Zhang Huamei, biznesmenia e parë e regjistruar në Kinë

2017-04-25 16:28:11 CRI Komenti juaj Printoni

Kur kryeministri kinez Li Keqiang u takua vitin e kaluar me një grup përfaqësuesish të biznesit privat në Kinë, ndër të pranishmit ishte edhe një grua në të pesëdhjetat, e quajtur Zhang Huamei, të cilën kryeministrit Li ia paraqitën si "biznesmenia e parë private e regjistruar në Kinë". Në fakt, edhe vetë Zhang Huamei do ta mësonte një gjë të tillë shumë më vonë. Dhe atëherë nuk e mendonte se një ditë do të kishte kompaninë e vet. Ajo e nisi biznesin 38 vjet më parë ngaqë nuk kishte mundësi tjetër.

Zhang Huamei ka lindur në vitin 1960 në Wenzhou të provincës Zhejiang në Kinën Lindore, në një familje me shtatë fëmijë. I ati e kishte shumë të vështirë ta mbante një familje aq të madhe me vetëm 30 juanë në muaj nga puna e tij në fabrikë. Prandaj, ai nisi një biznes të vogël, por që ishte përsëri i pamjaftueshëm. Prandaj, kur Zhang Huamei mbaroi shkollën e mesme, i ati kërkoi ndihmën e saj. "Familja ime ishte e varfër dhe kishte nevojë për mbështetjen time financiare. Por nuk gjeta punë, pasi mbarova shkollën e mesme. Isha shumë xheloze për shokët dhe shoqet e mia që kishin punë të mira në shtet. Nuk e dija se çfarë të bëja, por e dija se duhej të bëja diçka, në vend që të rrija duarkryq papunë. Babai im kishte nisur një biznes të vogël. Ai sugjeroi se ndoshta mund ta provoja edhe unë një gjë të tillë," kujton ajo.

Nuk ishte e lehtë. Tregtarët e vegjël privatë në atë kohë ende shiheshin si "spekulatorë". Por Zhang Huamei mendoi se nuk kishte rrugë tjetër përveçse ta provonte. Dhe kështu në pranverën e vitit 1979 ajo nxori një tezgë përpara shtëpisë dhe filloi të shiste ato pak mallra të vogla që kishte blerë me vetëm 150 juanët që kishte, si kopsa, ora lodër dhe shirita plastikë. Zhang Huamei ishte një nga më shumë se dhjetë shitësit në rrugën e saj që bënin të njëjtën gjë.

Jeta ishte e vështirë për të renë. E vetmja mënyrë për të transportuar mallra për në Wenzhou në atë kohë ishte me anije. Për të blerë mallra, Zhang Huamei-t duhej të ngrihej në orën 4 të mëngjesit për të kapur anijen, dhe i duhej një ditë e tërë për të shkuar në Shangai.

"Sa herë zbritnim në tokë, më merreshin mendtë, isha e dehidratuar dhe ndihesha shumë e dobët," tregon Zhang Huamei.

Pavarësisht vështirësive, Zhang Huamei arriti ta lehtësonte shumë barrën financiare të familjes së vet. Ajo fitonte dy juanë në ditë, që në atë kohë dhe për gjendjen ku ndodhej familja e saj, ishte një shumë relativisht e madhe. Veçanërisht po të kesh parasysh se ishte afro tre herë më e madhe se rroga e një punëtori në shtet.

Edhe gjendja nga ana ligjore po ndryshonte. Autoritetet kineze vendosën t'u japin status ligjor pronarëve të bizneseve private. Zyra e Tregtisë dhe e Industrisë, që sapo ishte hapur në Wenzhou, dërgoi punonjësit e vet me formularë, duke u thënë tregtarëve privatë që të regjistroheshin.

Zhang Huamei nuk e besoi në fillim. "Kush ka nevojë të regjistrohet kur shet para shtëpisë së vet?" mendonte ajo. Por më në fund e plotësoi formularin bashkë me një foto.

Në vitin 1980, bashkia e Wenzhou-t miratoi 1 844 leje biznesi. Numri i tyre në mbarë Kinën i kaloi një milion deri në fund të vitit 1981. Vetëm gjashtë vjet më vonë, Kina kishte më shumë se dhjetë milionë biznesmenë privatë të regjistruar. Por fati e desh që Zhang Huamei do të ishte e para prej tyre. Megjithatë, ajo do ta mësonte një gjë të tillë vetëm 24 vjet më vonë, kur Wenzhou u renditet ndër "10 qytetet me gjallërinë më të madhe ekonomike" nga Televizioni Qendror i Kinës. Zhang Huamei ishte e ftuar në ceremoninë e dhënies së çmimeve. Në fjalën e vet në këtë ceremoni, ajo tha: "Të gjitha firmat private në Wenzhou, të mëdha apo të vogla qofshin, kanë filluar si sipërmarrje individuale. Unë kam qenë një person i vetëpunësuar për më shumë se dy dekada dhe jam krenare që jam një prej biznesmenëve privatë."

Por rruga e Zhang Huamei-t në biznes ka pasur ulje-ngritjet e veta. Në vitin 1982 ajo u martua dhe pas një viti, kur lindi një fëmijë, ajo ia la dyqanin vëllait të vet, duke vendosur t'i përkushtohet familjes. Por gjërat nisën të vështirësohen përsëri. Në vitin 1986 familja e saj e re jetonte në një dhomë vetëm 12 metra dhe vetëm rroga e të shoqit ishte e pamjaftueshme. Zhang Huamei vendosi të nisë përsëri biznesin, duke shitur këtë herë aksesorë mode. Biznesi pati sukses dhe Zhang Huamei-t iu desh vetëm një vit të blinte një apartament të ri më të madh.

Por Zhang do të haste përsëri telashe më vonë. Në vitin 1990 ajo humbi thuajse të gjithë pasurinë që kishte në një biznes të dështuar këpucësh. Megjithatë, Zhang Huamei vendosi të mos dorëzohej dhe nisi të tregonte kopsa. Këtë herë ajo pati sukses, duke arritur të krijojë në vitin 2007 kompaninë e vet të aksesorëve të veshjeve, teksa synon të krijojë edhe markën e vet, në një sektor ku konkurrenca është e madhe.

"Ne përballemi me konkurrencë çdo ditë, konkurrencë për stilet, materialet dhe klientët. Por koha më e vështirë ishte në fillim, kur unë dhe im shoq duhej të punonim 12 orë në ditë. Por tani që kemi grumbulluar njëfarë pasurie, mund të pushojmë pak dhe të shijojmë jetën," thotë biznesmenia e parë zyrtare private në Kinë.

Mrekulli
Lajmet Kryesore