Kina përcakton objektivat financiare për të ardhmen

2017-08-01 15:54:08 CRI Komenti juaj Printoni

Ditët e fundit u zhvillua në Pekin Konferenca Kombëtare e Çështjeve Financiare e Kinës. Kjo konferencë zhvillohet një herë në pesë vjet dhe përcakton parimet kryesore të punës financiare për të ardhmen. Në mbledhjen e sivjetshme u përcaktuan tre objektiva: shërbimi ndaj ekonomisë reale, parandalimi i rreziqeve financiare dhe thellimi i reformës financiare. Krahas kësaj, është vendosur që të krijohet Komiteti i Zhvillimit dhe i Stabilitetit Financiar pranë Këshillit të Shtetit të Kinës, si dhe u kërkua forcimi i rolit të bankës qendrore në makromenaxhimin e kujdesshëm dhe parandalimin e rreziqeve sistemore.

Konferenca ka theksuar katër parime: kthimi në gjendjen origjinale të shërbimit ndaj zhvillimit ekonomik e shoqëror; përmirësimi strukturor dhe përsosja e tregut financiar; shtimi i mbikëqyrjes dhe i aftësive parandaluese ndaj rreziqeve financiare dhe rritja e rolit të tregut në shpërndarjen e burimeve financiare.

Zv.kryeekonomisti i Qendrës së Shkëmbimeve Ekonomike Ndërkombëtare të Kinës Xu Hongcai shprehet se këto katër parime në fakt janë përforcuese të tre objektivave të reformës financiare.

"Unë mendoj që këto katër parime përputhen me tre objektivat tona. P.sh., kthimi në situatën origjinale është shërbim për ekonominë reale. Tani, në sektorin financiar, njerëzit bëjnë vetë biznes, nxjerrin para drejtpërdrejt nga ky proces dhe zhvillimi i sektorit financiar është tepër i shpejtë. Kjo duhet t'i shërbejë ekonomisë reale. Përmirësimi i strukturës në fakt lidhet me ofertën, sepse reforma strukturore në fushën e ofertës përfshin sektorin financiar. Kështu, zhvillimi i sektorit financiar duhet të bashkërendohet me zhvillimin e ekonomisë reale, të lehtësojë financimin, të ulë koston e financimit dhe të shtojë efektivitetin. Krahas këtyre, edhe shtimi i mbikëqyrjes dhe rritja e rolit drejtues të tregut janë në përputhje me parimet e reformës. Thelbi i reformës është që të lejojë tregun të luajë rol vendimtar në shpërndarjen e burimeve. Sektori financiar nuk duhet të përjashtohet," thotë Xu Hongcai.

Parandalimi i rreziqeve financiare ishte fokusi kryesor i kësaj konference kombëtare. Gjatë saj u theksua se element i përhershëm i punës financiare është që të parandalohen rreziqet sistemore. Për këtë arsye, duhet t'i kushtohet edhe më shumë rëndësi parandalimit të rreziqeve sistemore dhe ky parandalim duhet të bëhet në mënyrë shkencore, duke arritur sa më parë dallimin, paralajmërimin, zbulimin dhe trajtimin e rreziqeve. Gjithashtu, duhet të shtohet vëmendja kundrejt parandalimit dhe zgjidhjes së rreziqeve në sektorët kryesorë, si dhe të bëhen përpjekje për përsosjen e sistemit të mbrojtjes dhe atij të përballimit në raste emergjence. Z. Xu Hongcai thekson se tani ekzistojnë rreziqe potenciale, të cilat nuk duhet të nënvlerësohen.

Në mbledhje u parashtruan disa masa parandaluese lidhur me rreziqet potenciale financiare. Puna kryesore është ulja e përqindjes së efektit mbështetës në ndërmarrjet shtetërore dhe gjithashtu duhet bërë në mënyrën e duhur trajtimi i të ashtuquajturave "kompani fantazmë". Krahas këtyre, duhet të kontrollohet rritja e nivelit të borxhit të pushtetit vendor, të rregullohen veprimet që shkaktojnë parregullsi në tregun financiar, të standardizohen transaksionet në tregun financiar, të shtohet kontrolli ndaj financimit në internet dhe të forcohet përgjegjësia e institucioneve financiare për parandalimin e rreziqeve përkatëse.

Në Konferencën Kombëtare të Çështjeve Financiare e Kinës u vu në dukje gjithashtu se kontrolli financiar duhet të jetë më profesional, më i thellë dhe më i integruar. Të gjithë sektorët financiarë duhet të jenë nën mbikëqyrje dhe rreziqet përkatëse duhet të dallohen dhe të trajtohen në kohë. Zv.drejtori i Institutit të Financave pranë Universitetit Tsinghua, Zhu Ning, vëren se zgjidhja e rreziqeve afatshkurtra është në të mirë të parandalimit dhe të trajtimit të shpejtë të rreziqeve sistemore:

"Duhet të shohim lidhjet mes sektorëve të ndryshëm financiarë. P.sh., vitin e kaluar, nga incidenti 'Baoneng-Wanke', mund të shohim që sektorët, si sigurimet, bankat, obligacionet dhe trustet, janë të lidhur ngushtë. Me zhvillimin e mëtejshëm të instrumenteve financiare, rreziqet financiare janë ndërthurur gjithnjë e më shumë. Prandaj, duhet t'u kushtojmë vëmendje të madhe rreziqeve të sektorëve dhe produkteve përkatëse, të cilat mund të përcillen ose të akumulohen".

Në këtë mbledhje u theksua gjithashtu se duhet të shtohet hapja e sektorit financiar, të thellohet reforma e mekanizmit të përcaktimit të kursit të këmbimit të RMB-së dhe të nxitet në mënyrë të qëndrueshme ndërkombëtarizimi i RMB-së, të realizohet ndërkëmbimi i projekteve të kapitaleve e të nxitet inovacioni financiar për ndërtimin e "Një brez, një rrugë".

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore