Xia Jiantong-u, nga "fëmijë gjeni" në gjeni biznesi

2017-08-29 16:24:42 CRI Komenti juaj Printoni

Kryetari i bordit dhe kryezyrtari ekzekutiv i Grupit "Recon" Xia Jiantong vlerësohet se është një nga promotorët e nismës së qeverisë kineze për zhvendosjen e 400 milionë vetave nga fshati në qytet në Kinë, në atë që është procesi më i madh dhe më i shpejtë i urbanizimit në botë, me qëllim nxitjen e rritjes ekonomike në Kinë. Nga një fëmijë gjeni në shkollë, ai mund të quhet tashmë edhe një gjeni biznesi, duke arritur të zotërojë një pasuri që vlerësohet në 4.5 miliardë dollarë.

Xia Jiantong-u, i njohur edhe si Tony Xia, ka lindur më 26 tetor 1976 në qytetin e Quzhou-t në provincën Zhejiang të Kinës Lindore. Ai është një ndër ata që mund të quhen "fëmijë mrekulli". Që në moshën 3-vjeçare ai mund të recitonte përmendsh 300 poemat e famshme të dinastisë Tang. Xia tregon se prindërit ia rritën me dy vjet moshën kur e regjistruan në shkollë, kështu që ai e nisi filloren që katër vjeç. Kur ishte 19 vjeç, kur shumë të rinj të tjerë nisin universitetin, Xia Jiantong-u u diplomua në Universitetin e Pylltarisë të Pekinit. Xia nisi punë në Ministrinë e Ndërtimit të Kinës, por më vonë u bë pjesë e kontingjentit të parë të studentëve kinezë të përzgjedhur për të studiuar jashtë vendit, me synim realizimin e objektivave të strategjisë së zhvillimit kombëtar. Ai nisi studimet e doktoraturës në ShBA, në Universitetin e famshëm të Harvardit, në fushën e projektimit, të cilat i përfundoi në moshën 25-vjeçare. Pas Harvardit ai nisi studimet në një tjetër institucion të famshëm arsimor amerikan, Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit, ndërkohë që për një periudhë pesëmujore studioi edhe në Oksford.

Në mars 1999 Xia Jiantong-u bashkëthemeloi në ShBA kompaninë e projektimit XWHO. Po atë vit ai e zhvendosi kompaninë në Kinë, për të përfituar nga procesi i urbanizimit të shpejtë të vendit. XWHO siguroi kontrata me bashkitë e qyteteve të ndryshme për planifikimin urban, duke zbatuar më shumë se 500 projekte, ndër të cilat bie në sy Parku Olimpik i Pekinit, i ndërtuar për Olimpiadën e vitit 2008, si edhe Ekspozita Botërore e Shangait e vitit 2010.

Xia Jiantong-u krijoi gjithashtu një tjetër kompani në Kinë, "Teamax", të përqendruar në ndërtimin e të ashtuaquajturave "qytete inteligjente". Në janar 2015 Xia e shiti këtë kompani për 4.1 miliardë juanë (mbi 610 milionë dollarë amerikanë), 28 herë më shumë se vlera e pasurive neto të saj.

Kur gazetarët e pyetën nëse është miliarder, Xia Jiantong-u u përgjigj me të qeshur se beson se ka pak më shumë se një miliard dollarë, duke sjellë shembullin e shitjes së "Teamax"-it. Në të vërtetë, vlerësohet se pasuria e tij është shumë më e madhe. Sipas listës së njerëzve më të pasur në Kinë të hartuar nga Instituti "Hurun", pasuria e Xia Jiantong-u është 4.5 miliardë dollarë. Po Xia shprehet se për të kjo nuk ka shumë rëndësi. "Nuk më intereson renditja ime në listat e më të pasurve," thotë ai.

Xia Jiantong-u zotëron pesë kompani të regjistruara në bursë, përveç një numri kompanish të tjera më të vogla. Të gjitha ato janë pjesë e grupit "Recon", ku Xia Jiantong-u është kryetar bordi dhe kryezyrtar ekzekutiv. "Recon" është tashmë një konglomerat që e ushtron veprimtarinë e vet të biznesit në fusha të tilla si teknologjia e informacionit, kujdesi shëndetësor, logjistika, kultura, financat etj. Grupi ka më shumë se 35 mijë punonjës në 75 vende të botës.

Vitin e kaluar "Recon" bleu për 60 milionë paund klubin anglez të futbollit "Aston Villa", që vlerësohet si investimi më i madh kinez jashtë vendit për sa i përket futbollit. Xia Jiantong-u u bë një tifoz i këtij ekipi gjatë kohës që studionte në Oksford, ndërsa ka luajtur edhe vetë futboll. Por megjithatë, nuk është thjesht pasioni për futbollin që e shtyu në këtë vendim. Për Xia Jiantong-un, vënia në fokus e dashamirësve të futbollit, plotësimi i nevojave të tyre të konsumit dhe zgjerimi i këtij grupi në një bashkësi më të gjerë globale do të thotë edhe krijim i një perandorie të re biznesi. "Futbolli nuk është vetëm një sport,por unë e shoh si një industry që ofron një potencial të madh," shprehet Xia Jiantong-u. Ai thotë se është në bisedime me një kompani britanike për të prodhuar pajisje të realitetit virtual, që do t'u krijojnë tifozëve të "Aston Vilës" në mbarë botën mundësinë e krijimit të ndjesisë sikur po i ndjekin ndeshjet në stadiumin e këtij ekipi, "Villa Park".

"Ne do të jemi në gjendje të hyjmë në tregun global në sektorë si zbavitja, kujdesi për shëndetin, pijet dhe ushqimet, duke u ndërlidhur më mirë me tifozët e 'Vilës' në mbarë botën," shprehet Xia Jiantong-u.

"Aston Villa" ndodhet në kategorinë e dytë të kampionatit anglez, por Xia Jiantong-u ka besim se do ta rikthejë aty ku ka qenë dikur, ndër ekipet më të mira angleze, si edhe do ta bëjë klubin anglez të futbollit me dashamirës më të shumtë në Kinë.

Kryetari i bordit i klubit "Aston Villa" Steve Hollis thotë: "Kur shikon atë që ka arritur Tony Xia në karrierën e vet të biznesit mbushesh me besim. Ai ka udhëhequr praktikisht ndërtimin 60 qyteteve nga zeroja në Kinë dhe ka marrë pjesë në lëvizjen e 400 milionë vetave në qytete. Janë të jashtëzakonshme këto shifra dhe ato që ai ka arritur."

Mrekulli
Lajmet Kryesore