Zheng Yaonan, krijuesi i "Victoria's Secret" të Kinës

2017-07-18 16:22:35 CRI Komenti juaj Printoni

Themeluesi dhe kryezyrtari ekzekutiv i kompanisë "Cosmo Lady" Zheng Yaonan quhet "burri që i kupton më mirë se kushdo tjetër femrat". Për të thuhet se është bërë miliarder duke mësuar diçka që për shumë burra të tjerë shihet si mision i pamundur: pikërisht atë se çfarë duan femrat.

Zheng Yaonan-i ka lindur në vitin 1975 në provincën Fujian të Kinës Lindore. Pas përfundimit të shkollës së mesme, ai nuk arriti dot që të studiojë në universitet. Fujian-i është sot një ndër provincat më të pasura të Kinës, por në atë kohë, provinca jugore Guangdong, veçanërisht qyteti i Shenzhen-it, po njihnin zhvillimin më të shpejtë dhe ishin kthyer në qendra ku njerëz nga mbarë Kina shkonin në kërkim të mundësive më të mira në jetën e tyre. E një prej tyre ishte edhe Zheng-u. Ai shkoi në Shenzhen me vetëm 500 juanë (më pak se 75 dollarë). I riu nisi punë si roje sigurie në një supermarket "Wal-Mart". Aty ai vuri re se si bëhej menaxhimi dhe u shërbëhej klientëve, mësime që do t'i hynin në punë më vonë.

Pasi arriti të mblidhte një sasi të mjaftueshme parash, duke bërë një jetë shumë të kursyer, Zheng Yaonan-i mendoi se kishte ardhur koha që të niste biznesin privat. Në fillim fare ai hapi një dyqan të vogël ku shiste produkte kozmetike, ndërsa më pas nisi të tregtojë çorape. Por Zheng Yaonan-i vuri re se një dyqan pranë tij, që shiste veshje intime femrash, kishte shumë më tepër klientë, e rrjedhimisht fitime. E kështu Zheng Yaonan-i vendosi të bëjë edhe ai të njëjtën gjë. Ishte një lëvizje e zgjuar dhe më fund, në vitin 1998, ai krijoi atë që më vonë do të kthehej në "Cosmo Lady" dhe që fillimisht ishte një kompani distributore e veshjeve intime të femrave. Zheng Yaonan-i do ta tregonte veten si një sipërmarrës i guximshëm, duke u cilësuar si një biznesmen që shkon kundër rrymës. Kështu, ai do ta zgjeronte biznesin e tij edhe në kohë kur për të tjerët kjo gjykohej se ishte diçka e papërshtathsme dhe e pamenduar. Për shembull, "Cosmo Lady" e shtoi me rreth 50 numrin e dyqaneve të saj në vitin 2003, diçka që vlerësohej si e paarsyeshme në një kohë kur ekonomia kineze u godit nga shpërthimi i SARS-it. Megjithatë, më vonë një veprim i tillë do të dilte se ishte largpamës dhe fitimprurës. Në një rast tjetër, në vitin 2009, Zheng Yaonan-i investoi në objekte prodhimi, ndërsa shumë kompani dhe fabrika të tjera u ndikuan nga kriza globale financiare. Por duke e bërë një gjë të tillë, ai e ktheu "Cosmo Lady" nga një kompani distributore në një prodhuese më të integruar të veshjeve intime të femrave. Dhe më pas, në një ndryshim edhe më të madh, Zheng nisi një zgjerim agresiv, duke e dhënë me të drejtë ekskluziviteti markën "Cosmo Lady". Deri në fund të vitit 2013 kompania kishte formuar një rrjet mbarëkombëtar prej rreth 5 000 dyqanesh me të drejtë ekskluziviteti, si dhe 721 dyqane të vetëmenaxhuara. Qëllimi i Zheng Yaonan-ut ishte ambicioz: ta bënte "Cosmo Lady"-n markën numër një Kinë të veshjeve intimeve të femrave me 10 mijë dyqane të shitjes me pakicë.

Vëmendja e Zheng Yaonan-it për marketingun kanë qenë shumë e madhe. Në vitin 2012, "Cosmo Lady" bëri ambasadoren e vet të imazhit modelen e aktoren tajvaneze Lin Chi-ling. Zheng-u arriti ta përdorë mirë famën e Lin Chi-lingut kur vendosi ta bëjë "Cosmo Lady"-n një kompani publike dhe e merrte aktoren e bukur me vete gjatë takimeve me investitorët.

"Cosmo Lady" u bë publike në vitin 2014, kur u regjistrua në Bursën e Hong-Kongut. Por konkurrenca që nga ajo kohë është përshkallëzuar. Tregu i veshjeve intime të femrave në Kinë mbetet shumë i copëzuar, me rreth 3 000 firma prodhuese që veprojnë në mbarë vendin, asnjëra prej të cilave, përveç "Cosmo Lady", nuk zë më shumë se 3 % të tregut. Por Zheng Yaonan-i mbetet optimist në të ardhmen e "Cosmo Lady"-t, një markë që tashmë është bërë marka më e pëlqyer nga të rejat në Kinë dhe cilësohet si versioni oriental i "Victoria's Secret". "Me përpjekjet e bëra nga stafi dhe menaxhimi, kompania ka fituar vlera në mënyrë të shpejtë e të qëndrueshme. Ekipi menaxhues i Grupit dhe unë jemi plotësisht të sigurt në vlerën dhe perspektivën e biznesit tonë. Potenciali i zhvillimit të 'Cosmo Lady'-t është i madh. Ne do të përpiqemi të thellojmë depërtimin në tregun e veshjeve intime në Kinë dhe do të vazhdojmë të forcojmë pozitat tona, për të arritur rritje të qëndrueshme dhe për të maksimizuar fitimet për aksionarët tanë," thotë Zheng Yaonan-i.

Në vitin e kaluar vlera e tregut e "Cosmo Lady"-it ishte 5.8 miliardë dollarë hongkongas (745 milionë dollarë amerikanë), kurse pasuria e Zheng Yaonan-it sipas "Listës së njerëzve më të pasur në Kinë" të hartuar nga instituti "Hurun" arrin në 8.5 miliardë juanë (1.25 miliardë dollarë).

Zheng Yaonan-i mund të mos ketë studiuar në universitet, por ai e njeh vlerën e arsimit. Ai ka ndjekur Shkollën Pasuniversitare të Biznesit "Cheung Kong", një institucion i themeluar nga miliarderi hongkongas Li Ka-shing, që po bëhet një vend gjithnjë e më popullor ku drejtuesit e biznesit mësojnë dhe vendosin lidhje. Por ka një mësim që Zheng Yaonan-i nuk kishte nevojë ta merrte në shkollën e biznesit: ai e ka zakon t'i çojë femrat e stafit të vet nëpër dyqanet e kompanisë, ku ato hiqen si kliente, për të kontrolluar cilësinë e shërbimit dhe për të parë sjelljen e blerëseve. Megjithëse Zheng Yaonan-i vlerësohet si burri që i njeh më mirë femrat, përsëri thotë se askush më mirë se vetë femrat nuk mund t'i njohë femrat.

Mrekulli
Lajmet Kryesore