Treni i rregullt i mallrave Kinë-BE "pikturon" peizazhin e bukur të "Një brez, një rrugë"

2017-05-09 16:07:06 CRI Komenti juaj Printoni

Nisma "Një brez, një rrugë", e paraqitur nga presidenti i Kinës Xi Jinping, ka tërhequr vëmendjen e madhe të bashkësisë ndërkombëtare. Linja e rregullt e trenave të mallrave mes Kinës dhe vendeve europiane, si një element i rëndësishëm përbërës i Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit, gjatë gjashtë vjetëve që prej fillimit nga funksionimi, ka marrë një zhvillim të madh, duke u kthyer në një urë lidhëse për vendet përgjatë Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit.

Në mars të vitit 2011, treni i parë i mallrave mes Kinës dhe BE-së, treni i parë i linjës hekurudhore Chongqing-Xinjiang-Europë, mbërriti në Dujsburg të Gjermanisë. Në gjashtë vjetët në vijim, gjithnjë e më shumë qytete kineze kanë vendosur linja transporti hekurudhor me këtë qytet. Sipas të dhënave të fundit, në vitin 2016, janë bërë 1702 udhëtime trenash në këtë linjë, 109 % më shumë se në vitin 2015. Daniel Thomas është punonjës në stacionin e mallrave të Duisburgut. Ai ka ndjekur nga afër krijimin dhe ndryshimin e kësaj platforme lidhëse mes qytetit të tij dhe Kinës.

"Gjashtë vjet më parë, treni i parë i mallrave nga Kina mbërriti në Dujsburg. Tani në stacionin e mallrave DIT, ka 20 trena që lëvizin vajtje-ardhje në javë, 12 ndër të cilët shkojnë në Kinë dhe tetë vijnë nga Kina këtu. Krahas kësaj, ka edhe më shumë lloje mallrash. Pa dyshim, linja e rregullt e trenave të mallrave Kinë-BE ka dhënë kontribut për rritjen e vëllimit të transportit në stacionin DIT. Mendoj që gjërat do të përmirësohen edhe më shumë në të ardhmen," thotë Daniel Thomas.

Nga linja Chongqing-Xinjiang-Europë, që ka filluar funksionimin gjashtë vjet më parë, e deri tani me linjat Zhengzhou-Xinjiang-Europë, Wuhan-Xinjiang-Europë, Yiwu-Xinjiang-Europë dhe Chengdu-Europë, trenat e rregullt të mallrave mes Kinës dhe BE-së kanë ardhur duke u shtuar me ritme të shpejta dhe linja hekurudhore Kinë-BE është shndërruar në një standard të rëndësishëm për vlerësimin e infrastrukturës të një qyteti me jashtë. Menaxheri i degës së Lindjes së Largët të kompanisë logjistike gjermane FELB, Shan Jing, u shpreh se tani trenat e mallrave Kinë-BE janë integruar në sistemin e transportit ndërkombëtar të Europës.

"Në fillim, nuk kishte furnizim të qëndrueshëm me mallra dhe nuk qarkullonin rregullisht në javë trena si tani. Atëherë, koha e udhëtimit nuk ishte e përcaktuar, ndërsa tani çdo javë ka trena të rregullt për në Europë. Në fillim ishte thjesht transport nga një pikë në një tjetër dhe nga një stacion në një tjetër, kur tani trenat janë koordinuar me sistemin e transportit hekurudhor europian, duke formuar një rrjet të vetëm. Kjo ka lidhur Azinë dhe Europën," thotë Shan Jing.

Në janar të vitit 2017, treni i parë i mallrave u nis nga qyteti Yiwu i Kinës Lindore për në Londër. Vetëm tre muaj më pas, megjithëse ishte në fazën eksperimentale, treni nga Londra për në Yiwu u ngarkua plotësisht me konteinerë mallrash dhe porositë duhej të bëheshin së paku dy javë përpara. Përgjegjësi i linjës Yiwu-Xinjiang-Europë, Tufan Khalaji, vëren:

"E kemi ndier interesin shumë të madh të njerëzve për trenat e rinj dhe linjën e re. Megjithëse linja e kthimit ende është në fazën e testimit, kemi marrë shumë porosi dhe treni pothuajse është mbushur plot dhe ka mbetur një hapësirë shumë e paktë. Kryesisht ngarkesa është me mallra, si produkte për nënat dhe foshnjat, qumësht pluhur dhe verë. Ato nuk janë vetëm nga Londra, por nga e gjitha Britania e Madhe, si p. sh. Skocia, si edhe nga Irlanda. Veçanërisht kohët e fundit, transporti detar është i ngarkuar, prandaj i paralajmëroj klientët të bëjnë porosi para kohe".

Duke përmendur forumin e nivelit të lartë mbi "Një brez, një rrugë" që do të zhvillohet në Pekin, Tufan Khalaji u shpreh se "Një brez, një rrugë" është një nismë e rëndësishme e ideuar nga Kina, por ajo nuk duhet të varet vetëm nga përpjekjet e Kinës, po dhe vendet përgjatë Brezit dhe Rrugës duhet të marrin pjesë aktivisht në këtë nismë, veçanërisht për sa i përket ndërtimit të infrastrukturës. Sipas tij, vetëm një gjë e tillë mund të bëjë që të realizohet kjo nismë.

"Trenat e rregullt të mallrave Kinë-BE harxhonin një kohë të madhe kur kalonin kufirin mes Polonisë dhe Bjellorusisë, pasi infrastruktura në Poloni nuk mund të përballonte një vëllim kaq të madh transporti. Rritja e vëllimit të transportit në këtë linjë është 100 %, prandaj edhe infrastruktura duhet të përmirësohet bashkë me këtë rritje. Kina nuk mund të zgjidhë të gjitha problemet, por nisma kineze 'Një brez, një rrugë' ka treguar një drejtim dhe, në fazën e ardhshme, duhet të marrin pjesë vendet e tjera për të hedhur një hap më tej," thotë Tufan Khalaji.(Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore