Kinë, trena të shpejtë me denduri qarkullimi "si autobusë" në deltën e Jancesë

2017-08-15 16:55:26 CRI Komenti juaj Printoni
Pak kohë më parë, treni i shpejtë i tipit "Fuxing" bëri udhëtimin e vet të parë në linjën Pekin-Shangai. Ky lloj treni me shpejtësi të madhe është projektuar dhe prodhuar në mënyrë të pavarur nga Kina me të drejta të plota të pronësisë intelektuale, duke arritur nivelin e përparuar botëror. "Jeta ndryshon me trenin e shpejtë" nuk është më vetëm një slogan dhe qytetet kineze tani janë lidhur më ngushtë se kurrë më parë nga ky lloj treni.

Zoti Xia punon në një firmë konsulence në Suzhou të provincës Jiangsu. Ai është përgjegjës kryesisht për pjesën lindore të vendit, prandaj i duhet të udhëtojë shpeshherë me tren të shpejtë mes Jiangsu-së, provincës Zhejiang dhe Shangait. Para trenit të shpejtë, ai zakonisht përdorte makina private ose autobus për të udhëtuar dhe shpesh harxhonte një ditë të tërë vetëm për të shkuar në një qytet dhe për të takuar vetëm një klient. Pas vënies në përdorim të trenit me shpejtësi të madhe, sfera dhe efektiviteti i punës së tij janë rritur shumë.

"Në fakt, treni i shpejtë mund të ndryshojë konceptin e njerëzve për jetën, e madje edhe përvojën e jetës. Sigurisht, ai mund të ndryshojë jetën e shumë njerëzve. Mund të gjeni një punë të mirë në Shangai, duke bërë një jetë cilësore në qytetet përreth Shangait. Kështu, mund të gjejmë një pikë ekuilibri mes punës dhe jetës," thotë zoti Xia.

Qysh nga viti 2010, kur janë vënë në shfrytëzim linjat hekurudhore të shpejtësisë së madhe Shangai-Nankin, Shangai-Hangzhou, Hangzhou-Ningbo etj., është formuar zyrtarisht "zona metropolitane e trenave të shpejtë" në deltën e lumit Jance. Me linjën e shpejtë, për të udhëtuar nga Nankini për në Hangzhou nuk ka më nevojë për të kaluar nëpër Shangai dhe koha e udhëtimit është më shumë se përgjysmuar në krahasim me më parë. Efekti i "bashkëqytetit" ka ndryshuar thellësisht mënyrën e jetesës së banorëve në deltën e lumit Jance, madje ka ndryshuar edhe konceptin e tyre për kohën dhe vendbanimin. Zv.drejtori i stacionit hekurudhor të Nankinit Yu Yingli tregon disa të dhëna interesante:

"Modeli i 'punës ndërqytetëse' po përhapet gjithnjë e më shumë. Mund të banosh në Nankin e të punosh në Shangai, ose të punosh në Nankin dhe të banosh në Wuhu. Kemi analiza statistikore, që tregojnë se një person brenda një muaji ka udhëtuar mbi 80 herë, më shumë se 2.5 herë në ditë, mes Shangait, Nankinit e Wuhu-së. Krahas kësaj, ka edhe të dhëna fillestare për shtimin e 'martesave ndërqytetëse' në Nankin. Në një ndër katër çifte të reja bashkëshortët punojnë në dy qytete të ndryshme."

Zhang Ling banon në Nankin dhe bashkëshorti i saj punon në Huzhou. Ata janë një nga "çiftet ndërqytetëse". Para se të fillonin nga qarkullimi trenat e shpejtë, ata takoheshin shumë rrallë. Ndërsa tani, pasi hapjes së linjave hekurudhore të shpejta, udhëtimi mes dy qyteteve 205 km larg njëri-tjetrit është shkurtuar në një orë. Që nga viti 2015, znj. Zhang udhëton shpeshherë me fëmijën e vet për në Huzhou me tren të shpejtë.

"Pas vënies në përdorim të trenave me shpejtësi të madhe, sidomos pasi na lindi fëmija, doja ta takoja më shpesh, sepse fëmija ka nevojë të shoqërohet me të atin. Pothuajse çdo fundjavë, ose ai kthehet te ne, ose unë shkoj tek ai me fëmijën. Shpesh, ai punon të shtunë, prandaj blejmë biletë për t'u kthyer të dielën. Qoftë edhe vetëm një ditë në javë është mirë për ne. Mund të them që treni i shpejtë ka shkurtuar distancën e familjes sonë," thotë Zhang Ling.

Me tren të shpejtë është më e thjeshtë të bëhet edhe i ashtuquajturi "turizëm i çastit". Përgjatë hekurudhës Nankin-Hangzhou ka peizazhe të shumta natyrore dhe pasuri të shumta kulturore. Kjo është vërtet një "linjë e artë turistike". Zonjës Sun i pëlqen shumë të udhëtojë. Ajo tregon që, me trena të shpejta, mund të bëjë turizëm edhe në fundjavë.

"Mua më pëlqen turizmi dhe shkoj ose në deltën e lumit Jance, ose pak më larg, në Fujian. Koha e udhëtimit është vetëm disa orë. Është shumë e volitshme. Mund të shkoj lehtë tani në Anqin dhe Huzhou. Unë shkoj atje dhe kthehem të nesërmen. Në deltën e lumit Jance, më përpara për të shkuar në Shangai duheshin afro pesë orë, ndërsa tani rreth një orë. Kur dalim jashtë vendit për turizëm, ikim në Shangai me tren të shpejtë. Në përgjithësi, unë bëj turizëm një ose dy herë në muaj," thotë zonja Sun.

Tani, trenat me shpejtësi të madhe të rehatshëm, të volitshëm dhe të përpiktë janë bërë zgjedhja e parë e njerëzve për udhëtim. Sipas planit, deri në vitin 2020, në provincën Jiangsu do të ndërtohet rrjeti i hekurudhës së shpejtë, i cili do të mbulojë të gjitha qytetet kryesore, dhe koha e udhëtimit nga mbarë Jiangsu për në deltën e lumit Jance do të jetë tre orë.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore