Linja ekspres tokë-det, "panorama e bukur" në "Një brez, një rrugë"

2017-06-21 20:31:21 CRI Komenti juaj Printoni

Në dhjetor të vitit 2017, Kina, Serbia, Hungaria dhe Maqedonia shpallën bashkërisht nisjen e ndërtimit të linjës ekspres tokë-det mes Kinës dhe Europës. Kjo linjë nis në jug nga porti i Pireut në Greqi, kalon nga Shkupi i Maqedonisë dhe Beogradi i Serbisë dhe mbërrin në veri në Budapest të Hungarisë. Linja pritet të rritë efikasitetin e transportit të mallrave mes Kinës dhe vendeve europiane. Krahas kësaj, me ndërtimin e infrastrukturës hekurudhore, do të përmirësohet edhe gjendja e transportit, do të shtohet punësimi vendor dhe do të arrihen përfitime të përbashkëta.

Porti i Pireut është pikënisja e linjës ekspres tokë-det. Ky port, që njihet si porta jugore e Europës, në vitin 2016 është blerë nga grupi kinez i transportit detar COSCO. Tani, porti i Pireut është bërë një pikë takimi e transportit tokësor dhe detar të mallrave mes Kinës dhe Europës. Kryemenaxheri i kompanisë "COSCO SHIPPING Lines", Luo Zhongming, u shpreh se, nga janari i sivjetshëm, numri i anijeve që udhëtojnë mes porteve kineze dhe portit të Pireut është rritur në mbi 30 dhe ky port po luan një rol më të madh si nyjë e linjës ekspres tokë-det.

"Tani koha e transportit detar nga Shangai për në portin e Pireut është 20 ditë, koha më e shkurtër e dërgimit të mallrave në treg. Nga porti i Pireut për në brendësi të Europës duhen 3-5 ditë. Kështu, koha e përgjithshme e këtij transporti është 5-10 ditë më pak se në rrugë tradicionale. Kjo është përparësia e këtij projekti dhe linja ekspres tokë-det gradualisht po parapëlqehet nga klientët," thotë Luo Zhongming.

Hekurudha Hungari-Serbi është një pjesë e rëndësishme e kësaj linje. Në nëntor 2015, Kina, Hungaria dhe Serbia nënshkruan dokumentin e bashkëpunimit për hekurudhën Hungari-Serbi, që parashikon rinovimin e instalimeve të vjetra dhe rritjen e ndjeshme të efektivitetit të transportit. Kjo do të përmirësojë gjendjen e logjistikës në këto dy vende. Instituti i Studimeve të Komunikacionit (CIP) përgjigjet për projektimin e kësaj hekurudhe në Serbi. Drejtori i përgjithshëm i CIP-së Milutin Ignjatoviç u shpreh se hekurudha Hungari-Serbi do të sjellë përfitime për Europën Qendrore e Lindore, madje mbarë Europën.

"Hekurudha Hungari-Serbi është një projekt i përbashkët i Kinës, Hungarisë dhe Serbisë, që do të nxitë jashtëzakonisht zhvillimin ekonomik të rajonit. Kjo linjë hekurudhore lidh Beogradin e Budapestin, dhe ndërkohë lidhet me autostradat gjermane në veri dhe rrjetet e autostradave të Bullgarisë, Turqisë dhe Greqisë në jug. Ajo jo vetëm mund të kursejë kohë, por është edhe një mënyrë më e sigurt dhe më ekologjike transporti. Ky lloj transporti udhëtarësh dhe mallrash do të luajë një rol të rëndësishëm për nxitjen e ekonomisë rajonale," thotë Ignjatoviç.

Në mars të këtij viti, grupi kinez i inxhinierisë civile CCECC ka nisur projektin e rinovimit të një linje hekurudhore në Serbi, që është një pjesë e rëndësishme e hekurudhës Hungari-Serbi. Përfaqësuesi i përgjithshëm i grupit CCECC në Serbi, Zhu Tianran, u shpreh se shinat e vjetra në këtë linjë janë hequr tashmë dhe në vijim do të vendosen të rejat. Veçantia më e madhe e këtij projekti, sipas tij, është menaxhimi i lokalizuar për sa u përket krahëve të punës, lëndëve të para e pajisjeve.  

"Rikonstruksioni i kësaj hekurudhe në fakt do të thotë shtim i punësimit dhe përmirësim i gjendjes infrastrukturore vendore. Koncepti ynë është 'Me një projekt, më shumë miq vendorë'. Kemi përdorur modelin e shpërndarjes së punëve, çka ka ndihmuar shumë në punësimin e banorëve vendorë. Në këtë projekt ka dhjetë punonjës kinezë, kurse të huaj janë afro 200-300 veta, të cilët merren me punët e detajuara, si dhënia e pajisjeve me qira dhe blerja e materialeve përkatëse. Stafi kinez zë vetëm një pjesë shumë të vogël. Mendoj që ky është menaxhim i lokalizuar," thotë Zhu Tianran.

Me ndërtimin e hekurudhës Hungari-Serbi, linja ekspres tokë-det mes Kinës dhe Europës mund të ofrojë lehtësi të madhe për më shumë njerëz. Kryemenaxheri i kompanisë "COSCO SHIPPING Lines", Luo Zhongming, bëri të ditur që kompania e tij po planifikon të rritë frekuencën e transportit detar nga Kina për në Europë.

"Tani, transporti është një herë në javë. Shpresojmë që në të ardhmen, do të rritet në 2-3 herë në javë. Me linjën ekspres tokë-det, shërbimet tona mund të shkojnë nga porti i Pireut deri në vendet në brendësi të Europës dhe kjo mund të mirëpritet nga më shumë klientë. Shpresojmë që të mbulojmë sa më shumë vende europiane me një transport gjithnjë e më të dendur," thotë Luo Zhongming, kryemenaxheri i kompanisë "COSCO SHIPPING Lines".

Mrekulli
Lajmet Kryesore