Kinë, trenat e shpejtësisë së madhe kanë ndryshuar jetën e qytetarëve

2017-07-18 16:22:58 CRI Komenti juaj Printoni

Në pesë vjetët e fundit, trenat e shpejtësisë së madhe kanë pasur një zhvillim të vrullshëm në Kinë dhe gjatësia e hekurudhës së shpejtë është rritur nga më pak se 10 mijë km deri në 22 mijë km, duke zënë vendin e parë në botë. Rrjeti i hekurudhave të shpejtësisë së lartë ka mbuluar pjesën kryesore të Kinës, duke shkurtuar kohëzgjatjen e udhëtimit mes zonave të ndryshme të vendit dhe duke përmirësuar në mënyrë të dukshme jetën e qytetarëve kinezë.

Në muajin qershor nisi faza provë e trenit të shpejtësisë së madhe nga Baoji i provincës Shanxi deri në Lanzhou të provincës Gansu, ndërsa në muajin korrik ky tren u vu zyrtarisht në përdorim. Kjo linjë kalon nëpërmjet disa zonave të varfra, si Guanzhong, Tianshui dhe Dingxi. Vënia në funksionim e saj i jep fund mungesës së transportit hekurudhor në këto zona, duke i çuar zonat Longzhong dhe Longdongnan drejtpërdrejt në epokën e trenit të shpejtësisë së madhe. Wu Zhengquan është një fermer nga Tianshui që merret me kultivimin dhe shitjen e mollëve. Ai u shpreh që linja hekurudhore Baoji-Lanzhou ka sjellë mundësi të reja për biznesin e tij.

"Ky plantacion ka një sipërfaqe prej 5700 akrash (3700 hektarësh) dhe u takon 170 familjeve të kooperativës. Në muajin korrik u vu në përdorim treni i shpejtësisë së madhe dhe ne mund ta shfrytëzojmë atë për turizëm. Atëherë, të ardhurat tona do të rriten me më shumë se dy herë," thotë Wu Zhengquan.

Treni me shpejtësi të madhe është si një dritare për zonat ku kalon, duke lehtësuar lëvizjen dhe daljen në botën e jashtme. Në fund të vitit 2016, u vu zyrtarisht në funksionim linja hekurudhore Hu-Kun, që lidh Yunan-in e Kinës Jugperëndimore me Shangain e Kinës Lindore. Gjatësia e kësaj hekurudhe është mbi 2000 kilometra. He Kunla, e kombësisë pumi, banon në Nujiang të Yunan-it. Ajo është një ndër udhëtaret e para në këtë linjë hekurudhore. He thotë që shtëpia e saj ndodhet shumë larg dhe, për këtë shkak, brezat e moshuar të familjes së saj nuk kanë dalë jashtë zonës së tyre asnjëherë dhe nuk kanë parë qytete e zona të tjera.

"Kur mora vesh për udhëtimin me këtë linjë të shpejtë, u gëzova shumë, sa nuk mund ta shpreh dot këtë me fjalë. Brezat e vjetër të familjes sime kanë jetuar gjithmonë në zonën tonë malore dhe nuk kanë dalë ndonjëherë jashtë saj. Shumë njerëz thonë që duan të kthehen në shtëpi, por ne duam të dalim jashtë dhe të shohim botën," thotë He Kunla.

Tani, në linjën Hu-Kun, nga Yunan-i për në Pekin, Shangai dhe Guangzhou, qarkullojnë trena të shpejta të tipit D (trena D janë ata trena, të gjithë vagonat e të cilëve janë të pajisur me motorë elektrikë). Kështu, koha e udhëtimit nga kryeqendra e Yunan-it Kunming për në qytete të tjera kryesore është shkurtuar në mënyrë të dukshme. Shefi i planifikimit pranë Drejtorisë Hekurudhore të Kunming-ut Shen Yiqi thotë:

"Në përgjithësi, mund të lidhemi me rrjetet kryesore të hekurudhave të shpejtësisë së madhe. Rrjeti ynë mund të lidhet gjerësisht me Pekinin, Shangain dhe Guangzhou. Me përsosjen graduale të rrjetit të trenave të shpejtë, mund të lidhemi edhe me të gjitha krahinat e tjera të vendit."

Të dhënat tregojnë që çdo ditë në Kinë, bëhen mbi 4200 udhëtime me trena të shpejtë D, të cilat transportojnë mbi 4.5 milionë udhëtarë. P.sh., nga Shangai për në stacionet e tjera, trenat me shpejtësi të madhe nisen në çdo katër minuta, që është nivel rekord. Ndërkohë, në deltën e lumit Jance, deltën e lumit Zhujiang, rajonin e detit Bohai, rajonin Pekin-Tianjin-Hebei, është formuar rrjeti i trenave të shpejtë, me të cilët udhëtarët mund të arrijnë në destinacion brenda tre orësh. Z. Zhang punon në Pekin dhe çdo ditë, me trenin e shpejtë Langfang-Pekin, ai udhëton vetëm 21 minuta. Ai bëri të ditur që më parë, kur nuk kishte tren të shpejtë, udhëtimi ishte një orë e gjysëm.

"Tani, për të shkuar nga puna në shtëpi nuk nuk më duhet më shumë se një orë e gjysmë, rreth një orë më pak se në të kaluarën," thotë Zhang.

Në pesë vjetët e fundit, në Kinë është formuar një rrjet i hekurudhave me shpejtësi të madhe, që ka arritur nga më pak se 10 mijë km në 22 mijë km, duke zënë mbi 60 % të hekurudhave të shpejtësisë së madhe të mbarë botës. Por plani i Kinës për hekurudhat e shpejtësisë së madhe nuk ndalon këtu. Vjet u publikua "Plani afatgjatë dhe afatmesëm për hekurudhat", sipas të cilit, deri në vitin 2020, gjatësia e hekurudhës së shpejtë në mbarë vendin do të arrijë në 30 mijë km, duke mbuluar më shumë se 80 % të qyteteve të mëdha. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore