Shefqet Kastrati, 25 vjet suksesi në biznes

2017-09-26 14:44:03 CRI Komenti juaj Printoni

Ditët e fundit Fondacioni për Liri Ekonomike publikoi emrat e 10 sipërmarrësve më të pasur në Shqipëri për vitin 2016. Vlerësimi është bërë mbi bazën e kapitaleve të kompanive në zotërim të këtyre sipërmarrësve dhe investimeve të ndryshme në veprimtari ekonomike e pasuri të patundshme. Ashtu si edhe vitet e kaluara, lista vazhdon të kryesohet nga ai që cilësohet si miliarderi i parë shqiptar, presidenti i "Balfin Group", Samir Mane, për të cilin kemi folur tashmë në rubrikën tonë. Në vend të dytë, ashtu si edhe vjet, renditet ai që do të jetë personazh i emisionit tonë të sotëm, presidenti i "Kastrati Group", Shefqet Kastrati. Z. Kastrati është një ndër emrat më të njohur e më jetëgjatë të sipërmarrjes private në Shqipëri, duke pasur një rrugë 25-vjeçare suksesi.

Në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar, kur në Shqipëri nisën të ndodhin shndërrime të mëdha politike dhe shoqërore, shumë të rinj shqiptarë emigruan jashtë vendit për një jetë më të mirë, por pati edhe nga ata që vendosën ta realizonin ëndrrën në vendin e tyre. E një prej tyre është pa dyshim edhe Shefqet Kastrati, një prej pionierëve të sipërmarrjes private në Shqipëri. Në vitin 1992, 31-vjeçari i atëhershëm krijoi firmën e parë të tregtimit të karburanteve, që fillimisht e ushtonte veprimtarinë e vet në rrethin e atëhershëm të Kukësit, duke përfshirë edhe Hasin, për t'u shtrirë më pas në Durrës, ku e ka edhe sot selinë.

Sigurisht fillimi nuk ishte i lehtë, sidomos në atë kohë kur biznesi privat në Shqipëri ishte në hapat e parë dhe tregu në përgjithësi, dhe ai i karburanteve në veçanti, ishte i parregulluar e kaotik. Por Shefqet Kastrati kishte ato tipare që i duhen një sipërmarrësi për të pasur sukses edhe në një mjedis jo shumë të mirë për mbarëvajtjen e biznesit, mbi të gjitha vendosmërinë, ambicien, punën e palodhur dhe vizionin për të ardhmen. Ata që e njohin dhe punojnë me të thonë se Shefqet Kastrati është një njeri me pak fjalë e me shumë punë dhe që mendon se falë punës arrihet gjithçka.

Falë këtyre cilësive të themeluesit të saj, kompania "Kastrati" erdhi duke u rritur dhe u bë lider në sektorin e hidrokarbureve në Shqipëri, duke u shtrirë jo vetëm në mbarë vendin, por edhe me një prani të konsiderueshme në rajon e më gjerë, duke pasur si synim të bëhej një furnizues i besueshëm i hidrokarbureve në tregun ndërkombëtar.

Pas suksesit me tregtinë e hidrokarbureve, Shefqet Kastrati vendosi diversifikimin edhe në sektorë të tillë si sigurimet, tregtia e automjeteve, hoteleria, tregtia me pakicë, reklamat etj. Kështu, në vitin 202 ai ishte një themeluesit e kompanisë së sigurimeve "Albsig" dhe është tani aksionari kryesor i saj, ndërkohë që sivjet bleu edhe 45 % të aksioneve të "INSIG-Jeta", teksa 45 % të tjera u blenë nga numri një i listës së njerëzve më të pasur në Shqipëri, Samir Mane.

Ndërkohë, në vitin 2015 pjesë e "Kastrati Group" u bë "Autostar Albania", kompania që ka ekskluzivitetin në Shqipëri të tregtimit të makinave të markës së famshme gjermane "Mercedes-Benz". Në majin e sivjetshëm, bashkë me kremtimin e 25-vjetorit të krijimit, "Kastrati Group" përuroi edhe sallonin më të madh në Ballkan të ekspozimit dhe shitjes së automjeteve "Mercedes-Benz", me një investim me vlerë 13 milionë euro.

Si një ndër biznesmenët më të mëdhenj e më të suksesshëm shqiptarë, Shefqet Kastrati është vlerësuar me çmime të ndryshme. Kështu, në vitin 2014 ai mori "Çmimin për inovacionin dhe teknologjinë" të dhënë nga Dhoma Shqiptare e Tregtisë Ndërkombëtare dhe Zhvillimit, me motivacionin për "një fokus të veçantë në vlerësimin e shërbimeve të ofruara nëpërmjet një procesi të një inovacioni teknologjik të vazhdueshëm". Në ceremoninë e dhënies së çmimit ishte i pranishëm edhe kryeministri shqiptar Edi Rama. "Sfida është ajo që e mban Shefqet Kastratin në lojë, dhe jo paratë," u shpreh z. Rama në këtë ceremoni.

"Kastrati" nisi si një biznes familjar, ndërsa përgjatë këtyre 25 vjetëve është shndërruar në një grup të madh me disa kompani, tre prej të cilave renditen ndër 200 kompanitë kryesore në Shqipëri. Të ardhurat vjetore bruto të Grupit arrijnë në më më shumë se 500 milionë euro, ndërsa numri i punonjësve afro 1000.

Logoja e kompanisë "Kastrati" është përkrenarja e heroit kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Biznesmeni Shefqet Kastrati e zgjodhi jo thjesht si element krenarie kombëtare një objekt të tillë, por edhe si një simbol të fitores, të suksesit. Në një përkim të bukur, Gjergj Kastrioti njohu 25 vjet fitore, ndërsa 25 vjetët e deritanishëm në biznes të Shefqet Kastratit kanë qenë pa dyshim një histori suksesi. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore