Annie Wu, krijuesja e ndërmarrjes së parë të përbashkët në Kinën kontinentale

2017-09-05 16:27:51 CRI Komenti juaj Printoni

Ndryshe nga shumë të tjerë, biznesmenia hongkongase Annie Wu nuk kishte nevojë ta krijonte pasurinë: mjafton ta trashëgonte atë. Por përsëri ndryshe nga shumë të tjerë në kushtet e saj, ajo nuk donte që gjërat t'i gjente të gatshme, por që të mundohej për to e të pranonte sfidat. Jo thjesht për hir të pasurimit në vetvete, por edhe të ndihmës ndaj të tjerëve, gjë që e ka bërë atë të marrë edhe nofkën "Robin Hudi" kineze. Ajo po ashtu njihet si marrësja e licenses së parë për krijimin e një ndërmarrjeje të përbashkët në Kinën kontinentale.

Annie Wu ka lindur në vitin 1948 në Hong-Kong, në një familje me origjinë nga provinca Guangdong. I ati, James Tak Wu, ishte një biznesmen i suksesshëm në Hong-Kong, i cili kishte ngritur një zinxhir restorantesh, kinemash dhe teatrosh. Annie Wu mori një arsimim të mirë në Hong-Kong dhe Londër, ndërsa studimet e larta i kreu për administrim biznesi në Shtetet e Bashkuara.

E megjithatë, pas diplomimit, Annie Wu vendosi ta niste nga fundi. Ajo filloi të punonte në një nga restorantet e babait të vet në Japoni si punëtore e thjeshtë. "Sigurisht ishte e vështirë. Unë as nuk flisja japonisht. Vetëm mund të thosha 'Doni menynë A apo B?' Unë punoja si kamariere, laja enët dhe pastroja dyshemenë, por mësova shumë."

Dhe një ndër këto gjëra që mësoi ishte edhe që biznesi shihet si një "fushë burrash". Ajo vendosi të bëjë sa mundej për ta ndryshuar një gjë të tillë.

Dy ditë para Krishtlindjeve të vitin 1978, Annie Wu ndodhej në stacionin hekurudhor të Wuhan-it, duke shkuar drejt Guangzhou-t, kur altoparlanti nga altoparlanti nisi të dëgjohej fjalimi i udhëheqësit të atëhershëm kinez Ten Hsiao Pin.

"Me zërin e tij të vendosur dhe të qartë, z. Ten tha se pjesa kontinentale e Kinës mirëpret investimet e huaja, si edhe ato nga Hong-Kongu, Makao dhe Tajvani ", tha ajo. "Ai dukej shumë i sinqertë, i drejtpërdrejtë e i besueshëm në atë që thoshte, dhe besova se në pjesën kontinentale do të nisnin ndryshimet".

Dhe shpejt Annie do të shihte një mundësi për të shfrytëzuar këtë ndryshim. Kina dhe ShBA-ja kishin filluar normalizimin mes tyre dhe shkëmbimet e nivelit të lartë mes dy vendeve priteshin të shtoheshin. Autoritetet e aviacionit të pjesës kontinentale po shqyrtonin mundësinë e përmirësimit të ushqimit që shërbehej në aeroplanë dhe Annie Wu pa aty një rast të mirë biznesi. Ajo ia shprehu idenë për shërbimin e kateringut të atit, por ai e kishte me ngurrim. Familja e tyre kishte pak njohuri për të bërë biznes në pjesën kontinentale. Por Annie Wu nuk u tërhoq dhe filloi negociatat me zyrën e Pekinit të Administratës së Aviacionit Civil të Kinës.

Por bisedimet vazhduan ngadalë. "Zyrtarët thjesht nuk dinin se si të merrnin vendime për një çështje të tillë për të cilën nuk kishin përvojë," vëren znj. Wu. "Ata nuk kishin ndonjë ide konkrete për ndërmarrjet e përbashkëta. Megjithatë, ata e ndienin se e kishin më të lehtë për të komunikuar me kompanitë nga Hong-Kongu, Makao dhe Tajvani, për shkak të rrënjëve të përbashkëta."

Më në fund një periudhë prove i bindi autoritetet dhe kështu në vitin 1980 mori licencën e biznesit me nr. 001, për krijimin e së parës ndërmarrje të përbashkët në Kinën kontinentale, të quajtur "Beijing Air Catering". Nën drejtimin e Annie Wu, dhe në kushtet e shtimit të hapjes së Kinës me botën e jashtme, biznesi i "Beijing Air Catering" ka ardhur duke u rritur.

Ndonëse e ka bërë pasurinë prej vitesh, 69-vjeçarja nuk ka ndër mend të tërhiqet dhe vazhdon të jetë aktive, jo vetëm në sipërmarrje, por edhe në shërbimin publik e bamirësi. "Kam dashur gjithmonë të jem një Robin Hud," shprehet ajo. "Ai është një hero që ua merrte të pasurve për t'u dhënë të varfërve."

Por sigurisht Annie Wu synon të jetë një Robin Hud, duke grabitur të pasurit, por duke i bindur ata të marrin pjesë në bamirësi, e duke kontribuar edhe vetë në këtë çështje. Ajo e ka fokusuar më shumë bamirësinë te fëmijët e të rinjtë, mbase edhe ngaqë vetë nuk arriti të bëhej nënë, pasi nuk u martua kurrë.

Ajo thotë: "Unë e kam kaluar kohën time të të bërit të parave. Nuk mund të shohësh një dollar të ndryshojë, por është kënaqësi të shohësh ndryshimin e të rinjve.Nëse arrin t'u japësh disa të rinjve drejtimin e duhur, atëherë kjo është më e rëndësishme sesa të bësh një milion dollarë".

Annie Wu nuk e di se sa pasuri ka. "Vlera e një njeriu nuk mund të matet meë dollarë. Rëndësi ka ajo se sa i dobishëm je për të tjerët", thotë ajo. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore