Abdulla Ulaxim-i, biznesmeni i restoranteve të ushqimit ujgur

2017-07-12 15:35:00 CRI Komenti juaj Printoni

Xinjiang-u, ku jeton kombësia ujgure e Kinës, është një nga rajonet me zhvillimin më të shpejtë të vendit, dhe një pikë e rëndësishme e nismës Një brez, një rrugë". Por, përgjatë viteve, shumë pjesëtarë të kësaj kombësie, kanë shkuar në pjesë të tjera të Kinës, në kërkim të një jete më të mirë për veten dhe familjen e tyre. Një i tillë është edhe biznesmeni 43-vjeçar Abdulla Ulaxim-i. Ai është një prej atyre 200 milionë vetave në Kinë të larguar nga shtëpitë e tyre, për të shkuar kryesisht në pjesën e pasur lindore të vendit. Historia e Abdullait është një histori vështirësish, por edhe suksesi.

Abdulla Ulaxim-i u largua nga Xinjiang-u kur ishte në mes të të 20-tave, dhe pikërisht në vitin 1997. Ndalesa e parë e tij ishte Nankini, kryeqendra e provincës Jiangsu në Kinën Lindore. Aty ai shiste arra, hurma dhe rrush, dhe bëri një pasuri të vogël.

Tre vjet më vonë Abdullai u zhvendos edhe më në jug, në provincës Jiangxi, rreth 3 500 kilometra familjes së vet në Hetian të Xinjiang-ut.

Aty ai nisi të bëjë jianbing, një lloj piteje kineze.

Abdullai thotë se këto vite përbëjnë një fazë kyçe në jetën e tij. Ai jo vetëm fitoi shumë para, por më e rëndësishmja, bëri miq të mirë, gjë që do të ndihmonte për suksesin e tij në të ardhmen. Ai tregon:

"Në vitin 2007, unë hapa një kioskë jianbing-u në stacionin e trenit, por zyrtarët e menaxhimit urban erdhën dhe më thanë se ishte e ndaluar të ngrija një kioskë aty, sepse pengonte lëvizjen dhe ishte e rrezikshme edhe për mua. Një polic në stacionin e trenit më ndihmoi. Ai u tha atyre se unë isha nga një pakicë etnike, se kisha ardhur nga aq larg, nga Xinjiang-u, dhe se kisha një familje për të ushqyer. Kështu, ata vendosën të bëjnë një përjashtim për mua dhe më lejuan ta zhvendos kioskën në trotuar".

Polici që e ndihmoi Abdullain quhet Xu Yong. Që nga ajo kohë, ata të dy janë bërë miq të ngushtë.

Në vitin 2010, bashkia e Nanchang-ut ndaloi të gjitha kioskat përreth stacionit të trenit. Duke ndjekur këshillën e Xu Yong-ut, Abdullai vendosi të merrte me qira një dyqan për të vazhduar biznesin e tij.

Xu Yong tregon:

"Abdullai gjeti një dyqan për biznesin e tij, por pronari nuk pranoi t'ia jepte me qira. Prandaj unë shkova të flisja me pronarin e dyqanit. I thashë që Abdullai është një njeri i ndershëm, ai kishte qenë në Nanchang për shumë vjet dhe kurrë nuk e kishte shkelur ligjin. Pasi bisedova disa herë me të, pronari i dyqanit më në fund tha 'po'. I thashë që po të kishte ndonjë problem me qiranë, të më kërkonte mua dhe unë do të kujdesesha për të. "

Abdullai thotë se nuk do të kishte arritur asgjë pa ndihmën e miqve të ndryshëm që bëri. Një prej tyre është edhe Lv Tingyang, një agjent pasurish të patundshme, i cili e ndihmoi Abdullain të gjente një apartament me qira kur mbërriti në qytet. Ndonjëherë Abdullai dhe punëtorët rrinë në punë deri vonë, kështu që Lv dhe e shoqja u dërgojnë atyre për të ngrënë. Lv thotë se iu desh të blejë enë të reja për të gatuar ushqimin që i pëlqen Abdullait, e po ashtu përbërësit me të cilët gatuan për të i blen nga shitësit ujgurë.

20 vjet pas largimit nga shtëpia, Abdullai tani drejton një zinxhir prej 11 restorantesh të ushqimit ujgur me dhjetëra të punësuar banorë vendorë. Ndihmën që i kanë dhënë njerëzit e tjerë, ai dëshiron t'ia kthejë shoqërisë. Kështu, sivjet 43-vjeçari ndihmoi me para dhe ushqime 15 familje të varfra në Nanchang, duke përfshirë të moshuar pa familje për t'i mbështetur dhe njerëz me aftësi të kufizuara.

"Ne kishim shumë pak para kur erdhëm në Nanchang, prandaj nganjëherë ime shoqe dhe unë hanim vetëm misra për darkë. Tani ne jemi në gjendje dhe kjo më bën të lumtur, por kur shoh të moshuar ose njerëz me aftësi të kufizuara në qytet që jetojnë në kushte të vështira, lumturia ime duket e pakuptimtë. Të vjen mirë kur sheh lumturinë e përbashkët," shprehet ai.

Gruaja e Abdullait, Ruzinisham Zakir, thotë se e përkrah plotësisht të shoqin në veprat e bamirësisë:

"Është një gjë e natyrshme. Tani që gjendja jonë ekonomike është bërë e mirë, ne duhet t'i ndihmojmë ata që jetojnë në varfëri, ngado që të jenë. Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Si bashkëshortja e Abdullait, jam dakord me veprimin e tij për t'ia shpërblyer shoqërisë".

Abdullai dhe Ruzinishami kanë tani katër fëmijë. Ata shpesh u mësojnë atyre rëndësinë e krijimit të miqësisë dhe ndihmës për të tjerët.

Mrekulli
Lajmet Kryesore