Investimet kineze jashtë vendit shënojnë rënie në tremujorin e parë

2017-04-25 16:34:44 CRI Komenti juaj Printoni

Kohët e fundit, Ministria e Tregtisë e Kinës bëri të ditur që në tremujorin e parë të vitit 2017, investimet e drejtpërdrejta jofinanciare nga investitorët kinezë jashtë vendit kanë pasur rënie me pothuajse 50% në krahasim me vitin e kaluar. Ndërkohë, investimet kineze në vendet përgjatë "Një brez, një rrugë" kanë shënuar rritje të vazhdueshme.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Tregtisë, në tremujorin e parë të vitit 2017, investitorët kinezë kanë bërë investime të drejtpërdrejta jofinanciare në 2170 kompani të 129 vendeve e rajoneve të botës, duke shënuar një vëllim investimesh prej 20.54 miliardë dollarë amerikanë, 48.8 % më pak se në vitin 2016. Shifra për muajin mars ishte 7.11 miliardë dollarë, 30.1 % më pak se marsin e vjetshëm. Këshilltari për tregtinë në Drejtorinë e Bashkëpunimit me Jashtë të Ministrisë së Tregtisë të Kinës, Han Yong, u shpreh se rënia e investimeve të drejtpërdrejta kineze jashtë vendit në tremujorin e parë është shkaktuar nga faktorë të shumtë të brendshëm e të jashtëm:

"Në tregun ndërkombëtar, investimet kanë ciklin e tyre dhe nuk janë të përcaktuara. Projektet dhe mundësitë e investimeve nuk rriten në mënyrë lineare. Tani në tregun ndërkombëtar ka disa kufizime ndaj investimeve kineze, çka i ka bërë investitorët kinezë të jenë më të kujdesshëm. Brenda vendit, duke mbajtur parasysh gjendjen e investimeve jashtë vitin e kaluar, kemi marrë disa masa dhe kemi bërë rregullime lidhur me investimet joracionale jashtë vendit, gjë që i ka ndihmuar investitorët të jenë më të arsyeshëm dhe të investojnë në sektorët e ekonomisë reale dhe sektorët e rinj. Prandaj, kjo gjendje investimesh është e arsyeshme dhe normale."

Investimet kineze në ShBA, Europë dhe Australi vjet kanë shënuar një nivel rekord, por kjo ka tërhequr vëmendjen e institucioneve mbikëqyrëse të disa vendeve, që kanë shtrënguar rregullat ndaj investimeve të huaja. Disa vende të zhvilluara kanë shtuar pengesat ndaj investimeve kineze, veçanërisht ndaj atyre të ndërmarrjeve shtetërore, çka ka shtuar rrezikun e investimeve jashtë vendit të sipërmarrjeve kineze.

Përveç vështirësive, investimet e drejtpërdrejta kineze jashtë vendit në tremujorin e parë kanë pasur edhe aspekte pozitive. Han Yong bën të ditur që, në tremujorin e parë, investimet kineze në vendet përgjatë "Një brez, një rrugë" kanë ardhur duket u rritur vazhdimisht.

"Në tremujorin e parë, kompanitë kineze kanë bërë investime të reja të drejtpërdrejta jofinanciare në 43 vende përgjatë 'Një brez, një rrugë', me një vëllim të përgjithshëm 2.95 miliardë dollarë amerikanë, 5.4 % më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe duke zënë 14.4 % të investimeve të përgjithshme jashtë vendit gjatë tremujorit të parë. Vëllimi i kontratave të nënshkruara për projektet në 61 vende përgjatë 'Një brez, një rrugë' është 14.39 miliardë dollarë amerikanë, 4.7 % më shumë se në tremujorin e parë të vitit 2016, duke zënë 49.2 % të vëllimit të përgjithshëm të investimeve jashtë vendit, pra pothuajse gjysmën," shprehet Han Yong.

Ndërkohë, struktura e investimeve kineze jashtë vendit po përmirësohet më tej. Në tremujorin e parë, këto investime janë bërë kryesisht në sektorin e prodhimit, të shërbimeve e të teknologjisë së informacionit, duke zënë përkatësisht 24.7%, 22.8% dhe 14.3% të vëllimit të përgjithshëm të investimeve kineze jashtë vendit. Han Yong shprehet që, me parandalimin e rreziqeve të mundshme, investimet kineze jashtë vendit sivjet do të jenë të qëndrueshme e me prirje pozitive.

"Në të ardhmen, ne do të këmbëngulim edhe më tej për lehtësimin e investimeve. Ky është qëndrimi ynë bazë. Ndërkohë, do t'i japim përparësi parandalimit të rreziqeve, për t'i nxitur kompanitë të bëjnë biznes sipas rregullave e ligjeve dhe të kenë më shumë aftësi parandaluese. Qeveria kineze dhe Ministria e Tregtisë do të marrin masa të ndryshme në këtë drejtim. Investimet jashtë vendit sivjet do të kenë një ulje të ngadaltë e të qëndrueshme dhe do të kenë prirje pozitive," thotë Han Yong, këshilltar për tregtinë në Drejtorinë e Bashkëpunimit me Jashtë të Ministrisë së Tregtisë të Kinës. (Jiang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore