Kompanitë kineze, rol kyç për infrastrukturën në "Një brez, një rrugë"

2017-05-23 17:11:01 CRI Komenti juaj Printoni

Javën e kaluar, në Xiamen të Kinës Jugore, u zhvillua një seminar mbi ndërtimin e infrastrukturës në Rrugën Detare të Mëndafshit. Pjesëmarrësit në këtë seminar ishin të mendimit që infrastruktura luan një rol kryesor në zbatimin e nismës "Një brez, një rrugë" dhe është një fushë me përparësi në këtë nismë. Sipas tyre, e ashtuquajtura "dalje jashtë vendit" e kompanive kineze është në të mirë të ndërtimit infrastrukturor në vendet përgjatë "Një brez, një rrugë".

Në këtë seminar, të pranishmit u shprehën se ndërtimi infrastrukturor do të lidhë ngushtë zhvillimin e Kinës me atë të vendeve përgjatë "Një brez, një rrugë", duke sjellë arritjen e përfitimeve të përbashkëta.

Drejtuesi i grupit të punës në Aleancën Ndërkombëtare Industriale pranë nismës "Një brez, një rrugë" dhe ish-kryetari i Bordit Mbikëqyrës të Ndërmarrjeve të Mëdha Shtetërore pranë Këshillit të Shtetit të Kinës Luo Han thotë:

"Zhvillimi i Kinës në 30 vjetët e fundit ka treguar që infrastruktura është një rrugë e rëndësishme për nxitjen ekonomike. Sipas parashikimeve të Bankës Aziatike të Investimeve Infrastrukturore, për periudhën nga viti 2016 deri në 2030, ekonomitë aziatike në zhvillim do të kenë nevojë për 26 trilionë dollarë amerikanë investime në infrastrukturë, ose mesatarisht 1.7 trilionë dollarë në vit. Tani, 53 vendet përgjatë 'Një brez, një rrugë' janë të gatshme të zhvillojnë bashkëpunim infrastrukturor me Kinën dhe numri i projekteve përkatëse ka arritur në mbi 1500. Kërkesa për investime infrastrukturore është afro 1.5 trilionë dollarë. Kështu, kemi arsye të plotë të besojmë që ndërtimi infrastrukturor mund të japë ndihmesë pozitive për zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik dhe përmirësimin e jetesës në vendet përgjatë 'Një brez, një rrugë'."

Pjesëmarrësit në seminarin mbi ndërtimin e infrastrukturës në Rrugën Detare të Mëndafshit vunë në dukje se, pas dhjetëra vjetësh zhvillimi, kapacitetet e kompanive kineze janë të nivelit botëror. Veçanërisht për sa u përket trenave me shpejtësi të madhe dhe porteve detare, Kina renditet në vendet e para të botës. Në këtë mënyrë, "dalja jashtë vendit" e kompanive kineze në këta sektorë do të ofronte mbështetje të fuqishme për zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendeve përgjatë "Një brez, një rrugë".

Grupi "Datang" është një gjigant i prodhimit të energjisë elektrike, me një vëllim të përgjithshëm kapitalesh prej më shumë se 700 miliardë juanë. Kryemenaxheri i "Datang"-ut Chen Feihu është shprehur më parë që këto vitet e fundit, ky grup i është përgjigjur pozitivisht nismës "Një brez, një rrugë", duke shpejtuar hapat e "daljes jashtë vendit". Tani, grupi "Datang" ka mbi 20 degë dhe projekte jashtë vendit, me një pasuri me vlerë mbi 13 miliardë juanë, duke krijuar vende të shumta pune në 13 vende e rajone, si Mianmar, Kamboxhia, Indonezi dhe Pakistan:

"Në këtë drejtim, grupi 'Datang' ka grumbulluar përvojë të pasur në ndërtimin dhe menaxhimin e projekteve. Ne i kushtojmë rëndësi bashkëpunimit dhe bashkërendimit me qeveritë dhe shoqëritë vendore, si edhe kulturave dhe zakoneve vendore. Ne përpiqemi të shtojmë lidhjet kulturore, të japim ndihmë brenda aftësive tona për rritjen e nivelit të jetesës të banorëve vendorë dhe të mbajmë aktivsht përgjegjësitë tona shoqërore. Projekti i transmetimit të energjisë elektrike 230 kilovolt nga Pnom Pheni në Battambang të Kamboxhias është projekti i parë i tillë në këtë vend, dhe ka krijuar mbi 10 mijë vende pune për banorët vendorë. Standardet tona në ndërtim dhe mbrojtjen e mjedisit janë më të larta se standardet kombëtare të Kamboxhias," thotë Chen Feihu.

Korridori ekonomik Kinë-Pakistan është një nyjë kyçe për lidhjen mes Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit dhe Rrugës Detare të Mëndafshit. Pas ndërtimit, nga ky projekt mund të përfitojnë afro tre miliardë njerëz. Kryetari i Akademisë së Shkencave të Pakistanit, Khalid Mahmud Khan, shprehet:

"Dua të them diçka për korridorin ekonomik Kinë-Pakistan. Kina i kushton rëndësi të madhe këtij projekti në kuadër të nismës 'Një brez, një rrugë'. Korridori ekonomik vetë është një element i rëndësishëm i 'Një brez, një rrugë'. Ky korridor duket si një pemë që lidh tokën dhe detin. Degët e kësaj 'peme' lidhin Afganistanin, Indinë dhe Iranin. Korridori ekonomik Kinë-Pakistan nuk është as një korridor i thjeshtë ekonomik, as një kanal tregtar, por një projekt që ndryshon fatin e pakistanezëve, pasi me këtë projekt mund të prodhohen 10000 megavatë energji elektrike, gjë që do të nxitë zhvillimin e hidrocentraleve dhe të objekteve të tjera infrastrukturore në Pakistan. Kjo nismë e paraqitur nga presidenti Xi Jinping është mirëpritur nga pakistanezët dhe krijuar perspektivën për komunitetin e fateve të përbashkëta mes Kinës dhe Pakistanit. Në këtë perspektivë, shohim vlerën lindore të harmonisë, e cila do të përqafohet nga e gjithë bota."

(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore