Hong-Kongu, rol aktiv në nismën "Një brez, një rrugë"

2017-09-19 15:53:52 CRI Komenti juaj Printoni

Javën e kaluar qeveria e Rajonit të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut dhe Këshilli i Zhvillimit Tregtar i këtij rajoni organizuan bashkërisht forumin e nivelit të lartë për nismën "Një brez, një rrugë", ku morën pjesë mbi 3000 politikanë, biznesmenë dhe ekspertë të qarqeve të ndryshme. Një nga çështjet kryesore të diskutuara në këtë forum ishte bashkëpunimi infrastrukturor. Kompanitë nga pjesa kontinentale e Kinës dhe ato nga Hong-Kongu kanë treguar interes të përbashkët për shtimin e bashkëpunimit e të inovacionit, për të nxitur nismën "Një brez, një rrugë".

Tema e këtij forumi ishte "Nga vizioni në veprim". Kryeadministratorja e Hong-Kongut Carrie Lam Cheng Yuet-ngor u shpreh në fjalimin e rastit se Hong-Kongu, si një metropol ndërkombëtar dhe nyja lidhëse më e ngushtë e Kinës me botën e jashtme, mund të japë ndihmesë të madhe për "pesë lidhjet" (lidhjet politike, tregtare, financiare, infrastrukturore dhe njerëzore) e përfshira në nismën "Një brez, një rrugë". Sipas saj, ky forum do të nxitë kalimin e kësaj nisme nga "vizioni në veprim":

"Forumi i nivelit të lartë 'Një brez, një rrugë' është një takim shumë i rëndësishëm, nëpërmjet të cilit publiku mund të njihet më mirë me nismën 'Një brez, një rrugë'. Me anë të tij ne mund të diskutojmë dhe të bashkëpunojmë me palët e interesuara. Vendimmarrësit tanë dhe menaxherët e investitorët e projekteve tona janë mbledhur këtu nga e gjithë bota dhe unë jam e bindur që ky forum do të ndihmojë në procesin e shndërrimit 'nga vizioni në veprim' të nismës 'Një brez, një rrugë'".

Në fjalimin e saj, Carrie Lam theksoi rëndësinë e bashkëpunimit infrastrukturor në procesin e zbatimit të nismës "Një brez, një rrugë". Ndërkohë, ajo vuri në dukje se investimet për ndërtimin e infrastrukturës në kuadër të kësaj nisme kërkojnë shërbime të ndryshme profesionale, duke përfshirë vlerësimin e rreziqeve, financimin, sigurimet, kontabilitetin, shërbimet ligjore dhe arbitrazhin, që sipas saj janë forca të reja shtytëse për ekonominë hongkongase.

Në bashkëpunimin për ndërtimin infrastrukturor në kornizën e nismës "Një brez, një rrugë", Hong-Kongu dhe pjesa kontinentale e Kinës po përpiqen bashkërisht për të kaluar nga idetë në veprime konkrete. Korporata e ndërtimit të hekurudhave e Kinës (CRCC), e cila ka ndërtuar autostradën e parë dhe hekurudhën e parë në rrafshnaltë në Kinë, është një nga forcat kryesore në zbatimin e nismës "Një brez, një rrugë". Në tre vjetët e fundit, CRCC me 41 vendet dhe rajonet përgjatë "Një brez, një rrugë" ka nënshkruar kontrata me vlerë mbi 5 miliardë dollarë amerikanë. Në të ardhmen, CRCC do të planifikojë dhe të zbatojë më shumë projekte për sa u përket metrove dhe linjave qytetëse. Presidenti i CRCC-së Meng Fengchao mendon që krijimi i lehtësirave në udhëtim në mbarë botën është kontributi që mund të japë kjo kompani:

"Projektet e nismës 'Një brez, një rrugë' kanë të bëjnë kryesisht me lidhjet tokësore. Kështu, në zbatimin e këtyre projekteve, kompania jonë ka epërsi të dukshme. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me kompanitë e Hong-Kongut dhe me ato të huaja për të vënë në jetë nismën 'Një brez, një rrugë'", duke lehtësuar më tej udhëtimin në vende të ndryshme. Ky është kontributi që mund të japë CRCC".

Hong-Kongu ka arritje të shumta në infrastrukturë. Kompania hekurudhore hongkongase MTR ofron shërbimet e saj në Hong-Kong, pjesën kontinentale të Kinës dhe vende të ndryshme të botës, duke qenë një nga kompanitë hekurudhore më fitimprurëse në mbarë botën. Në forumin e lartë për "Një brez, një rrugë", presidenti i kompanisë MTR, Ma Shiheng, vuri në dukje se tani MTR ka siguruar porosi nga vendet përgjatë "Një brez, një rrugë". Nga njëra anë, MTR po bën të ashtuquajturën "dalje jashtë vendit" bashkë me kompanitë e pjesës kontinentale të Kinës, dhe nga ana tjetër, po krijon risi në modelin e bashkëpunimit, duke ofruar përgatitje e trajnim për vendet përgjatë "Një brez, një rrugë".

"Vitin e kaluar, ngritëm Universitetin MTR, me synim për të ofruar trajnim për punonjësit e vendeve përgjatë 'Një brez, një rrugë', për t'i kthyer ata në ekspertë të hekurudhave. Hong-Kongu është një metropol, një qendër ndërkombëtare e financave, dhe e njeh mirë mënyrën ndërkombëtare të menaxhimit. Kështu, Hong-Kongu mund të marrë pjesë në tendera projektesh bashkë me miqtë tanë nga pjesa kontinentale e Kinës, sepse jemi pjesë e Kinës. 'Një brez, një rrugë' na ka sjellë shanse të shumta dhe ne duhet patjetër 'të dalim jashtë vendit' aktivisht. Kjo është diçka që MTR-ja ka nisur ta bëjë që para dhjetë vjetësh. Bordi drejtues i MTR-së ka marrë vendim që të zgjerohet në tregun ndërkombëtar dhe tani ne po e bëjmë këtë aktivisht," thotë Ma Shiheng, presidenti i kompanisë hekurudhore të Hong-Kongut, MTR.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore