"Një brez, një rrugë", grupi "Haier" zgjeron biznesin me modelin e ri

2017-05-16 16:41:24 CRI Komenti juaj Printoni

Vitet e fundit, grupi kinez "Haier" ka përdorur një model të ri biznesi, me dizenjim, prodhim dhe marketing të lokalizuar, duke bërë vazhdimisht kërkime në bazë të kërkesave të tregjeve të ndryshme përgjatë "Një brez, një rrugë". Tani, qoftë në vendin e largët afrikan Marok, qoftë në vendin e afërt me Kinën Pakistan, grupi "Haier" është bërë një "kartëvizitë" e njohur e Kinës, duke hyrë në familjet e këtyre vendeve.

Grupi "Haier" e ka selinë në Qingdao të Kinës Lindore. Salah Daoudi është nga Maroku dhe merret me biznesin e produkteve elektronike. Ai thotë që në dhjetë vjetët e fundit, kompania e tij është distributorja e produkteve "Haier" në Marok dhe ai vetë ka qenë dëshmitar i mbarë procesit të zhvillimit të grupit "Haier", nga një markë e panjohur në një markë që është përshtatur pandërprerë me tregun vendor falë produkteve të veta inovatore.

"Në vitin 2007, kur sapo filluam bashkëpunimin me 'Haier'-in, 'Haier'-i ende nuk ishte marka më e madhe në botë e pajisjeve të mëdha elektro-shtëpiake. Mirëpo dy vjet më pas, në 2009, 'Haier' u bë marka më e madhe e botës. Për ne pa dyshim ishte një vendim i drejtë që e nisëm bashkëpunimin para se 'Haier'-i të bëhej numri një në botë. Në dhjetë vjetët e fundit, 'Haier'-i ka pasur sukses gjithnjë e më të madh. Bashkë me këtë, edhe ne e kemi zgjeruar biznesin në vendin tonë," thotë Daoudi.

Suksesi i grupit "Haier" në Marok vjen nga modeli i tij i ri i biznesit, me dizenjim, prodhim dhe marketing të lokalizuar. Me këtë model, "Haier" ka ndërtuar dhjetë qendra kërkimore-shkencore, 108 fabrika dhe 66 qendra marketingu, duke u bërë një emër i njohur në vendet përgjatë "Një brez, një rrugë".

Vitin e kaluar filloi prodhimin në Rusi fabrika e parë e frigoriferëve e "Haier"-it, që është një projekt i madh i këtij grupi në vendet përgjatë "Një brez, një rrugë". Kjo fabrikë zbaton modelin e lokalizimit të grupit, duke lokalizuar dizenjimin, prodhimin dhe marketingun.

Kryemenaxheri i degës së "Haier"-it në Rusi, Sun Zhenhua, shprehet se produktet e "Haier"-it që tregtoheshin në Rusi, kryesisht ishin të prodhuara për tregun europian. Ato kishin epërsi për sa i përket kursimit të energjisë dhe pamjes së jashtme, por nuk kanë forcë konkurruese në tregun rus.

Sun vëren që në Rusi tarifa e energjisë elektrike nuk është e shtrenjtë dhe njerëzit nuk i kushtojnë vëmendje kursimit të energjisë. Krahas kësaj, kuzhina në shtëpitë ruse është e vogël, por banorët vendorë kanë nevojë për rezerva të mëdha ushqimore. Kështu, "Haier"-i duhej të bënte kërkime për produkte më të përshtatshme për këtë treg.

"Për arsye që kuzhina në Rusi ka ngrohje në dimër, rusët i vendosin perimet dhe ushqimet në frigorifer dhe blejnë në sasi të mëdha. Ata blejnë në supermarket ushqime për një javë. Kështu, duhet një produkt me kapacitet të madh, por që nuk zë shumë vend. Prandaj, kemi dizenjuar një frigorifer modular dy metra të gjatë posaçërisht për tregun rus. Një lloj i tillë është një gjë e rrallë në Europë, por është pritur mirë nga konsumatorët rusë," thotë Sun Zhenhua.

Sun Zhenhua bën të ditur se, brenda gjysmë viti nga krijimi i kësaj fabrike, niveli i shitjes së frigoriferëve "Haier" në Rusi dhe Azinë Qendrore është rritur tre herë. Ai parashikon që këtë vit vëllimi i shitjeve do të rritet me afro 40%-50%.

Zv.presidenti i Kompanisë së Industrisë Elektrike Jashtë Vendit "Haier", Zhang Qingfu, u shpreh që me modelin e ri dhe me inovacion, "Haier" e ka zgjeruar biznesin e vet në shumë vende dhe ka siguruar përfitime konkrete në vendet përgjatë "Një brez, një rrugë". Ai theksoi që, me këtë model në Rusi, "Haier" ka pasur ndikim të madh në punësim dhe rritjen e nivelit teknologjik.

"Kemi punësuar drejtpërdrejt mbi 500 banorë vendorë dhe më shumë se 1000 në zinxhirin e prodhimit, ndërsa në të tërë projektin janë punësuar mbi dy mijë veta. Fabrikat tani në Rusi janë shumë të vjetra, me një prapambetje rreth 20-vjeçare. Fabrika jonë e re mund ta ngrejë shumë nivelin e tyre teknologjik e të menaxhimit. Ne kemi persona në pozicione kyçe dhe, përveç tyre, përgatisim edhe vendësit. Objektivi përfundimtar është që të vihet në funksionim nga vetë vendësit," thotë Zhang Qingfu.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore