Kinë, reforma e pronësisë mbi pyjet nxit përfitimet e përbashkëta

2017-08-29 16:24:50 CRI Komenti juaj Printoni

Vitet e fundit në Kinë është nxitur reforma e sistemit kolektiv të të drejtave të pronësisë mbi pyjet, mbi bazën e së cilës qindra miliona fermerë kanë marrë sipërfaqe pyjore që mund të menaxhohen nga vetë ata. Një gjë e tillë ka nxitur motivimin e këtyre fermerëve për të mbrojtur dhe shtuar burimet pyjore.

Kina ka më shumë tokë të kultivueshme se tokë pyjore dhe 60 % e pyjeve janë në pronësi kolektive. Pas vitit 1949, kur u themelua Kina e Re, sistemi i pronësisë kolektive të pyjeve ndryshoi katër herë, por pa prekur asnjëherë të drejtën e pronësisë mbi pyjet. Pronësia kolektive e pyjeve nuk i motivonte shumë fermerët.

Kjo gjendje nisi të ndryshojë para 15 vjetësh, kur qyteza Wuping e provincës Fujian të Kinës Juglindore u përcaktua si zonë eksperimentale për privatizimin e pyjeve. Kjo reformë vlerësohet si një revolucion i madh në fshatrat kineze.

69-vjeçari Li Guilin nga fshati Jiewen i qytezës Wuping, është i pari që mori tapinë e pronësisë mbi pyjet. Ai thotë:

"Kur shkova për të marrë këtë tapi, isha mjaft i emocionuar. Kur mora tapinë, u ndjeva shumë i sigurt, se kjo pjesë mali është imja".

Me këtë reformë, Li Guilin-i është bërë pronari i një sipërfaqeje pyjore mbi 10 hektarë. Përveç bambusë dhe asparagut, ai ka mbjellë edhe lule e bimë mjekësore, si edhe rrit bletë, rosa dhe pula. Me ekonominë e lidhur me pyjet, ai mund të sigurojë 20-30 mijë juanë më shumë në vit, duke mos prerë pemët.

"Tani unë dua ta mbroj këtë tokë pyjore. Mbrojtja e pyjeve mund të zhvillojë ekonominë pyjore," thotë Li Guilin.

Ashtu si Li, çdo familje në Jiewen, me reformën e të drejtave të pronësisë mbi pyjet, ka realizuar shtimin e fitimeve dhe të ardhurat mesatare për frymë në vit në këtë fshat janë rritur në mbi 13 800 juanë. Yan Jinjing-u ka qenë sekretar i PKK-së së fshatit Jiewen kur nisi reforma.

"Në atë kohë, shoku Xi Jinping (që ishte sekretar i Komitetit të Partisë të provincës Fujian) erdhi këtu për inspektim dhe e mori këtë vendim, duke përcaktuar që sistemi i të drejtave të pronësisë mbi pyjet të jetë si sistemi i përgjegjësisë familjare me kontratë në bujqësi. Drejtimi i reformës është i duhuri, duke krijuar një atmosferë të përshtatshme," thotë Yan Jinjing-u.

Në vitin 2008, reforma e të drejtave të pronësisë mbi pyjet nisi të vihet në jetë në mbarë Kinën dhe mbi 10 milionë familje fermerësh siguruan të drejtat e menaxhimit të burimeve pyjore, me vlerë mesatare prej afro 100 mijë juanësh. Këta fermerë mund të vazhdojnë të kenë të drejtën e menaxhimit edhe pas mbushjes së afatit 70-vjeçar. Kjo reformë ka nxitur entuziazmin e fshatarëve për mbjelljen, shtimin dhe mbrojtjen e pyjeve.

Në vitin 2013, pesë vjet pas nisjes së kësaj reforme, vëllimi i pyjeve në pronësi kolektive në Kinë është rritur në mbi 5.4 miliardë metra kubë, rreth 20 % më shumë se në vitin 2008. Zv.drejtori i Drejtorisë së Zhvillimit dhe Reformës në Zonat Rurale pranë Administratës Shtetërore të Pyjeve të Kinës, Wang Junsheng, thotë që, me reformën e pronësisë mbi pyjet, janë realizuar përfitime të përbashkëta, duke siguruar zhvillimin e gjelbër ekonomik:

"Vetëm në vitin 2016, në mbarë vendin u pyllëzuan 6.8 milionë hektarë tokë dhe u kryen shërbimet në 8.4 milionë hektarë pyje. Vlera e përgjithshme e të ardhurave nga pyjet arriti 6.4 trilionë juanë, duke krijuar mbi 40 milionë vende pune."

Në nëntor të vitit 2016, qeveria kineze publikoi dokumentin zyrtar mbi përmirësimin e të drejtave të pronësisë kolektive mbi pyjet, ku bëhet planifikimi i hollësishëm për menaxhimin shkencor dhe shtimin e gjallërisë e të efektivitetit në procesin e reformës. Lidhur me këtë, Wang Junsheng u shpreh që reforma e pronësisë kolektive mbi pyjet po thellohet dhe më shumë fermerë do të përfitojnë nga ky proces.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore