Sun Lingjuan-i, pasurimi nga "ari i kuq"

2017-07-26 10:16:33 CRI Komenti juaj Printoni

Sipërmarrësja Sun Lingjuan është menaxhere e përgjithshme e Kompanisë së Teknologjisë Bujqësore "Fangyuan". Ajo e nisi biznesin e vet në vitin 2014, duke përdorur metoda të përparuara teknologjike për kultivimin e shafranit, një bimë që njihet edhe si "ari i kuq" dhe që do të kthehej në njëfarë thesari edhe për të.

Sun Lingjuan-i ka lindur 36 vjet më parë në qytetin Yongkang të provincës Zhejiang të Kinës Lindore. Studimet e larta i kreu në njërin prej universiteteve më të mira në Kinë, Universiteti "Renmin" i Pekinit. Pas diplomimit në vitin 2001, Sun Lingjuan-i nisi punë në një kompani në Pekin. Në atë kohë, Sun vendosi një objektiv afatshkurtër për karrierën e vet: t'i rriste të ardhurat e saj vjetore në 300 000 juanë (afro 45 000 dollarë amerikanë) brenda tre vjetëve.

Duke punuar shumë, Sun Lingjuan-i jo vetëm e arriti, por edhe e kaloi këtë objektiv, madje para afatit që i kishte vënë vetes. "Në gjysmën e dytë të vitit të tretë, u caktova të drejtoja një nga degët e kompanisë," kujton Sun Lingjuan-i.

E pikërisht kur karriera e saj po ngjitej me shpejtësi, prindërit filluan t'i kërkonin të kthehej në shtëpi. Sun thotë se familja e saj është tradicionale dhe prindërit kishin nevojë që ajo të përkujdesej për ta, pasi i vëllai po shërbente në ushtri.

Dhe kështu në në vitin 2009, Sun Lingjuan-i u kthye në qytetin e vet të lindjes Yongkang. Rroga e saj vjetore në atë kohë ishte 750 mijë juanë (112 500 dollarë).

Në Yongkang ajo gjeti punë në një kompani vendore. Duhej t'ia niste nga e para dhe t'i ngjiste përsëri një e nga një shkallët e karrierës. "Kur u thashë atyre të punës: 'Do të bëhem CEO', ata qeshën me mua, duke thënë se nuk kishte një post aq të madh në një vend aq të vogël," kujton Sun Lingjuan-i.

Por kompania ku punonte Sun Lingjuan-i erdhi duke u rritur e u kthye në një kompani moderne, dhe përsëri falë zellit të saj në punë, por tashmë edhe përvojës, Sun përsëri e arriti qëllimin e vet, duke u bërë CEO e kompanisë e duke fituar 1.5 milionë juanë (225 000 dollarë) në vit.

Megjithatë, Sun Lingjuan-i nuk ishte kurrë e kënaqur me atë që kishte arritur. Ajo mendoi se kishte ardhur koha të krijonte biznesin e vet. Po në ç'fushë? "Me rritjen e moshës, kisha filluar t'i kushtoja gjithmonë e më shumë rëndësi shëndetit," thotë ajo. Kështu që, pas shqyrtimit të hollësishëm, vendosi të krjijojë një kompani që do të merrej me prodhimin dhe tregtimin e shafranit, një bimë që mund të përdoret në kuzhinë si erëz, por që gjithashtu mund të bëhet çaj e që gjen përdorim edhe në industrinë farmaceutike.

"Kjo bimë është e mbushur me thesare," shpjegon Sun Lingjuan-i. "Përveç fijeve, që kanë vlerën më të madhe, edhe nga petalet e rabushi mund të prodhohen barna të çmuara."

Dhe kështu në vitin 2014, Sun Lingjuan-i paraqiti kërkesën për dorëheqje nga kompania ku tashmë ishte CEO, për të nisur biznesin e vet. Ajo harxhoi gjysmë viti në analizimin e tregut, krahasimin e të dhënave etj. "Patjetër sipërmarrja përfundon në dështim nëse ti nuk respekton tregun dhe shkencën," vë në dukje ajo.

Më në fund, në mars 2015, Sun Lingjuan-i krijoi kompaninë e saj me një kapital të regjistruar 50 milionë juan (7.5 milion dollarë). Ajo e quajti Kompania e Teknologjisë Bujqësore "Fangyuan", duke synuar modernizimin bujqësor përmes teknologjisë dhe një modeli komercial.

Vitin e kaluar, Sun Lingjuan-i ngriti me një investim mbi 5 milionë juanë (afro 750 000 dollarë) një qendër eksperimentale prej më shumë se 33 mijë metra katrorë. Përveç kësaj, ajo vendosi partneritet me fermerë, duke e çuar sipërfaqen e mbjellë me shafran në 200 000 metra katrorë. Kompania e Sun Lingjuan-it u jep fermerëve farëra e mbështetje teknologjike dhe merr përsipër shitjen e produktit.

Për të realizuar automatizimin e kultivimit, Sun Lingjuan-i shpenzoi mbi 3 milionë juanë (450 000 dollarë) për të krijuar një laborator të teknologjisë së lartë të lidhur me internetin, ku lagështia, ndriçimi dhe ajrimi janë sipas parametrave të përcaktuara nga specialistët pas studimeve.

Të ardhurat vjetore të kompanisë "Fangyuan" i kalojnë tani 100 milionë juanët (15 milionë dollarët).

Përveç biznesit, Sun Lingjuan nuk heq dorë kurrë edhe nga studimi. Ajo ka ndjekur studimet pasuniversitare për ekonomi në Universitetin e Zhejiang-ut, ndërsa në vitin 2015 nisi studimet e doktoraturës në Universitetin e Pekinit për menaxhim biznesi. "Jam ende e re dhe mund të vazhdoj të mësoj," thotë 36-vjeçarja.

Një femër e pavarur dhe e suksesshme, Sun Lingjuan-i mundohet të mos lërë pas dore as familjen që ka krijuar tashmë, duke gjetur ekulibrin e duhur mes punës, studimit dhe shtëpisë. "Që kur u martova, i kam thënë gjithmonë tim shoqi: 'Unë mund t'ia dal!", thotë duke buzëqeshur Sun.

Ajo mendon se femrat i kanë të gjitha aftësitë për të arritur suksesin. "Ndihem mirë kur shoh rrugën që kam përshkruar. Gratë mund të bëjnë një jetë të lirë e të kenë arritje në punën që bëjnë," përfundon Sun Lingjuan-i.

Mrekulli
Lajmet Kryesore