shumë të shpejta në qendrën operative të Azi-Paqësorit dhe njësinë e inovacionit dixhital, për të cilat janë harxhuar vetëm disa muaj për të filluar nga funksionimi konkret".

Në pesë vjetët e kaluar, autoritetet kineze kanë shpallur një sërë politikash dhe kanë lehtësuar hyrjen e kompanive të huaja në Kinë, duke krijuar një mjedis më të barabartë konkurrence. Në janarin e këtij viti, Këshilli i Shtetit i Kinës publikoi një dokument masash për shtimin e shfrytëzimit të investimeve të huaja, duke zgjeruar më tej hyrjen e investimeve të huaja në sektorët e shërbimit, të prodhimit dhe të minierave, duke i mbështetur kompanitë e huaja të përfitojnë nga strategjitë shtetërore, si "Made in China 2025", njësoj si kompanitë vendase.

"Ernst & Young" është firmë e njohur kontabiliteti. Titus von dem Bongart është partner për taksat në këtë firmë. Ai është nga Gjermania dhe ka jetuar në Kinë për më shumë se 20 vjet. Bongart thotë që e ka parë me sytë e vet rritjen e shpejtë ekonomike dhe hapjen e pandërprerë të tregut të Kinës. Sipas tij, biznesi i "Ernst & Young" ka pasur një rritje të madhe krahas zhvillimit të shpejtë ekonomik të Kinës dhe vitet e fundit ndryshimet pozitive në tregun kinez e kanë favorizuar shumë firmën ku ai është partner.

"Jemi shumë kënaqur nga paraqitja e 'Ernst & Young'-ut në Kinë në pesë vjetët e kaluar. Vitet e fundit, Kina ka krijuar zonat e tregtisë së lirë dhe po i pakëson pandërprerë pikat e së ashtuquajturës 'listë negative'. Tani klientët tanë mund të futen më lehtë në tregun kinez dhe, për këtë arsye, ne mund të ofrojmë shërbime më cilësore. Ndërkohë, po shohim që më shumë firma të tjera të huaja të këtij sektori po futen në Kinë," thotë Bongart.

Edhe kryemenaxheri i kompanisë "Kollmorgen" për Kinën dhe Azinë Juglindore, Liu Weifeng, e kanë vënë re shtimin e efikasitetit të qeverisë. Ai thotë që vitet e fundit, mjedisi ligjor në Kinë është përmirësuar, procesi i tenderimeve është më transparent dhe kompanitë e huaja mund të marrin pjesë në konkurrim në një mjedis më të barabartë. Ai shprehet se një ndryshim pozitiv është që edhe qeveria vendore po jep më shumë mbështetje për biznesin e tyre.

"Shpeshherë takohemi me drejtuesit e zonave industriale dhe të shkollave dhe instituteve kërkimore. Diskutojmë për çështjen e një bashkëpunimi më aktiv dhe tani kemi disa projekte në zbatim. Këto vite e ndiejmë që qeveria dhe institutet kërkimore kanë një dëshirë më të madhe për të bashkëpunuar me kompanitë e huaja dhe qëndrimi i tyre po ndryshon pozitivisht," thotë Liu Weifeng.

"Mastercard" është kompania e parë ndërkombëtare e kartave të kreditit që ka hyrë në Kinë. Gjatë këtyre 31 vjetëve të pranisë në vet në Kinë, ky gjigant ndërkombëtar ka dëshmuar nga afër zhvillimin e vrullshëm të ekonomisë kineze. Presidenti i degës së "Mastercard"-it në Kinë Chang Qing bën të ditur që në pesë vjetët e fundit, biznesi i "Mastercard"-it në Kinë ka patur rritje të vrullshme dhe Kina është tashmë tregu më i rëndësishëm i kësaj kompanie në mbarë botën.

"Pesë vjetët e kaluar janë një periudhë që 'Mastercard'-i ka pasur një zhvillim shumë të mirë në Kinë. Kina është bërë tregu më i rëndësishëm i 'Mastercard'-it në mbarë botën. Kjo ndodhi faktikisht në këtë periudhë 5-vjeçare dhe është një fazë jashtëzakonisht e rëndësishme e zhvillimit të firmës sonë. Këto vitet e fundit, në Kinë kemi pasur bashkëpunime të ndryshme me mbi 40 banka, duke nxjerrë mbi 100 produkte të reja," thotë Chang Qing, presidenti i degës së kompanisë "Mastercard" në Kinë.

Kompanitë e huaja në Kinë janë optimiste për biznesin e tyre në Kinë, sepse vitet e fundit, ato kanë pasur zhvillim dhe arritje konkrete aty. Sipas tyre, në të ardhmen, ekonomia kineze do të ketë një perspektivë më të mirë. Sipas një sondazhi të OKB-së, Kina mbetet një nga destinacionet më të parapëlqyera për kompanitë ndërkombëtare.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore