Chen Yixi, biznesmeni i këpucëve që ka pasion leximin

2017-09-19 15:54:15 CRI Komenti juaj Printoni

Kryetari i bordit dhe drejtori ekzekutiv i grupit "C. Banner" Chen Yixi cilësohet edhe si "biznesmeni që i pëlqejnë librat". Por ky pasion për dijen e leximin jo vetëm nuk e ka penguar, por e ka ndihmuar të jetë një sipërmarrës i sukseshëm gjithnjë në ngritje.

Chen Yixi ka lindur në vitin 1967 në Nankin, kryeqendra e provincës Jiangsu në Kinën Lindore. Ai kreu studimet në Universitetin Pedagogjik të Nankinit, ku takoi edhe dy partnerët e tij të ardhshëm të biznesit.

Të tre kishin të përbashkët pasionin për leximin, si edhe moton që koha është shumë e çmuar për ta çuar dëm.

Dhe kështu pas diplomimit, Chen Yixi hoqi dorë nga puna e sigurt dhe e qëndrueshme në shtet dhe bashkë me dy shokët e tij të universitetit krijoi në vitin 1995 kompaninë e prodhimit të këpucëve "Hongguo", ose "Mayflower" në gjuhën angleze. Ideja për t'u marrë me prodhimin e këpucëve ishte pikërisht e Chen Yixi-së, i cili, pasi e kishte studiuar këtë industri për dy vjet, kishte parë se, ndonëse Kina prodhonte në atë kohë 6 miliardë palë këpucë në vit, që ishin barazi me 60 % të prodhimit botëror të këpucëve, pothuajse nuk kishte asnjë markë të vetën. Chen donte ta ndryshonte një fakt të tillë.

Ai krijoi markën e vet, të cilën e quajti "C.banner", me produkte për tregun e nivelit të mesëm dhe të lartë për femrat.

Fillimi ishte shumë i vështirë. Chen Yixi-së i duhej të luante jo vetëm rolin e drejtuesit të kompanisë, por edhe të dizenjuesit, shitësit dhe dërguesit të mallit. "Nëse dikush pranonte t'i vinte këpucët tona në raftet e dyqaneve të tyre, unë isha aq mirënjohës, saqë doja të ulesha në gjunjë dhe ta falënderoja", kujton ai ditët e para. Për të kujtuar ato ditë dhe rrugën që ka përshkruar për të arritur deri aty ku ka arritur, Chen Yixi ende ruan si relike çantat plastike me të cilat mbante këpucët kur i duhej të bënte dërgimin e tyre.

Sidoqoftë, një vit pasi nisi sipërmarrjen, këpucët e markës "C.banner" shiteshin në 700 dyqane në mbarë Kinën. Në vitin 2001, "Hongguo" ndërtoi fabrikën e vet të dytë, në Dongguan të provincës jugore Guangdong. Dy fabrikat e "Hongguo" prodhonin 2.7 milionë palë këpucë në vit, të cilat shiteshin në më shumë se 2 000 butikë dhe dyqane në të gjithë Kinën. Kompania nisi edhe biznesin e prodhimit me kontratë, duke bërë këpucë edhe për markat ndërkombëtare si "Nine West".

Në vitin 2003, "Hongguo" u rendit i treti për sa i përket tregut vendor, duke u regjistruar edhe në Bursën e Singaporit. Po atë vit Chen vendosi diversifikimin e kompanisë së tij edhe në tregtimin me pakicë të librave, duke krijuar markën "Popular Bookmall". Në libraritë "Popular Bookmall" , përveç librave, nisën të ofrohen edhe çaj e kafe, si edhe leksione falas. Synimi i Chen Yixi ishte krijimi i të ashtuquajturave "lokale kulturore".

Pas një viti "Hongguo" krijoi markën e vet të dytë, "EBLAN",

Në vitin 2010 "Hongguo" ngriti një fabrikë të tretë në Suining të provincës Sichuan në Kinën Jugperëndimore dhe u çregjistrua nga bursa e Singaporit, por u regjistrua një vit më pas në bursën e Hong-Kongut me emrin Grupi "C. banner", duke krijuar edhe dy marka të reja, "FABIOLA" dhe "sundance". Një vit më pas do të ishte radha e krijimit të markës së pestë, "MIO". Më pas Chen Yixi u përqendrua në blerjen e markave të njohura ndërkombëtarisht, e pikërisht të "BAGLEY MISCHKA" dhe "MARK&JAMES".

Por blerja më e spikatur nga kompania e Chen Yixi-së është ajo e firmës më të vjetër britanike të shitjes së lodrave "Hamleys" për 100 milionë paund në vitin 2015. Chen Yixi theksoi pas blerjes se kompanitë kineze janë nxitur për të investuar jashtë vendit nëpërmjet nismës "Një brez, një rrugë" dhe blerja e "Hamleys"-it ishte bërë për të siguruar epërsi mbi rivalët. "Një markë e fortë është një pasuri e çmuar," u shpreh Chen. "Blerja e një marke me famë botërore mund të rrisë ndjeshëm përparësitë konkurruese të firmës."

Me gjithë përfshirjen në biznes dhe kohën e përkushtimin që kërkon një gjë e tillë, Chen Yixi nuk e ka harruar pasionin e vet të parë,dashurinë për leximin, madje është përpjekur ta futë kulturën e të lexuarit edhe në kompaninë e vet. Ai shpenzon 100 mijë juanë në vit për blerjen e librave për punonjësit e kompanisë së tij. Një nga rregullat në "C.banner" është që drejtuesit kryesorë duhet të lexojnë 48 libra në vit, menaxherët e nivelit të mesëm 24 dhe pjesa tjetër e stafit të paktën 12. (Artan Goga)

Mrekulli