Kinë, përhapje e shpejtë e pagesës elektronike

2017-10-10 15:31:06 CRI Komenti juaj Printoni

Është normale që të marrim para kur dalim nga shtëpia e shkojmë diku. Por në Kinë, me përhapjen e shpejtë të aplikacioneve të celularit, si "Alipay" dhe "Wechat Pay", mënyra e pagesës së kinezëve po ndryshon. Shumë të rinj tani nuk marrin portofol dhe metoda e pagesës "pa para në dorë" është bërë një dukuri e përhapur.

Yan sapo është diplomuar në një universitet të Pekinit dhe është takuar me shokun e tij, Wang, në një kafene. Yan nuk ka portofol në dorë, por vetëm një celular. Shoku i tij Wang thotë:

"Tani në Pekin pagesa elektronike zë 70-80 % të konsumit të përditshëm, kurse pagesa me para në dorë zë më pak."

Yan, nga ana e tij, tregon: "Unë zakonisht nuk marr më shumë se 100 juanë me vete. Për shembull, tani kam vetëm 10 juanë. Vetëm me një celular, ndihem i sigurt."

Edhe në vendparkim, nuk ka nevojë për pagesë me para në dorë. Në një pajisje, Wang-u shtyp numrin e targës dhe zgjedh mënyrën e pagesës. I gjithë procesi kryhet brenda jo më shumë se një minute.

Në fakt, pagesa me celular dhe jo me para në dorë përdoret jo vetëm nga të rinjtë, por edhe nga shumë qytetarë të tjerë në Kinë. Të dhënat statistikore tregojnë që, në vitin 2016, u bënë më shumë se 25.7 miliardë pagesa elektronike me vlerë mbi 157 trilionë juanë, 86 % më shumë se në vitin 2015.

Në Pekin, shumë supermarkete, spitale e farmaci kanë vendosur pajisje skanimi POS, ndërsa dyqanet, restorantet e vogla etj., kanë një letër të printuar me kod skanimi, me të cilën njerëzit mund të bëjnë pagesa me celular. Një shitës në një treg thotë:

"Me këtë metodë nuk ka nevojë për të kthyer kusur e nuk shqetësohem më për paratë false."

Pagesa eletronike është vërtet e volitshme, por drejtuesi teknik i një kompanie që prodhon pajisje skanimi në Shenzhen, Qin Yunchuan, bën të ditur që me këtë metodë ekzistojnë rreziqe.

"Nga njëra anë, me këtë kod, mund të merret shpejt informacioni përkatës, por nga ana tjetër, celularët e konsumatorëve mund të infektohen nga virusi. Prandaj mund të thuhet që kjo metodë pagese, posaçërisht me skanimin e kodit, ka një rrezik potencial," thotë Qin Yunchuan.

Për të zgjidhur këtë problem, "Alipay" dhe "Wechat Pay" kanë krijuar elemente të ndryshme sigurie, si kyçja e celularit, kodi i verifikimit, mbikëqyrja e transaksioneve të pazakonshme dhe bllokimi urgjent, me synim që të mbrojë mbarë procesin e pagesës.

Me sigurinë teknike, pagesa elektronike është zhvilluar në mënyrë të shpejtë. Në disa qytete, si Hangzhou, Wuhan, Fuzhou, Tianjin dhe Guiyang, ka nisur projekti i krijimit të "qyteteve pa para në dorë". Në bashkëpunim me disa kompani teknologjike, metoda e pagesës elektronike po zbatohet në disa fusha kryesore, si komunikacion, shëndetësi, arsim dhe sigurime shoqërore.

Me shtimin e turistëve kinezë jashtë vendit, metoda e pagesës me "Alipay" dhe "Wechat Pay" po përdoret tashmë edhe jashtë Kinës. Deri në muajin maj të këtij viti, pagesa me "Alipay" bëhej në mbi 4 milionë biznese në ShBA, një nga të cilat është restoranti i njohur "Crystal Jade". Menaxherja e marketingut në "Crystal Jade" Catherine Fenelon thekson:

"Shumë klientë kinezë hyjnë menjëherë brenda pasi shohin logot 'Alipay' dhe 'Wechat Pay'. Ata janë shumë të emocionuar. Shumë prej tyre nuk flasin anglisht e tani, kjo metodë pagese që e njohin mirë, është shumë e volitshme."

Pagesa elektronike po zhvillohet shpejt dhe po ndryshon jetesën e njerëzve. Në të kaluarën ishte turp të dilje jashtë shtëpisë pa para me vete, ndërsa tani, vetëm me një celular, mund të shkosh ku të duash e të blesh çfarë të duash. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore