Kinë, trenat e shpejtë në syrin e të huajve

2017-08-08 15:25:06 CRI Komenti juaj Printoni

Kohët e fundit u zhvillua një sondazh me të rinj nga 20 vendet përgjatë "Një brez, një rrugë" që studiojnë në Kinë lidhur me "katër shpikjet e reja" kryesore të Kinës. Sipas sondazhit, trenat me shpejtësi të madhe renditen në vendin e parë, duke qenë "suveniri" që këta studentë duan të "marrin me vete" nga Kina.

"Të shpejtë", "të përpiktë, "të volitshëm", këto janë përshkrimet që përdorin më shumë të huajt që kanë udhëtuar me trena të shpejta. Vagonët e pastër, koha e shkurtër e udhëtimit dhe blerja e volitshme e biletave kanë krijuar lehtësi konkrete për të huajt nga vendet e ndryshme.

15-vjeçarja italiane Marta Colonnello studion në Shangai. Këtë herë ajo ka ardhur në Pekin me tren të shpejtë. Përveç kësaj, e reja italiane planifikon të udhëtojë në mbarë Kinën gjatë pushimeve të verës. Për Martën, treni me shpejtësi të madhe është zgjedhja e parë për të udhëtuar.

"Unë dhe shokët e mi të klasës i blemë biletat në internet. Është shumë e volitshme. Është shumë interesante të udhëtosh me tren të shpejtë, pasi nuk harxhon shumë kohë. Vetëm pesë orë, koha kaloi shumë shpejt. U ndjeva rehat gjatë rrugës, koha kaloi shumë shpejt. Jam me fat që udhëtova me tren të shpejtë, përndryshe do të harxhoja më shumë kohë në rrugë. Më pëlqen shumë të udhëtoj me tren të shpejtë, pasi mund të shoh shumë pamje natyrore. Të gjitha panoramat janë atje dhe janë reale," thotë e reja italiane Marta Colonnello.

Kudzai Felix Mawoneke nga Zimbabve është student në Shkollën e Inxhinierisë Elektrike në Universitetin e Shangait. Atij i pëlqen turizmi dhe kultura kineze. Sa herë ka pushime shkolle, ai udhëton. Kudzai ka qenë në Nankin, Hangzhou, Shenyang etj. Sa herë shkon për turizëm, ai zgjedh trenat me shpejtësi të madhe, sepse, sipas tij, janë një mrekulli.

"Unë mendoj që treni i shpejtësisë së madhe është pothuajse i përsosur. Nuk e di ç'të them, vërtet nuk kam asnjë sugjerim. Është i rehatshëm dhe i shpejtë. Më duket se shpejtësia maksimale mund të arrijë 350-355 km në orë. Me trena të shpejtë të tipit D ose me shpejtësi të madhe, kam qenë në Nankin, Hangzhou dhe Jining. Bleva bileta me Wechat në celular, ku ka një soft. Harrova si quhet. Pas blerjes, mund të shkosh menjëherë në stacion për të marrë biletën," thotë Kudzai Felix Mawoneke.

Si Marta dhe Kudzai, shumë të huaj në Kinë zgjedhin udhëtimin me trena me shpejtësi të madhe. Sipas të dhënave statistikore, vitin e kaluar gjithsej 1.443 miliardë persona udhëtuan me trenat të shpejtësisë së madhe në Kinë, shifër kjo pothuajse sa popullsia e përgjithshme e Afrikës dhe Amerikës Jugore. Qoftë për sa u përket harduerëve, qoftë softuerëve, treni i shpejtë në Kinë këto vite ka pasur risi dhe zhvillim të madh.

Szwejkowski Zbigniew është një 70-vjeçar polak. Ai ndodhej në Stacionin Hekurudhor Jugor të Pekinit për të shkuar në Qingdao të Kinës Lindore për një mbledhje. Zbigniew u shpreh që, në gjysmën e dytë shekullit të kaluar, Kina ka pasur zhvillim të shpejtë. Këtë herë, sipas tij, ai pa në Pekin një qytet krejtësisht të ri ndërkombëtar, duke shtuar se e admiron zhvillimin e trenit me shpejtësi të madhe në Kinë.

"Rrjeti i hekurudhave të shpejtësisë së lartë është shumë i mirë, pasi lehtëson shumë udhëtimin e njerëzve. Treni i shpejtë në Kinë ka pasur një zhvillim mjaft të madh dhe besoj që kinezët duhet të jenë shumë krenarë për këtë. Urime Kinës! Në Poloni po përpiqemi për ndërtimin e hekurudhave, por nuk është si në Kinë. Kinezët janë shumë të veçantë dhe shumë punëtorë. Kjo është një gjë shumë e mirë, ndaj Kina ka prodhuar produkte të shkëlqyera. Kemi dëgjuar që në vitet '60 – '70, në Kinë mund të bliheshin vetëm katër gjëra: uniforma të vjetra ushtarake, biçikleta, orë dhe makina qepëse. Mirëpo tani gjendja është krejtësisht ndryshe," thotë Szwejkowski Zbigniew.

Siç u shpreh edhe ky i moshuar nga Polonia, hekurudha në Kina ka pasur një zhvillim të madh, nga trenat me lokomotivë me avull te ato me djegie të brendshme, nga trenat elektrikë te ata të shpejtësisë së madhe me një njësi të shumëfishtë elektrike. Sot trenat e shpejtësisë së madhe në Kinë janë bërë jo vetëm zgjedhja e parë për udhëtim, por edhe një kartëvizitë e vendit dhe një simbol i ri i Kinës së sotme. Udhëtarët e huaj me këta trena janë shprehur se e mirëpresin futjen e trenave të shpejtë kinezë në vendet e tyre dhe përhapjen e teknologjisë përkatëse të Kinës në mbarë botën.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore