Donika Mici, biznesmenia e pasionuar e këpucëve

2017-09-12 16:24:40 CRI Komenti juaj Printoni

Donika Mici, e cila drejton kompaninë më të madhe të prodhimit të këpucëve në Shqipëri, 'Donianna-Mici' ', u përball me një sfidë të madhe pas shkëputjes nga partneri italian,

por ia arriti të dalë në treg me markat e veta. Sot, po merr rezultatet e kërkuara në tregun ndërkombëtar, duke siguruar kontrata nga blerës të ndryshëm të mëdhenj.

Suksesin e ka arritur pas 25 vitesh punë, duke provuar edhe dështime derisa arriti ëndrrën: prodhimin me cikël të mbyllur të këpucëve 'Made in Albania' me markat e saj: 'Doniana' për femra dhe 'Mici's' për burrat.

Kur Donika Mici, administratore dhe aksionere e kompanisë më të madhe në prodhimin e këpucëve në Shqipëri 'Donianna' vendosi në vitin 2010 shkëputjen nga partnerët italianë,

e dinte që nuk do ta kishte të lehtë. Ndonëse prej kohësh kishte kaluar nga puna me material porositësi, në cikël të mbyllur, roli i partnerit italian ishte i madh në gjetjen e tregjeve jashtë vendit.

Dhe vërtet, kompania shënoi rënie të xhiros pas 2010-s kur doli atë vit në treg me markat e veta.

"Ishte normale që do të kishte rënie, sepse ishte jo e lehtë të dilje në një treg mbi 100-vjeçar me markën tënde", tregon Donika. Por nuk u dorëzua, kishte besim të patundur se do t'ia dilte:

"Duhej shumë punë për të thyer mendimet se si do t'ia arrinim vetë, pa italianët". Shumëkush e paragjykoi nëse do të arrinte të punonte vetëm, pa partnerët, që ishin thelbësorë në gjetjen e tregjeve.

Donika punësoi modelistë, investoi ne dizajn dhe prodhimin e dy markave të saj.

"Dikur kemi pasur pas shpine kompani të mëdha që punojnë prej 60 vitesh në treg, kurse tani gjithçka e bëjmë vetë, që nga dizajni deri te prodhimi", thote Donika Mici.

Ajo thekson tendencën sot në botë, ku nuk kërkohen më kompani që punojnë me material porositësi, por të kthehen thjesht në porositës prodhimesh: "Kisha kërkesa nga fabrika të mëdha me emër që duan të kthehen në furnitorë".

Kërkesa për Shqipërinë është e madhe, thotë ajo dhe pohon avantazhet e ciklit të mbyllur dhe daljes më vete, ku industria e këpucëve në Shqipëri mbetet më e zhvilluar:

"Ka fabrika dhe furnitorë të mëdhenj, që duan të furnizohen sot nga Shqipëria, ndaj dhe kompani të tjera shqiptare po punojnë që të kalojnë në produktin e tyre".

Donika Mici tregon se kalimi me cikël të mbyllur i mundësoi të rrisë qarkullimin vjetor me 400%, ndonëse norma e fitimit ra për shkak të nivelit të lartë të xhiros.

"Por fitimi i të paktën pesë viteve duhet të riinvestohet, se dalja më vete kërkon shumë punë. Kur punoja me partnerët italianë nuk e kisha problem të lëvizja për pushime, tashmë e kam pothuajse të pamundur", pohon ajo.

Donika Mici është entuziaste që markat e saj po shiten tashmë në të gjithë Europën.

Ajo përmend klientë të mëdhenj, si rrjetin francez të dyqaneve të këpucëve, "Andre", me mbi 800 dyqane, "Pitarello" me 120 dyqane, "Scarpe Scarpe" me 200 dyqane etj.

Donika thekson mbresën që ka ndier me rikthime të klientëve të mëdhenj, që dikur u larguan nga Shqipëria: "Dëshira e tyre për të finalizuar kërkesat me ne ishte dhe kënaqësia jonë më e madhe".

Fillesat e 'Donianna'-s datojnë në vitin 1992, kur Donika Mici mbeti pa punë, sepse një nga ndërmarrjet më të rëndësishme që merreshin me importin e mallrave industriale dhe makinerive, ku punonte, u shpërbë.

E nisi me tregti, por shpejt e kuptoi se kjo punë nuk bënte për të dhe iu drejtua prodhimit, që i dukej më i fisshëm, më i kompletuar.

"Ato vite kishte më shumë humanizëm dhe me një sipërmarrje të përbashkët me italianët, hapëm fabrikën me 70 punëtorë të brendshëm dhe 400 të tjerë që punonin në shtëpi, me dorë," kujton ajo.

Në vitin 1993, kompania u rrit në 250 punëtorë. "E nisëm me qepje, prerje, dhe punuam për një kohë të gjatë për të tjerët deri para disa viteve kur dolëm në treg si 'Donianna',

por nën hijen e ndërmarrjeve të mëdha italiane, që ishin në treg", tregon Donika. Ndër vite, kompania fitoi njohuri, rriti asistencën teknike, modelingun, nisi trajnimet dhe vendosi që të ndahej.

"Në 2010-n dolëm për herë të parë të vetëm, me markat tona, 'Donianna' dhe 'Mici's'. Sot, kompania 'Donianna', lëndën e parë e merr jashtë, kryesisht në Itali e Egjipt, ndaj 70% të kostos e zë materiali i parë.

Fabrika ka sot mbi 1500 të punësuar, ndërsa në pronësi Donika Mici ka dhe fabrika të tjera, 'Rozimpex' dhe 'Megi'.

Donika Mici pranon vështirësinë e një gruaje në biznes, por mendon se, kur një femër arrin të mbajë një shtëpi, e bën edhe biznesin.

"Femra lind në përgjithësi për sakrificë. Edhe unë kam sakrifikuar shumë nga jeta ime private, por më kanë shtyrë të eci përpara", shprehet ajo.

Kompania 'Donianna-Mici' dallon për përgjegjësinë sociale që e shtrin përveç punonjësve, te njerëz në nevojë, jetimë, familje të varfra.

Një pjesë e të ardhurave ajo e kalon te fondi i ndihmave për grupet në nevojë dhe për organizata të ndryshme.

'Donianna' synoi kalimin nga niveli i ulët e i mesëm në atë të mesëm e të lartë.

Synimi i Donika Micit mbetet krijimi i një marke të re mode, që të mbulojë dyqanet e një niveli të lartë, bashkë me pritshmëritë për dyfishim të xhiros në afatin e mesëm në rreth 50 milionë euro.

Por ajo që e nxit Donika Micin nuk është paraja, por pasioni. "Asnjëherë nuk ulem të bëj një llogari parash, sesa do të fitoj. Paraja për mua nuk ka rëndësi," shprehet ajo.

Mrekulli
Lajmet Kryesore