Kina, përparim në rrugën e gjatë të uljes së varfërisë

2017-06-13 16:29:51 CRI Komenti juaj Printoni

Varfëria është një problem mbarëbotëror dhe një pengesë për zhvillimin e njerëzimit. Sipas Bankës Botërore, në vitin 2016, në mbarë botën kishte afro 700 milionë njerëz që jetonin në varfëri. Kina, si vendi më i madh në zhvillim, ka bërë përpjekje të shumta në luftën kundër varfërisë, duke e ulur numrin e të varfërve në vend nga mbi 82 milionë në vitin 2012 në 40 milionë vjet. Por objektivi i qeverisë kineze është zhdukja e plotë e varfërisë para vitit 2020. Për të arritur këtë objektiv, presidenti i Kinës Xi Jinping ka shpallur një strategji, ku theksohet se qeveria dhe mbarë shoqëria duhet t'i kushtojnë rëndësi asaj që ai e quajti "përpikmëri" në punën për uljen e varfërisë.

Fshati Maerzhuang ndodhet në Ningxia të Kinës Veriperëndimore. Në këtë fshat mbarështohet një lloj i njohur deleje, mishi i së cilës ishte një ushqim i posaçëm në Lojërat Olimpike të vitit 2008 në Pekin. Fshatarët e Maerzhuang-ut kanë jetuar duke u marrë me rritjen e deleve brez pas brezi, por, për shkak të luhatjeve stinore në treg, të ardhurat e tyre nuk kanë qenë të mjaftueshme. Ndërsa tani, banorët e këtij fshati i janë larguar varfërisë.

Kryeplaku i Maerzhuang-ut Feng Lizhen bën të ditur që vitet e fundit, me ndihmën dhe orientimin nga qeveria, fshatarët kanë filluar të kërkojnë një model të ri të rritjes së përbashkët të deleve. Lu Wentao ka punuar jashtë fshatit prej vitesh. Në vitin 2010, ai u kthye dhe ka filluar rritjen e deleve të famshme yanchitan, duke marrë pjesë në kooperativën e rritjes së deleve të krijuar në fshatin Maerzhuang. Sipas tij, me këtë biznes, ai mund të fitojë afro 200 mijë juanë në vit:

"Tani kemi mbi 7000 dele dhe, sa herë blejmë dele të reja, u bëjmë kontrollin veterinar. Tani çmimi është rreth 21 juanë për gjysmë kilogrami. Gjithashtu mund të marrim subvencion nga qeveria për rritjen e deleve."

Në vitin 2016, mishi i deleve të Maerzhuang-ut u shërbye për të pranishmit në samitin e G20-s në Hangzhou. Këtë vit, 59 ndër 64 familjet e fshatit Maerzhuang kanë dalë nga varfëria. Niveli i të ardhurave për frymë të banorëve të fshatit ka arritur në 8500 juanë dhe mbarështimi i deleve ka qenë burimi kryesor i kësaj rritjeje. Kryeplaku i Maerzhuang-ut Feng Lizhen, shprehet:

"Rritja e përbashkët e deleve, pra kooperativa e fshatit, mund të zgjidhë me të vërtetë problemin e varfërisë të banorëve. Unë shpresoj që t'i shfrytëzojmë këto vite për t'i orientuar banorët e fshatit të bëjnë një punë të rregullt dhe për ta ngritur fshatin Maerzhuang dhe jetesën e banorëve të tij në një nivel më të lartë."

Tani 40 milionë të varfërit në Kinë jetojnë në 128 mijë fshatra të vendit. Ndryshe nga fshati Maerzhuang, fshati Bahao në Guangxi të Kinës Jugperëndimore ende po përpiqet për të dalë nga varfëria. Mbi 300 ndër 500 familjet e fshatit jetojnë në varfëri. Qin Hanfeng është një zyrtar nga konteja autonome e kombësisë yao. Ai ka ardhur në fshatin Bahao për çështjen e luftës kundër varfërisë.

"Tani këtu ka shumë familje të varfra. Të varfërit jetojnë në vende ku mungojnë rrugët, prandaj ata kanë nevojë të madhe për ndihmën dhe mbështetjen e qeverisë, për ta ndryshuar gjendjen e tanishme të komunikacionit," thotë Qin Hanfeng.

Sipas politikës mbështetëse të qeverisë kineze, banorët e fshatrave të largëta që jetojnë në kushte të vështira e në varfëri, nëse dëshirojnë, mund të zhvendosen për të jetuar në një vend tjetër me kushte më të mira ekonomike. Në Bahao ka pasur banorë që janë larguar nga zona malore, duke ndërtuar shtëpi të reja përgjatë rrugëve. Lan Yueying është një prej tyre. Ajo thotë:

"Kemi banuar për 24 vjet në shtëpinë e vjetër. Kur fëmija ishte i vogël, gjendja jonë ka qenë e vështirë. Tani kemi ndërtuar një banesë të re dhe djali punon jashtë fshatit. Jetesa është më e mirë tani."

Megjithëse shumë banorë të Bahao-s janë larguar nga shtëpitë e tyre në zonën malore, mbi 200 familje të fshatit nuk dëshirojnë të largohen dhe kanë zgjedhur të qëndrojnë në Bahao. Ata shpresojnë që në të ardhmen do të ndërtohen më shumë rrugë në këtë fshat malor, që fëmijët të mos kenë nevojë të ecin tre orë më këmbë për në shkollë dhe banorët të mund të lëvizin më lehtë.

Fshati Maerzhuang i është larguar varfërisë dhe fshati Bahao ende po përpiqet të dalë nga varfëria. Këto dy fshatra, njëri në Veri dhe tjetri në Jug të Kinës, janë një pasqyrë e punës së qeverisë kineze për eliminimin e varfërisë, duke treguar në të njëjtën kohë vështirësinë e kësaj pune. Presidenti i Kinës Xi Jinping ka bërë shpeshherë vizita në zonat e varfra, duke e vënë gjithnjë në qendër të punës së vet uljen e varfërisë. Në mars të këtij viti, ai theksoi se duhet të shtohet "mbështetja e përpiktë" për të varfrit:

"Kyçi i mbështetjes për të varfrit është përpikmëria. Duhet të fokusohemi tek shtresat bazë dhe te përpikmëria e procedurave. Disa gjëra madje kërkojnë saktësinë e qëndisjes. Parandalimi i kthimit përsëri në varfëri ka të njëjtën rëndësi si zhdukja e varfërisë," tha Xi Jinping.

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore