Chen Fashu, "Warren Buffett-i i Kinës"

2017-05-23 17:09:54 CRI Komenti juaj Printoni

Themeluesi i Grupit Industrial "New Huada" Chen Fashu është një prej investitorëve më të njohur në Kinë, duke u quajtur shpesh edhe si Warren Buffett-i i Kinës. Por fëmijëria e tij e kaluar në varfëri e ka bërë që t'i ngjajë edhe Bill Gates-it kur është fjala në çështjet e bamirësisë e të ndihmës ndaj njerëzve në nevojë.

Chen Fashu ka lindur në vitin 1961 në komunën Anxi të provincës Fujian në lindje të Kinës. Fëmijëria e miliarderit të ardhshëm kaloi në varfëri të skajme, për shkak të së cilës Chen Fashu nuk arriti të kryente dot as arsimin fillor. E megjithatë, këto vështirësi ekonomike në njëfarë mënyre formësuan të ardhmen e Chen Fashu-së, duke e bërë të vendosur që në moshë të vogël për t'iu larguar varfërisë dhe për të mësuar artin e pasurimit.

Dhe kështu Chen-i nuk la t'i shpëtojë mundësia që krijoi Reforma dhe Hapja në Kinë për fillimin e bizneseve private. Në vitin 1982, kur ishte vetëm 21 vjeç, me një kamion të ngarkuar plot me dru, ai shkoi nga fshati i tij për në Xiamen, një qytet bregdetar po në provincën Fujian, duke ndier mundësitë që ofronte ky biznes. Në vitin 1985 Chen Fashu nënshkroi një kontratë për transportin e drurit me një kompani përpunimi druri, nga e cila fitoi 1000 juanë. Në vijim kontrata të tilla do të shtoheshin, edhe më të leverdishme dhe, pa kaluar shumë, Chen Fashu do të bëhej biznesmeni më i madh i transportit të drurit në qytetin Quanzhou, teksa do të blinte një shtëpi në qytetin nga e kishte nisur këtë biznes, Xiamen.

Lëvizja e ardhshme e Chen Fashu-së do të ishte hapja e qendrave tregtare. Kështu, në vitin 1995 ai hapi disa qendra tregtare, të cilat i quajti "New Huada". Pas dy vjetësh, mbi bazën e këtyre qendrave u krijua Grupi Industrial "New Huada", që zotëron tashmë me dhjetëra qendra tregtare në provincën Fujian.

Më pas Chen Fashu vendosi diversifikimin e mëtejshëm, duke investuar në pasuritë e patundshme, hoteleri dhe blerjen e ndërmarrjeve shtetërore që ai i shihte me potencial. E pikërisht një prej këtyre ndërmarrjeve do të ishte ajo që do të kthehej edhe në kuptim të drejtpërdrejtë në një minierë ari për Chen Fashu-në. "Zijin", një ndërmarrje shtetërore në nivel konteje, që do të shndërrohej në minierën më të madhe në arit në Kinë, në vitin 1999 po kërkonte investitorë. Miniera ndodhet në provincën Fujian, dhe Chen Fashu ishte tashmë një ndër biznesmenët më të njohur të kësaj province. Në atë kohë, nxjerrja e arit nuk cilësohej si një biznes tërheqës, por ai i kuptoi potencialet në të ardhmen dhe u bë aksionari më i madh i "Zijin"-it, duke luajtur rolin kryesor në listimin e kompanisë fillimisht në Bursën e Hong-Kongut në 2008, dhe në atë të Shangait pas një viti. Me rritjen e çmimit të arit, pasuria e Chen Fashu-së u rrit nga 48 milionë juanë (rreth 7 milionë dollarë amerikanë) në 20 miliardë juanë (2.9 miliardë dollarë) kur ai shiti 50 % të aksioneve të tij në kompaninë minerare "Zijin".

Një tjetër blerje e spikatur e Chen Fashu-së është ajo e 7 % të aksioneve të kompanisë së birrës "Qingdao", një ndër markat më të vjetra e më të njohura të birrës në Kinë. Tregu i birrës në Kinë ka qenë tradicionalisht i copëzuar dhe shumë konkurrues, por instinkti i tij prej investitori të zgjuar e bëri Chen-in të kuptojë se perspektivat e këtij sektori janë të mira. Disa ekspertë parashikojnë se Kina do të përbëjë 50 për qind të rritjes së shitjeve të birrës në shkallë globale në dekadën e ardhshme.

Dhe me të vërtetë, ky investim ka nisur t'i japë tashmë frytet e veta, falë edhe përmirësimit të menaxhimit të sjellë nga Chen Fashu, ashtu si në "Zijin". Mjaft e kanë krahasuar investimin e tij në "Qingdao" me atë të Warren Buffett në "Coca Cola", duke e pagëzuar edhe vetë Chen Fashu-në si "Warren Buffett-i i Kinës".

Por nëse në aftësinë për të bërë investime Chen Fashu krahasohet me Warren Buffett, në çështjet e përgjegjësisë shoqërore e të filantropisë ai i ngjan një tjetër figure të njohur, Bill Gates-it. Në vitin 2009 Chen Fashu themeloi Fondacionin e Bamirësisë "New Huadu" me 1.2 miliardë nga pasuria e tij personale. Fondacioni i Bamirësisë "New Huadu" vlerësohet se është tashmë më i madhi në Kinë.

Chen Fashu njihet si njeriu më i pasur në provincën Fujian. Konglomerati i tij tani punëson më shumë se 5 000 veta dhe ka të ardhura vjetore prej rreth 5 miliardë juanë (më shumë se 725 milionë dollarë amerikanë). Ndërkohë, pasuria e Chen Fashu-së llogaritet në 2.7 miliardë dollarë. E megjithatë, ai bën një jetë të thjeshtë e të tërhequr, pa rënë në kurthin e teprimeve që mund të sjellë një pasuri e tillë. Chen Fashu është një familjar i mirë dhe i rregullt, njeri i përpiktë, dhe nuk pi duhan apo alkool. Jeta e tij e përditshme është shumë e shëndetshme. Ai bie të flejë herët e po ashtu çohet herët dhe shmang darkat e shpeshta qofshin të punës apo shoqërore. Në vend të kësaj atij i pëlqen të pijë çaj, duke e quajtur këtë jo vetëm diçka qetësuese, por madje edhe një përvojë hyjnore, që e çliron nga stresi i punës dhe përditshmërisë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore