Kinë, programi "Internet + " nxit daljen e fshatarëve nga varfëria

2017-07-26 10:17:16 CRI Komenti juaj Printoni

Në Kinë, "shehuo" është një aktivitet tradicional i kremtimit e festave, që përfshin shfaqje artistike tradicionale, si vallja e luanit, vallja e dragoit, vallë yange me shirit mëndafshi dhe e ashtuquajtura vallja me këmbalecë. Në fshatin Huozhuang të provincës Henan të Kinës Qendrore, prodhohen prej më shumë se 100 vjetësh objekte të "shehuo"-së.

Disa vjet më parë, banorët e Huozhuang-ut përballeshin me problemin e vështirësisë së shitjes së këtyre objekteve, pasi Huazhuang është një fshat i largët dhe me vështirësi transporti. Si rrjedhojë, prodhimi i objekteve të "shehuo"-së po vinte duke u pakësuar. Por tani, me mbështetjen e programit kombëtar "Internet +", Huozhuang-u është bërë një fshat që zbaton modelin e biznesit elektronik dhe banorët e tij mund t'i shesin objektet e "shehuo"-së në mbarë botën vetëm me një klikim mausi. Si rrjedhojë, Huozhuang-u është pasuruar shpejt.

Kryeplaku i fshatit, Huo Junzheng, shprehet që prodhimi dhe tregtimi i objekteve të "shehuo"-së tani është bërë një biznes i njohur:

"Tani në fshatin tonë prodhohen prej më shumë se një shekulli mijëra lloje objektesh të 'shehuo'-së. Produktet tona shiten në Azinë Juglindore, Europë dhe Amerikë, si edhe në krahinat e ndryshme të vendit. Të gjitha vendet që përdorin objektet e 'shehuo'-së e njohin Huozhuang-un."

Me mbështetjen e programit "Internet +", banorët e Huozhuang-ut kanë hapur dyqane elektronike në "Taobao.com", platforma më e madhe e tregtisë elektronike në Kinë, duke siguruar kështu më shumë raste biznesi. Vjet vlera e përgjithshme e objekteve "shehuo" të fshatit Huozhuang të tregtuara në këtë platform arriti në 100 milionë juanë dhe Huozhuang-u u përzgjodh në "Listën e fshatrave të 'Taobao'-s" për vitin 2016.

Banori i Huozhuang-ut Yao Hongyu e pranon ndihmesën që ka sjellë interneti në tregtimin e objekteve që prodhojnë ata.

"Shitjen në internet e kemi filluar në vitin 2012 dhe kjo na ka sjellë ndryshime të mëdha. Më parë ishim prodhues të vegjël, ndërsa tani kemi nisur prodhimin në masë. Shitjet tona sot janë disa herë më shumë se në të kaluarën. Më parë, prodhimet tona i shitnim në disa krahina të caktuara, kurse tani i shesim në mbarë vendin, madje edhe jashtë," thotë Yao Hongyu.

Në shtëpinë e Zhao Hongyan-it, të gjithë anëtarët e familjes po nxitojnë të fusin kostumet e operave tradicionale kineze dhe erashkat nëpër kuti, për t'i dërguar te blerësit. Ajo vetë po bisedon me një klient në internet për një porosi të re. Në katin e dytë, punëtorët prodhojnë fenerë në formë dragoi. Zhao Hongyan-i shprehet që përpara disa vjetësh familja e saj ishte shumë e varfër, por shitja në internet e ka ndryshuar krejtësisht gjendjen e tyre ekonomike.

"Më parë gjendja ekonomike e fshatit ishte shumë e keqe dhe njerëzit largoheshin për të punuar diku tjetër. Më pas, kryeplaku na tha që mund të hapim dyqan në internet dhe të rritim kështu të ardhurat tona. Prandaj, filluam ta provojmë dhe na doli shumë mirë. Biznesi ecën mirë dhe burri im është kthyer në fshat. Tani gjendja është shumë më mirë se më parë e të ardhurat tona tani janë rritur më shumë se dy herë. Këtu në fshatin tonë bëhet trajnim për internetin dhe të gjithë shkojnë tek kryeplaku për trajnim. Edhe unë kam shkuar atje," thotë Zhao Hongyan.

Programi "Internet +" jo vetëm ka integruar sektorin tradicional me biznesin elektronik, por edhe e ka bërë fshatin Huozhuang një shembull të zhdukjes së varfërisë. Huozhuang-u varet nga qyteza Lingjing e distriktit Jian'an të qytetit Xuchang. Kryetari i qytezës, Huang Zhaoyu, u shpreh se suksesi i Huozhuang-ut ka nxitur zhvillimin dhe hapjen në zonat përreth, duke ofruar një model të ri për luftën kundër varfërisë:

"Huozhuang-u është 'fshati Taobao' i parë në distriktin Jian'an. Zhvillimi i këtij fshati ka bërë që edhe fshatrat pranë tij të miratohen nga grupi 'Alibaba' si 'fshatra Taobao'. Në të ardhmen, në punët e mbështetjes së hollësishme për të varfërit, ne do ta shfrytëzojmë siç duhet përparësinë e 'fshatit Taobao', do të inkurajojmë modelet e suksesshme dhe do të grumbullojmë përvojë, për të shpejtuar daljen e fshatarëve të varfër nga gjendja e vështirë ekonomike."

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore