Wang Xing-u, themeluesi "i duruar" i kompanive të reja të internetit

2017-08-15 16:55:19 CRI Komenti juaj Printoni

Bashkëkryetari i kompanisë "Meituan-Dianping" Wang Xing është një nga sipërmarrësit më të suksesshëm në Kinë. Ai ka themeluar tre kompani në tre sektorë të ndryshëm të internetit, përpara se këta sektorë të popullarizoheshin në Kinë, duke përfshirë edhe atë që është quajtur si "Facebook-u" kinez. Kompania që ai bashkëdrejton zë tani 80 % të tregut të dërgimit të ushqimeve në Kinë. Wang Xing-u njihet si një sipërmarrës që nuk krijon risi, por që e perfeksionin atë që tashmë ekziston. Ende pa mbushur 40 vjeç, ai është tashmë një miliarder.

Wang Xing-u ka lindur në provincën kineze Fujian në vitin 1979, pikërisht kur në Kinë sapo kishte nisur procesi i reformës dhe i hapjes me jashtë. Wang-u ishte një nxënës shumë i mirë në shkollë, gjë që i dha mundësinë të studionte në degën e inxhinierisë elektrike në Universitetin "Tsinghua" të Pekinit, një prej universiteteve më të mira jo vetëm në Kinë, por edhe në botë. Në vitin 2001, pas diplomimit, Wang Xing-u shkoi në Shtetet e Bashkuara për të ndjekur studimet pasuniversitare në Universitetin e Delaware-s. Megjithatë, pa kaluar shumë ai i la studimet dhe u kthye në Kinë, për të nisur sipërmarrjen e vet.

Kur ishte në Shtetet e Bashkuara, Wang Xing-u pa zhvillimin e rrjeteve sociale dhe mendoi se në Kinë kishte nevojë për diçka të ngjashme. Dhe kështu, në vitin 2004, ai krijoi rrjetin social "youdodo.com". Dukej se ishte diçka me të ardhme: pak a shumë në atë kohë Mark Zuckerberg-u po krijonte "Facebook"-un. Por "Youdodo" nuk do të kishte sukses. Në të njëjtën kohë, Wang-u kishte hapur një tjetër uebsajt, të quajtur "youzitu.com", i cili u mundësonte studentëve kinezë jashtë vendit të ndanin fotot e tyre dixhitale me miqtë e të afërmit, duke i printuar ato. Por edhe ky biznes dështoi.

E megjithatë, Wang Xing-u nuk u dorëzua. Në vitin 2005 ai dhe dy shokë të tij të universitetit filluan një tjetër biznes, "xiaonei.com". Ky uebsajt u përqendrua te studentët e universiteteve kineze. Këtë herë këmbëngulja e Wang-ut u shpërblye. "Xiaonei" filloi të zgjerohet me shpejtësi, duke u bërë rrjeti social kryesor në Kinë, dhe mund të quhej me plot gojën "Facebook"-u i Kinës. Megjithatë, Wang Xing-u dhe ortakët e tij nuk kishin kapitalin e mjaftueshëm për të financuar një rritje me ritme aq të shpejta, kështu që u detyruan ta shesin. Blerësi ishte sipërmarrësi kinez Chen Yizhou, për 2 milionë dollarë. Chen më vonë e riemëroi uebsajtin "renren.com", i cili është tashmë ndër rrjetet sociale më të njohura në Kinë, veçanërisht për studentët. Në vitin 2011 "Renren" u regjistrua në Bursën e Nju-Jorkut me një ofertë publike fillestare rekord prej 740 milionë dollarësh amerikanë.

Hapi tjetër i Wang Xing-ut ishte krijimi i "fanfou.com", një uebsajt mikroblogimi të cilin ai e hapi vetëm disa muaj pas fillimit të "Twitter"-it në ShBA. Por në ndryshim prej "Twitter"-it, "Fanfou" nuk pati një popullaritet të mjaftueshëm dhe Wang-u u detyrua ta mbyllë. Një tjetër uebsajt rrjeti social që krijoi, "hainei.com", nuk arriti të konkurronte me rivalët që ofronin lojëra në internet në platformat e tyre.

Por përsëri Wang Xing-u nuk u dorëzua dhe më në fund do të trokiste suksesi. Në vitin 2015 Wang krijoi uebsajtin "Meituan". "Meituan" nisi në fillim si një version vendor i gjigantit amerikan të blerjes në grup "Groupon", por më pas u zgjerua në biznesin e dërgimit të ushqimit. Rritja e tij bëri që të tërheqë investime nga gjiganti "Alibaba". Më pas po atë vit, "Meituan"-i u bashkua me rivalin e vet më të vogël, "Dianping", që mbështetej nga gjiganti tjetër i internetit, "Tencent". Kështu lindi "Meituan- Dianping", që vlerësohet se zë sot rreth 80 % të tregut të dërgimit të ushqimit në Kinë.

Në fund të atij viti, 2015, sipas listës së njerëzve më të pasur në Kinë të hartuar nga Instituti "Hurun", pasuria e Wang Xing-ut arrinte në 6 miliardë dollarë amerikanë. Ai ishte në atë kohë vetëm 36 vjeç.

Vitin e kaluar "Meituan-Dianping" nisi një raund mbledhjesh fondesh. Një gjë e tillë e çoi vlerën e kompanisë në 16 miliardë dollarë amerikanë.

Përveç "Meituan-Dianping"-ut, Wang-u është investitor edhe në kompaninë "Maoyan", e cila e përqendron biznesin e vet në shitjen e biletave të kinemasë në internet, një biznes që ka ardhur në rritje të shpejtë në Kinë.

Sipas vlerësimit më të fundit të "Forbes"-it, tani pasuria e Wang Xing-ut kap vlerën e 3.5 miliardë dollarëve amerikanë.

Po cila është arsyeja e suksesit të Wang Xing-ut? "Durimi im është më i madh se ai i shumë prej themeluesve të tjerë të bizneseve," thotë ai. "Ky durim është fituar në vitet e përvojës së krijimit të kompanive të reja."

Mrekulli
Lajmet Kryesore